Hyrja e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë temë kryesore për përplasje mes partive politike. VLEN pretendon se përpos shitjes së aksioneve nga krushku i Ali Ahmetit, Salaudin Arifi me kompaninë e tij AS Senjak, aksione të Stopanska Bankës në Manastir ka shitur edhe Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar. Deputetja Saranda Imeri Stafai publikoi një dokument ku sipas saj, Qeveria në vitin 2023 kishte dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve
“Më 6 qershor 2023 mbahet seanca e 158 e Qeverisë të cilin e bashkëkryesojnë zv.kryeministri i parë Artan Grubi dhe Dimitar Kovaçevski. Në tryezë është i ulur i gjithë lidershipi politik dhe ekonomik i BDI-së, ministrat Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi. Në pikën 5 të rendit të ditës pikërisht në këtë përbërje shqyrtohet informacioni për shitjen e aksioneve në pronësi të Agjencisë për Menaxhim të pasurisë së konfiskuar dhe me konkluzionin nr 6 merret vendimi për dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve shtetërore në Stopanska Banka SH.A Manastir” / deklaroi Saranda Imeri Stafai – VLEN
Nga BDI u përgjigjën se nuk kanë mundur të parashikojnë se aksionet që u shitën atëkohë do të përfundonin te Alta Banka. Integristët thonë se e kanë paralajmëruar Qeverinë aktuale për hyrjen e Alta Bankës dhe se kjo bankë ka lidhje me të ashtuquajturën “Botën Serbe”. Akuzojnë VLEN-in se kur duhet të japë llogari, sillet sikur të ishte në opozitë.
“Vetë ia hapën derën Alta Bankës, vetë i nënshkruan dhe i vulosën vendimet, e tani dalin e akuzojnë të tjerët. Pasi e kryen punën, duan t’i lajnë duart. Por nuk lahet fytyra me ujë të pistë! Tani që po dalin në shesh dyshimet për prapavijën e kësaj pune, bëhen sikur kanë rënë nga hëna. Nuk dinë gjë, nuk kanë parë gjë, nuk kanë dëgjuar gjë. Vetëm se kanë harruar një gjë: nënshkrimet e tyre janë në dokumente! Alta Banka është kopili juaj dhe kopilin tuaj nuk mund ta lini në derë të huaj!” / thanë nga BDI
Për Alta Bankën përsëri reaguan edhe nga VMRO-DPMNE. Nga kjo parti pyesin LSDM-në pse nuk kanë reaguar në vitin 2023 kur BDI-ja kishte lejuar hyrjen e kësaj banke në vend.
“Filipçe dhe LSD të tregojnë nëse Macura ka qenë kriminel me kapital të dyshimtë kur me BDI-në kanë mundësuar hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni. Kompania e krushkut të Ahmetit, sipas informacioneve, ka poseduar aksione në Stopanska Banka Manastir, të cilat më pas i’a shesin Davor Macurës dhe Alta Bankës. Filipçe dhe LSD heshtin për këtë dhe nuk komentojnë pasi kanë frikë nga BDI-ja” / deklaroi Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE
Për këtë dokument nga LSDM Nga LSDM E nga LSDM habiten se si VMRO-DPMNE vazhdojnë të mbrojnë Alta Bankën dhe duan t’ia hedhin fajin Qeverisë së kaluar. Për dokumentin e publikuar thonë se është manipulim dhe se bëhet fjalë për shitje të 7,213 aksioneve nga kapitali i Stopanska Bankës Manastir, e të cilat shteti i kishte konfiskuar nga Sasho Mijallkov dhe kompania “Eksiko” nga rasti “Perandoria”.
“Vendimi i 6 qershorit të vitit 2023 është vetëm procedurë e rregullt sipas Ligjit për menaxhim me pasurinë e konfiskuar, pra pajtim formal që Agjencia për Menaxhim me Pasuri të konfiskuar të mund ti shesë aksionet e konfiskuara që të hyjnë para në buxhet. Të njëjtën ditë janë dhënë pajtime identike edhe për aksione tjera të konfiskuara. Këto aksione fare nuk janë shitur në mandatin e LSDM-së. Alta Banka atëherë fare nuk ka qenë prezentë në shtet. Hyrja e Alta Bankës serbe dhe marrja e Stopanska Bankës kanë ndodhur në vjeshtë të vitit 2025 me vendim të Mickoskit dhe Qeverisë së tij” / deklaroi Maja Borozan – LSDM
Nga Qeveria kanë konfirmuar se pavarësisht marrjes së licencës në Serbi dhe arrestimin e pronarit, Alta Banka në Maqedoni vazhdon të mbetet stabile dhe se paratë e qytetarëve nuk rrezikohen./ Alsat.mk