Radojçiq pjesëmarrës nderi në paradën ushtarake serbe “Granit 2023”

Lajme

Radojçiq pjesëmarrës nderi në paradën ushtarake serbe “Granit 2023”

Më: 22 prill 2023 Në ora: 14:43
Milan Radojqiq

Në aeroportin ushtarak të Batajnicës u zhvillua e ashtuquajtura paraqitje e aftësive të Forcave të Armatosura të Serbisë “Granit 2023” ku prezentë mes krerëve shtetërorë të Serbisë ishte edhe politikani dhe figura famëkeqe Milan Radojqiq, person ky i sanksionuar nga Thesari amerikan dhe Zyra e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar. Prezenca e tij u publikua nga drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Aty Radojqiq shihet krahas Kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarit, Igor Simiq. “Granit 2023 me serbët tanë nga Kosova. Jetë të gjatë Serbisë”, shkroi Petkoviq në mbishkrimin e fotografive.

Radojçiq nuk mungon pothuajse në asnjë takim të shtetit të Serbisë me serbët e Kosovës, ndërsa mbahet afër dhe mbrohet nga e gjithë kasta politike atje pavarësisht sanksionimit dhe futjes në Listë të Zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për aktivitet e tij korruptive ekonomike dhe të krimit të organizuar bashkërisht me biznesmesin ortak të tij, Zvonko Veselinoviq. Ai ka edhe urdhërarrest nga autoritetet e rendit dhe ligjit të shtetit të Kosovës të cilës vazhdimisht i ka ikur. Njihet si figura kryesore e “nëntokës” serbe dhe si krye-orkestruesi i aktivteteve kriminale si dhe barrikidimin serik të pjesës veriore të vendit.

Radojçiq njihet edhe si “de facto” udhëheqësi i Listës Serbe, derisa sot shihet krahas Goran Rakiqit dhe Igor Simiqit. Lista Serbe dje doli me një reagim të rradhës ku bëri thirrje për bojkot të përgjithshëm nga komuniteti serb të zgjedhjeve në katër komunat veriore më 23 prill të dielen. Madje, duke u rënë toneve kërcënuese, Lista Serbe tha se çdo pjesëmarrës serbë në këto votime “do të shikohet me përbuzje”.

“Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve jo demokratike të organizuara nga Albin Kurti në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Më 23 prill të gjitha pikëvotimet do të jenë të zbrazëta me të cilën do të dërgojmë mesazh të qartë te Prishtina por edhe te komuniteti ndërkombëtar”, shkruhet në komunikatën për media të botuar të premten nga Lista Serbe.

Kjo parti e cila është asgjë më shumë se degë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) që udhëhiqet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që megjithatë supozohet të ketë afro 90 përqind të elektoratit në ato zona, vazhdon të trumbetojë propagandën se qëllimi përfundimtar i shtetit të Kosovës është “dëbimi i serbëve” nga ato zona.

Sanksionimi i Radojçiqit

Në dhjetor të vitit 2021 Zyra e Thesarit të Kontrollimit të Pasurive të Huaja (OFAC) e ShBA’së sanksionoi 24 kompani në Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bulllgari, për të cilat u shënua lidhja e tyre me të sanksionuarit serbë, shtetas të Kosovës, vëllezërit Zvonko dhe Zharko Veselinoviç, Millan Radoiçiç dhe 8 të tjerë që asocojnë me ta. Zvonko Vesellinoviç, i cili njihet si njëri nga krerët kryesor të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Veri të Kosovës, edhe nga OFAC u shënjua si “Një[ri] nga figurat e korruptuara më famëkeqe të Kosovës”. Kompania RAD, në pronësi të Zvonko Veselinoviç, që nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, kishte fituar plot 61 tenderë nga Qeveria e Kosovës, me vlerë 5.6 milionë euro.

Ndërkaq në dhjetor të vitit 2022 të njëjtën gjë bëri edhe Mbretëria e Bashkuar: sanksionuan saktësisht dy individët e njëjtë: Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin. “Milan Radojçiq, një biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe. Radojciq ka përfituar nga keqpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’u dhënë kompanive të tij të ndërtimin kontrata fitimprurëse”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Sekretarit të Jashtëm britanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat