Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Shabi Kurtishi.
Përmes një postimi, Ahmeti ka bërë të ditur se Kurtishi, i lindur në vitin 1962, ishte pjesë e familjes politike të BDI-së dhe për shumë vite kishte dhënë kontribut në angazhimet partiake, përfshirë edhe në selinë e kësaj partie.
Ai e ka kujtuar Kurtishin si veprimtar të përkushtuar, i cili ishte pjesë e rrugëtimit të tyre të përbashkët politik.
Sipas njoftimit të Ahmetit, Shabi Kurtishi është përcjellë për në banesën e fundit me nderime kombëtare dhe fetare, pas namazit të drekës, në Varrezat e Veteranëve, pranë Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Haraçinë.
Në fund, Ahmeti u ka shprehur ngushëllime familjes Kurtishi, miqve dhe bashkëluftëtarëve të të ndjerit, duke nderuar jetën dhe veprën e tij.