Harrohet premtimi për projektin e liqenit të Treskës

Maqedonia

Harrohet premtimi për projektin e liqenit të Treskës

Më: 1 prill 2023 Në ora: 17:17
Foto ilustrim

Pas premtimeve të njëpasnjëshme, madje edhe një plani të detajuar urbanistik liqeni I Treskës vazhdon të duket kështu. Asnjë lëvizje në ndërtimet që shihen në letër, autoritetet hedhin fajin njëra tjetrës për ngecje në procedura.

Qytetarët kujtojnë me nostalgji liqenin e dikurshëm të Treskës, thonë se gjendja aktuale është tmerruese, ndërsa janë skeptik se do të ketë përmirësim të situatës. U bëjnë thirrje autoriteteve të bëjnë punë dhe jo vetëm premtime boshe.

“Nuk është puna do ta bëjmë sot do ta bëjmë nesër, vetëm me fjalë, me punë nëse nuk bëhet -nuk bëhet. Në 75 është lëshu, unë kam qenë 25 vjeçarë atëherë… Më parë ne flenim përreth Treskës, sot nuk mund të kalosh, pastërti nuk ka, I gjuajnë të gjitha mbeturinat, para liqenit ka qenë livadh, tani deponi”, tha një qytetar.

“Mirë është të kish qetë, po ja nuk është, e kanë bërë të të vjen ‘gerdi’.. Mirë është të bëhet por ja nuk po bëhet”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Jo pak, por shumë po zvarritet, katastrofë është lart…Ky vend më herët ishte rekreacioni më i mirë, në kohën e tij edhe Tito ka ardhur. Ai kishte ardhur në kohën e tij tek ky liqen”, theksoi një tjetër qytetar.

“Liqeni ka qenë më i pastër, nuk ka pas mbeturina…”, shtoi një tjetër qytetar.

Kryetari i Komunës së Sarajit drejton gishtin tek pushteti qendror, respektivisht Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për turizëm. Bexheti thotë se ndërtimi nuk po fillon për shkak se ka ngecje të pakuptimta dhe të panevojshme tek institucionet në kuadër të Qeverisë.

“Tash jemi në fazën kur realisht duhet të arrijmë deri të shpallja publike, thirrja publike. Akoma nuk ka arrit deri te thirrja publike që të mund të paraqiten investitorë. ( Çka I paraprin kësaj) Normalisht ato që janë detyrime ligjore, të gjitha pjesët që janë detyrime ligjore duhet ky komision, bashkërisht me Agjencinë për Turizëm dhe Ministrinë e Ekonomisë që të dërgohen në Qeveri të miratohen, të jepet pëlqim dhe të vazhdohet më tutje… Plani detal urbanistik është, punohet, komisioni ka pas 6-7 mbledhje, duhet me një dinamik më të madhe dhe apeloj që Ministri I Ekonomisë këtë çështje ta bëjë që 1 herë në muaj në qeveri të shqyrtohet progresi se sa është arrit progres nga ana e komisionit dhe Agjencisë për turizëm”, tha Blerim Bexheti, Kryetar i Komunës së Sarajit.

Nga Qeveria thonë se në këtë moment zona zhvillimore turistike- Saraj ofrohet si një mundësi investimi për investitorët potencial globalë në sektorin e turizmit, ndërsa ky është obligim i Agjencisë për turizëm. Ndërkohë nga Agjencia për Promovim dhe Mbështetje të Turizmit na kthejnë përsëri tek komisioni për shpronësimin e tokës ndërtimore që përbëhet nga 7 anëtare të institucioneve të ndryshme, ndërsa udhëhiqet nga anëtari i komunës së Sarajit. Thonë se të gjitha aktivitetet e mëtejshme rrjedhin në korniza të këtij komisioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat