Koalicioni VLEN, partner në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ka kritikuar ashpër kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, për deklaratën se paqja rajonale bëhet në bashkëpunim me Serbinë.
Në një reagim të enjten, VLEN-i e cilësoi këtë si përpjekje të përsëritur për ta rehabilituar agresorin dhe tha se Ahmeti vazhdon ta vajtojë “Open Ballkanin”. Sipas VLEN-it, bëhet fjalë për të njëjtën Serbi që nuk e njeh Kosovën, nuk ka kërkuar falje për krimet e vitit 1999 dhe që qëndron pas sulmit në Banjskë, për të cilin, sipas reagimit, Ahmeti nuk ka folur kurrë.
VLEN-i tha se njohja e pavarësisë së Kosovës është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy popujve. Si përcaktim të vetin përmendi lidhjen me Shqipërinë dhe Kosovën përmes Korridorit 8, autostradën Shkup–Bllacë dhe rrugën Tetovë–Prizren.
Në fund të reagimit, koalicioni iu kthye edhe rastit “Alta Banka”, duke thënë se “çështja kombëtare kurrë më nuk do të bëhet peng” i interesave të ngushta.
Përplasja vjen një ditë pasi Ahmeti e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me deklaratën për statusin e gjuhës shqipe doli në krah të kryeministrit Hristijan Mickoski. BDI-ja dhe VLEN-i prej javësh shkëmbejnë akuza për provimin e jurisprudencës në shqip dhe për hyrjen e Alta Bankës në vend.