Zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka marrë pjesë në lansimin e fushatës rajonale “A Moment for Life – Një çast vlen një jetë”, e iniciuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se kjo ditë ka pasur një domethënie të veçantë për të, pasi përkon me katërvjetorin e vdekjes së bashkëshortit të saj në një aksident rrugor.
Zekolli Shaqiri ka theksuar se humbja e një jete në trafik nuk është thjesht statistikë, por një tragjedi që prek familje të tëra dhe lë pasoja të pashlyeshme.
“Për mua, kjo ditë dhe kjo fushatë kanë një domethënie të veçantë, përtej përgjegjësisë sime institucionale”, ka shkruar ajo.
Në këtë aktivitet, ajo ishte së bashku me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe udhëheqësen e Departamentit për Çështje të Trafikut pranë MPB-së, Maja Arsovska-Manov.
Pas lansimit të fushatës, është zhvilluar edhe një aktivitet sensibilizues në terren, ku drejtuesve të automjeteve dhe pjesëmarrësve në trafik u janë shpërndarë fletushka dhe broshura informuese për rëndësinë e vendosjes së rripave të sigurimit, përdorimit të pajisjeve mbrojtëse dhe respektimit të rregullave të komunikacionit.
Zëvendësministrja ka theksuar se Ministria e Transportit mbetet e përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe standardeve të sigurisë, por ka shtuar se mbrojtja e jetës në trafik kërkon edhe përgjegjësi individuale dhe kujdes nga secili pjesëmarrës.
“Asnjë udhëtim nuk është aq urgjent sa të rrezikojë jetën. Një rrip sigurimi, një helmetë apo një moment më shumë kujdes mund të bëjnë dallimin mes jetës dhe tragjedisë”, ka përfunduar Zekolli Shaqiri.