Shasivari nga Manila: Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët globale

Maqedonia

Shasivari nga Manila: Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët globale

Nga: A.M. Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 20:58
Jeton Shasivari

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po merr pjesë në Konferencën e Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve, e cila po mbahet në Manila të Filipineve.

Shasivari ka bërë të ditur se në këtë forum ndërkombëtar janë mbledhur ministra nga 131 shtete, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë dhe organizata nga vende të ndryshme të botës.

Konferenca organizohet nga Qeveria e Filipineve, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-in, me synimin për të forcuar angazhimin global në parandalimin dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve.

Ministri ka njoftuar se më 19 nëntor do të jetë pjesë e sesionit ndërkombëtar “Connecting Regions, Advancing Solutions: A Cross-Regional Exchange”, ku së bashku me ministra dhe përfaqësues të lartë nga vende të ndryshme do të diskutojë për zgjidhje konkrete dhe bashkëpunimin ndërrajonal në luftimin e dhunës ndaj fëmijëve.

Ai ka theksuar se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë prioritet i pakompromis për çdo institucion, duke vlerësuar se drejtësia nuk matet vetëm me reagimin ndaj shkeljeve, por edhe me aftësinë e institucioneve për t'i parandaluar ato.

Në fokus të diskutimeve janë forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve, siguria në shkolla, mbështetja e familjeve, mbrojtja nga dhuna në hapësirën digjitale, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

“Fëmijëria duhet të jetë kohë e sigurisë, dinjitetit dhe mundësive, jo e frikës, dhunës dhe pasigurisë”, ka theksuar Shasivari.

Ai ka shtuar se angazhimi duhet të përqendrohet në më shumë parandalim, institucione më të përgjegjshme dhe mbrojtje konkrete për çdo fëmijë, duke nënvizuar se e drejta për t'u rritur i sigurt nuk njeh kufij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat