Argirovski: Pensioni më i ulët duhet të jetë 20.000 denarë

Maqedonia

Argirovski: Pensioni më i ulët duhet të jetë 20.000 denarë

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Pensionistët në Maqedoninë e Veriut theksojnë se rritja e pensioneve të shtatorit me 6.8% jo vetëm që nuk mjafton, por është edhe poshtëruese në kushtet kur rritja e çmimeve është e përditshme dhe standardi i jetesës po fundoset vazhdimisht.

Si veçanërisht problematik, ata theksojnë faktin se më së paku do të marrin pensionistët me pensione më të ulëta, ose vetëm 699 denarë, ndërsa më së shumti ata me pensionet më të larta, gjegjësisht 4.100 denarë. Në kriza të tilla ekonomike duhet solidaritet, thotë për “Lokalno” Dragi Argirovski, njohës i çështjeve që kanë të bëjnë me moshën e tretë.

“Një pjesë e madhe e mjeteve në fondin pensional vijnë nga buxheti, janë para publike, prandaj duhet solidaritet, më shumë duhet të rriten pensionet me një shumë më të vogël, e sa më pak pensionet më të larta”, vlerëson Argirovski.

Sipas tij, është e nevojshme që qeveria të miratojë një paketë masash për pensionistët, të ndajë më shumë mjete për ta, të vazhdojë ndihma për faturat e energjisë elektrike për ata me pensione të ulëta, të ofrojë subvencione për barnat e shtrenjta, por edhe të lehtësojë blerjen e mjeteve ndihmëse ortopedike.

“Për mendimin tim, pensioni më i ulët duhet të jetë 20.000 denarë dhe me këtë pajtohen shumë analistë dhe profesorë”, përfundon Argirovski, i cili përkujton shoqatat e pensionistëve që të rrisin aktivitetin e tyre dhe të bëjnë përpjekje për uljen e varfërisë te pensionistët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat