Kënga që e bëri në vitin 2003, bëri që në adresë t’i vinin edhe kërcënime të shumta. Për shkak të “Hajt shko”, këngëtari Naser Berisha u kërcënua edhe me vdekje. Madje kërcënuesit ia përmenden edhe fëmijët.
Artisti gjilanas tregoi që këngë me tone kritike ndaj keqpërdoruesve në politikë ishte publikuar në vitin 2003, por kërcënimet i erdhën një dekadë më pas kur dikush e përdori atë si kolonë zanore në një video me imazhe të politikanëve si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj etj..
“Në vitin 2003 e kom bo kangën Hajt shko n’rrotë t’somës, e pastaj m’u patën gju në qafë, më patën bojkotu e kanë dashtë me m’vra e plot probleme tjera, po nuk jom nalë”, ka rrëfyer Berisha.
I pyetur se kush qëndronte prapa kërcënimit, këngëtari u shpreh “do që kanë bo shumë pare e kanë mendu që kënga është për ta”.
“Më kanë shkru me profile fake duke me thënë se e dinë se në cilën dhomë flejnë fëmijët e mi, me emër. Për mu ka qenë shumë personale. Më shkruanin disa profile brenfa dite”, ka rrëfyer më tej këngëtari Naser Berisha, duke thënë që për këto reagime nuk e njoftoi familjen që të mos shqetësoheshin.
Berisha tha që më vonë ishte zbuluar që videon ku u përdor kënga e tij me imazhe të politikanëve e kishte montuar një person që jetonte në Zvicër.