ASH-AA: Korrupsioni lulëzon nëpër institucionet e pushtetit

Maqedonia

ASH-AA: Korrupsioni lulëzon nëpër institucionet e pushtetit

Më: 17 prill 2021 Në ora: 15:17
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani në emër të koalicionit ASH-AA në konferencë për shtyp tha se kjo qeveri prodhon më shumë skandale të korrupsionit seç mund t’i ndjekë opozita dhe opinioni.

“Kështu derisa ende nuk kanë përfunduar komentet rreth arrestimit të ish Sekretarit të Qeverisë, pikërisht për arsye të korrupsionit, një aferë e përmasave të këtilla po zbulohet edhe në Drejtorinë e Librave Amë, që udhëhiqet nga kuadri i BDI-së, Bujar Dardhishta”

“Siç u raportua në media, në emër të digjitalizimit të librave amë, aty është realizuar një tender në vlerë prej afër gjysmë milionë euro (më saktë 480.000 euro), të cilin e ka fituar ndërmarrja “Nova inv” – pronë e të birit të një ish funksionari të BDI-së dhe aktualisht ambasador në një vend evropian, që është krijuar para tre muajve ose vetëm një muaj para se të shpallet furnizimi publik. Dyshimi mbetet edhe te kriteret e vendosura, si ndryshimi i kushteve themelore, që në vend të përvojës së ndërmarrjes dhe stabilitetit të saj financiar, janë vendosur kualifikimet e personelit dhe kjo, si duket, është bërë me qëllim që atë ta fitojë ndërmarrja përkatëse, madje duke i diskualifikuar aplikuesit e tjerë ose duke pamundësuar aplikime të tjera” deklaroi Murtezani.

Ai kërkoi nga Komisioni Anti-korrupsion të hetojë këtë rast si dhe Prokuroria Themelore publike të veprojë përkitazi me këtë lëndë.

“Meqë ky nuk është rast i parë që Drejtoria e Librave Amë realizon tenderë të këtillë të dyshimtë, presim nga institucionet e lartpërmendura që – në emër të transparencës – të japin më shumë detaje rreth këtyre shenjave të korrupsionit dhe, përveç kësaj, të na njoftojmë se për llogari të cilit funksionar të BDI-së janë realizuar këto
përfitime. A është përfituesi i fundit drejtori i këtij institucioni apo kjo shkon deri te kryetari i BDI-së? Ne si opozitë do të presim përgjigje dhe nuk do të heqim dorë nga interesi ynë për ta kuptuar të vërtetën. Në të kundërtën, do të duhet të konkludojmë se bëhet fjalë për korrupsion tipik që sponsorizohet nga pushteti.

Në fund Murtezani tha se një Qeveri që edhe në kushte të krizës ekonomike dhe të pandemisë synon të vjedhë para publike nuk meriton të vazhdojë të qeverisë.

“Prandaj, një shumicë e re, një qeveri me bazë të gjerë ose një qeveri ekspertësh mund të ishte shpëtimi nga kjo gjendje”, tha në fund Murtezani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat