Ish-kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së dhe zyrtari tjetër të akuzuar për korrupsion sërish kërkojnë pafajësinë në Apel

Lajme

Ish-kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së dhe zyrtari tjetër të akuzuar për korrupsion sërish kërkojnë pafajësinë në Apel

Më: 17 mars 2021 Në ora: 15:41
Ish-kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së dhe zyrtari tjetër të akuzuar për korrupsion sërish kërkojnë pafajësinë në Apel

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, dhe zyrtari Bersan Kolgeci, për herë të tretë i janë drejtuar Gjykatës së Apelit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së “Prima Pharm”, ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen kësaj kompanie, banderolat për barna

Në aktakuzë thuhet se këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale, duke lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Sipas aktakuzës, arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm” ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

Ky rast, dy herë ka qenë i kthyer në rigjykim, derisa në dy gjykimet e para, të akuzuarit Dushi e Kolgeci, ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim.

Gjykata Themelore në Prishtinë në shkurt të vitit 2020 sërish kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë palët brenda afatit ligjor kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes ankesës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i parë të ndryshohet ashtu që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të ashpra me burg efektiv.

Sipas prokurorisë, gjykata e shkallës së parë ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese duke konsideruar se me dënimet e shqiptuara inkurajohen edhe personat tjerë për të kryer vepra të tilla penale.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë kanë ushtruar edhe mbrojtësit e dy të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bersan Kolgeci, avokati i ndjerë N. Sh. ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm, ndërsa në rastin më të pavolitshëm kërkon nga Apeli që rastin ta kthej në rigjykim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Dushi, avokati i ndjerë Muhamet Shala, përmes ankesës së ushtruar ka kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat.

Ndaj ankesës së prokurorisë, përgjigje në ankesë ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Kolgeci, i cili ka kërkuar që ankesa e prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Ndërkaq Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka kërkuar që ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve të refuzohen si të pabazuara.

Gjatë seancës së shqyrtimit të ankesave nga kolegji i gjyqtarëve të Apelit i përbërë nga gjykatësit Kreshnik Radoniqi, kryetar i kolegjit, Tonka Berishaj gjykatëse referuese dhe anëtarit Tomisllav Petroviq, u dëgjuan pretendimet ankimore të palëve.

Mbrojtësi aktual i të akuzuarit Bersan Kolgeci, avokati Skender Musa deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së ushtruar nga mbrojtësi paraprak i të mbrojturit të tij.

Ai shtoi se rekomandimi i dhënë është në përputhje me udhëzimin administrativ dhe sipas tij palët e pakënaqura kanë pasur mundësi që rekomandimin ta atakojnë në procedurë administrative, por që lidhur me këtë nuk ka pasur asnjë ankesë.

“Gjykatësi nuk ka qenë objektiv dhe ka pasur preferenca” tha Musa, gjatë elaborimit të ankesës së ushtruar.

Ai i propozoi gjykatës që dy të akuzuarit të lirohen nga akuza dhe nëse rasti kthehet në rigjykim, gjykimi i çështjes të bëhet nga një kolegj tjetër gjykues.

I akuzuari Ilir Dushi gjatë kësaj seance deklaroi se qëndron pranë ankesës së ushtruar duke kërkuar që ndaj tij të merret aktgjykim lirues.

Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 shkurt 2020 kishte marr aktgjykim me të cilin kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndaj tyre ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Në këtë rast i akuzuar kishte qenë edhe Edon Hajrullaga, mirëpo ndaj tij ishte refuzuar akuza për shkak të parashkrimit absolut.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt 2018, Dushin dhe Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh burg për secilin.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Edon Hajrullaga ishte shpallur fajtor për veprën penale “prodhim i ndaluar” dhe ishte dënuar nga shkalla e parë me gjobë në lartësi prej 10.000 euro.

Në maj 2018, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast për herë të dytë në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384, paragrafi 1, nënparagrafi 12, e lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkaq, në gjykimin e parë, gjykata e shkallës së parë më 13 qershor 2017, Dushin dhe Kolgecin, i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, Haki Ejupin me pesë muaj burg, Edon Hajrullagen me 10.000 euro gjobë.

Mirëpo, aktgjykimin e shkallës së parë e kishte anuluar Gjykata e Apelit, e cila në dhjetor 2017, e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas vlerësimit të Apelit në atë kohë, arsyet e paraqitura në  aktgjykimin e shkallë së parë janë kontradiktore lidhur me faktet vendimtare.

Po ashtu, sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale andaj Gjykata Themelore në Prishtinë duhet t’i evitojë këto shkelje në rigjykim.

I akuzuari Haki Ejupi, i cili në gjykimin e parë ishte shpallur fajtor dhe dënuar me pesë muaj burgim, mirëpo pas kthimit të rastit në rigjykim, ai është liruar nga akuzat.

Ky gjykim ishte zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Në aktakuzë thuhet se këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale, kështu që këtij subjekti i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm”, sipas aktakuzës, ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat