Mexhiti: Synojmë ndërtimin e shkollës për 200 fëmijë me nevoja të veçanta në Çair

Maqedonia

Mexhiti: Synojmë ndërtimin e shkollës për 200 fëmijë me nevoja të veçanta në Çair

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 19:29
Pamje nga takimi

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se synon realizimin e një projekti të rëndësishëm për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërtimin e një shkolle me kapacitet për 200 nxënës në Çair.

Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Kosovë ka zhvilluar një takim me Halil Kastratin, drejtuesin e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, me të cilin ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit për realizimin e këtij projekti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vizitës kanë parë nga afër edhe punën e shoqatës në shtëpinë e të moshuarve.

Sa i përket projektit, Mexhiti ka treguar se shkolla, e cila do të mbajë emrin “Idnina - E ardhmja”, parashihet të ndërtohet në një objekt me sipërfaqe rreth 2.000 metra katrorë, me kapacitet për 200 fëmijë dhe me investim të parashikuar prej rreth dy milionë eurosh.

Sipas tij, objekti do të ofrojë hapësira të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim, duke iu përshtatur nevojave të fëmijëve.

Mexhiti ka theksuar se për realizimin e këtij projekti është diskutuar mundësia e bashkimit të përvojës së Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” me angazhimin e komunës.

“Familjet që e presin këtë shkollë kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët për kushte ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe t’i shprehin aftësitë e tyre. Për këtë duam të punojmë bashkë”, ka shkruar Mexhiti.

Projekti synon të krijojë kushte më të mira arsimore dhe zhvillimore për fëmijët me nevoja të veçanta dhe të ofrojë mbështetje për familjet e tyre.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat