Në një kohë kur debati për të drejtat e autorit shpesh mbetet në hije, dhe artistët e rinj shpesh akuzohen për përdorim pa leje të materialeve të mëparshme, këngëtarja e njohur Tayna ka treguar një shembull të rrallë respekti dhe profesionalizmi artistik.
Kënga e saj më e re “Thana” përfshin refrenin ikonik të këngës së Alida Hiskut “Vajzat e fshatit tim”, një perlë e muzikës shqiptare që ka mbetur në kujtesën kolektive të publikut për dekada.
Por ndryshe nga rastet kur pjesë të tilla ripërdoren pa autorizim, këtë herë gjithçka ka ndodhur me dakordësi të plotë.
Vetë Alida Hisku, këngëtarja legjendare që i ka dhënë zë brezit të artë të muzikës shqiptare, ka rrëfyer për emisionin “Përtej Kufijve” me Malbora Gurra se si erdhi deri te ky bashkëpunim i veçantë:
“Tayna më mori personalisht në telefon. Kam parë kush është Tayna, si është, çfarë suksesi ka. E kam analizuar komplet, si këndon. Rashë dakord me Taynën që të merrte refrenin tim, të kënduar nga unë. Ai është refreni im por i moduluar. Zëri im me aparatura. E bëra për Kosovën.”
Refreni i përpunuar me teknologji moderne, por i kënduar nga vetë Hisku, është dëshmi se tradita dhe inovacioni mund të bashkëjetojnë në një mënyrë të bukur dhe artistikisht të ndershme. Kjo lloj bashkëpunimi jo vetëm që i jep vlerë trashëgimisë muzikore shqiptare, por e sjell atë në vëmendjen e një audience të re, duke treguar se muzika e mirë nuk njeh kohë.
“Thana” është tashmë një hit në platformat digjitale dhe rrjetet sociale, ndërsa fakti që zëri i Alida Hiskut jehon brenda saj, i jep këngës një emocion të veçantë dhe një lidhje të rrallë ndërbrezore.
Ky është një rast që duhet duartrokitur, jo vetëm për suksesin komercial, por për ndjeshmërinë artistike dhe respektin që i është dhënë një figure ikonike të muzikës shqiptare.