Escobar me 1 shkurt në Mali të Zi – ShBA nuk llogarit si partner Frontin Demokratik, shkak tensionet, kundërshtimi i NATO-s dhe Kosovës

Lajme

Escobar me 1 shkurt në Mali të Zi – ShBA nuk llogarit si partner Frontin Demokratik, shkak tensionet, kundërshtimi i NATO-s dhe Kosovës

Nga: F.B Më: 20 janar 2022 Në ora: 11:03
Gabriel Escobar

I dërguari special amerikan i presidentit Biden për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar do të vizitojë Malin e Zi me 1 shkurt dhe sipas gazetës “Vijesti” nga Podgorica ka planifikuar takime me kreun e Kuvendit të Malit të Zi dhe kreun e qeverisë malazeze, transmeton “Bota Sot”.

Gazeta përkujton se Escobar ka qëndruar në Malin e Zi edhe në nëntorin e shkuar, ku ka zhvilluar takime me presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq, kryeministrin Zdravko Krivokapiç dhe kreun e Kuvendit të Malit të Zi Aleksa Beçiq.

Kohë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Escobar, në intervistën për “Zërin e Amerikës” ka theksuar se “nuk i takon ShBA-ve që të zgjidhin tensionet dhe problemet në koalicionin qeverisës brenda një anëtari të NATO-s”.

Por, Escobar gjatë intervistës ka deklaruar se “Fronti Demokratik (i serbëve) që ka numrin më të madh të deputetëve në parlamentin malazez, nuk shihet si partner nga ShBA për shkak të nxitjes së ndarjes edhe tensioneve etnike, bllokimit të reformave dhe rrugës së integrimit të Malit të Zi në Evropë”.

“Edhe në të kaluarën ky subjekt ishte shumë kundër anëtarësimit të vendit në NATO dhe nuk ka ndihmuar me deklarata e saja rreth Kosovës. Kështu që nuk besoj se kjo ka ndryshuar dhe nuk e konsiderojmë si partner të përgjegjshëm”, ka thënë ndër tjera Escobar.

Siç dihet gjendja në Malin e Zi është e tensionuar, pasi nënkryetari i qeverisë Dritan Abazoviq ka kërkuar qeveri të re, por pa përfshirjen e pikërisht subjektit të apostrofuar edhe nga Escobar (Frontit Demokratik) dhe partisë së Gjukanoviqit, qeveri kjo që do të jetë qeveri e pakicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat