Mbi gjysmë toni marihuanë dhe armë të rënda në Suharekë, publikohen pamjet nga aksioni i Policisë së Kosovës

Kronikë

Mbi gjysmë toni marihuanë dhe armë të rënda në Suharekë, publikohen pamjet nga aksioni i Policisë së Kosovës

Nga: A.M. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 17:19
Pamje nga aksioni i Policisë së Kosovës në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të identifikuar me inicialet F.N., M.A. dhe B.A., në rastin e zbulimit të 512 kilogramëve marihuanë në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Të pandehurit, të cilët gjenden në paraburgim, dyshohen për kultivim të bimëve të kanabisit dhe për blerje, posedim, shpërndarje e shitje të paautorizuar të narkotikëve. Gjithashtu, secili prej tyre akuzohet veçmas për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit dyshohet se, në bashkëkryerje dhe si anëtarë të një grupi, kanë kultivuar kanabis në dy parcela në një zonë malore të fshatit Maqitevë.

Për këtë aktivitet, ata dyshohet se kishin instaluar sistem të ujitjes me rezervuar uji dhe gypa për ujitje pikë-pikë.

Në shtallë u gjetën 512 kilogramë marihuanë

Aktiviteti është zbuluar më 16 shtator 2025, gjatë kontrolleve në një shtallë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë. Sipas Prokurorisë, lënda narkotike ndodhej në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje e shitje në treg.

Raporti i ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka konfirmuar se mostrat e ekzaminuara kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive THC.

Sekuestrohen edhe armë dhe municion

Gjatë kontrolleve, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar edhe një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmëautomatike dhe fishekë.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i pasurisë dhe sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar përmes tyre.

Në mesin e pasurisë për të cilën është kërkuar konfiskimi janë dy parcela me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë, shtëpia dhe shtalla, lënda narkotike, pajisjet e kultivimit, armët, municioni, telefonat mobilë, traktori me rimorkio dhe prova të tjera materiale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat