Prej dhjetorit të vitit të kaluar, vajza që shpërndante dritë kudo ku dhe shkonte është duke u përballur me një nga sfidat më të vështira. Më 29 dhjetor, Dajana Kalo, vetëm 25-vjeç pësoi hemorragji cerebrale dhe me urgjencë u dërgua në Qendrën Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”.
Me ditë të tëra ajo luftoi në QSUT, mirëpo nevoja për ndihmë më të specializuar mjekësore e detyroi atë dhe të motrën që të kërkonin ndihmën e shqiptarëve. Të shumtë ishin ata kolegë, miq dhe qytetarë të cilët në kohë rekord arritën që të mblidhnin shumën prej 200.000 euro që Dajanës i duhej për t’u kuruar.
Menjëherë pasi kjo shumë u mblodh ajo u nis menjëherë drejt Stambollit ku dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Vetë Dajana, pas disa javësh mungesë në rrjetet sociale ka postuar me ndjekësit momente nga ky kalvar i gjatë vuajtjesh.
Krah saj janë dy njerëzit e saj më të rëndësishëm, motra që nuk ia ka lëshuar kurrë dorën, si dhe shoku i saj i jetës, i cili i ka qëndruar “mbi kokë” në këto momente kaq të vështira për të.
Me disa fjalë zemre, ajo ka falenderuar publikisht për të gjithë ata që e mbështetën dhe e ndihmuan financiarisht që të kishte mundësi që të kurohej në një nga spitalet më të mira të Turqisë.
“Po përpiqem të rikthehem sërish…Nuk e di pse kam kaq shumë emocione dhe e kam pak të vështirë të shprehem, por e ndjej nga zemra ta bëj këtë post. Faleminderit nga thellësia e shpirtit për mundësinë që më dhatë që të kurohesha në një nga spitalet më të mira”, shkruan Dajana, teksa ka bërë me dije se ajo ka pasur vështirësi në lëvizjes e anës së djathtë të trupit dhe nuk ishte në gjendje të ecte normalisht.
Postimi i Dajanës:
Hi të dashur
Po përpiqem të rikthehem sërish…Nuk e di pse kam kaq shumë emocione dhe e kam pak të vështirë të shprehem, por e ndjej nga zemra ta bëj këtë post.
Faleminderit nga thellësia e shpirtit për mundësinë që më dhatë që të kurohesha në një nga spitalet më të mira
Gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe do vazhdojë të shkojë edhe më mirë vetëm me pozitivitet, siç më njihni. Ashtu do vazhdoj të jem.Nuk gjej fjalë për të përshkruar sa mirënjohëse jam ndaj jush… dhe ndaj Zotit
Do shihemi shumë shpejt me më shumë dritë, më shumë energji dhe një version edhe më të fortë të vetes sime. Ndonjëherë është në rregull të mos jemi të fortë… vetëm që të kuptojmë sa forcë mbajmë brenda nesh si qenie. Me dashuri, Dajana.