Deputetja Ilire Dauti ka ngritur shqetësimet për politikat diskriminuese të Qeverisë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, gjatë një takimi me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Kristof Kamp.
Dauti, e cila është anëtare e Komitetit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ka bërë të ditur se gjatë takimit ka shprehur vërejtjet e saj lidhur me trajtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore, duke i cilësuar politikat aktuale si diskriminuese.
Ajo ka rikujtuar edhe shkarkimin e saj nga pozita e kryetares së Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale, të cilin e ka cilësuar arbitrar. Sipas saj, ky vendim erdhi pasi kërkoi trajtim të barabartë për të dyja palët e përfshira në konfliktin e armatosur të vitit 2001, në kuadër të debatit për të ashtuquajturin “Ligji për Branitellat”.
Një tjetër çështje që Dauti ka ngritur në takim ishte Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Ajo ka shprehur shqetësimin se përmes këtij ligji, pushteti po synon që shqiptarët, si bashkësia e dytë më e madhe etnike në vend, të trajtohen si pakicë, ndonëse përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Deputetja ka theksuar se nuk kanë asgjë kundër pakicave etnike dhe se mbrojnë të drejtat e tyre, por e ka cilësuar të padrejtë dhe tendencioze qasjen e Qeverisë ndaj shqiptarëve.
Sipas Dautit, projektligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe dispozitat e tjera ligjore.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se këto shqetësime ia ka paraqitur drejtpërdrejt komisionerit të OSBE-së, Kristof Kamp.