Alta Banka del në shitje për 23 milionë euro

Maqedonia

Alta Banka del në shitje për 23 milionë euro

Nga: B.S. Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 10:35
Alta Banka

Banka Popullore ka nisur procedurën për shitjen e 95.33 për qind të aksioneve të Alta Bankës në Manastir, me synimin për të gjetur një pronar të ri dhe për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të saj.

Në shitje do të dalin 372.742 aksione, të cilat aktualisht janë në pronësi të Alta Bankës në Beograd, që ndodhet në falimentim. Ankandi i parë është caktuar për 30 nëntor dhe do të zhvillohet përmes Bursës së Maqedonisë së Veriut, sipas parimit “gjithçka ose asgjë”.

Çmimi fillestar është caktuar në 3.777 denarë për aksion, ndërsa vlera e përgjithshme e paketës arrin rreth 1.41 miliardë denarë, apo afërsisht 23 milionë euro. Kjo nënkupton se blerësi duhet ta marrë të gjithë paketën e aksioneve dhe jo vetëm një pjesë të saj, shkruan AlsatM, transmeton "Bota sot".

Në rast se aksionet nuk shiten në ankandin e parë, ankandet e radhës do të mbahen më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor. Në secilin ankand pasues, çmimi fillestar do të ulet për 10 për qind në krahasim me ankandin paraprak.

Investitorët e interesuar duhet që deri më 19 nëntor të paraqesin kërkesë në Bankën Popullore për marrjen e miratimit paraprak për blerjen e aksioneve, si dhe të dëshmojnë se disponojnë mjetet e nevojshme financiare.

Ndërkohë, më 1 nëntor, Banka Popullore vendosi administrim të përkohshëm në Alta Bankën në Manastir, pas vlerësimit se rrethanat e krijuara mund të rrezikonin aftësinë paguese të saj.

Ky vendim erdhi pas revokimit të lejes së punës për bankën amë në Beograd dhe tërheqjes së pëlqimit për pronësinë e saj në bankën në Manastir.

Shitja e paketës dominuese të aksioneve paraqet hapin e radhës për gjetjen e një pronari të ri dhe vazhdimin e funksionimit të Alta Bankës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat