Romeo Beckham ndau një mesazh të koduar në Instagram vetëm pak kohë pasi ish-e dashura e tij, Kim Turnbull, reagoi publikisht ndaj thashethemeve se ka pasur një lidhje me vëllain e madh të Romeos, Brooklyn Beckham.
“Silluni mirë me njerëzit dhe mos thoni gënjeshtra të panevojshme,” shkroi Romeo, 22 vjeç, në një Story të hënën, përkrah një foto bardhë e zi nga filmi klasik “Roman Holiday” me Audrey Hepburn dhe Gregory Peck.
Postimi përmbante gjithashtu një citat tjetër: “Ajo që i duhet botës është kthimi te ëmbëlsia dhe mirësjellja.”

Pak para kësaj, Kim Turnbull, 24 vjeç, postoi në Instagram Story një deklaratë ku mohoi kategorikisht çdo lidhje romantike me Brooklyn-in, 26 vjeç.
“E kam shmangur këtë temë për të mos i hedhur benzinë zjarrit, por ka ardhur momenti ta adresoj për të ecur përpara,” shkroi ajo. “Nuk do të pranoj më ngacmime mbi bazën e gënjeshtrave që ushqejnë një narrativë false.”
Turnbull sqaroi se asnjëherë nuk ka pasur një lidhje romantike me Brooklyn-in, duke theksuar se miqësia e tyre daton nga koha kur ishin 16 vjeç dhe nuk kaloi asnjëherë përtej kësaj.
Romeo dhe Kim i dhanë fund lidhjes së tyre pas shtatë muajsh, mes thashethemeve për tensione të brendshme në familjen Beckham. U përfol se Brooklyn dhe bashkëshortja e tij, aktorja Nicola Peltz, nuk morën pjesë në ditëlindjen e 50-të të David Beckham sepse Kim ishte e pranishme.