Treshja nga Kosova që ringjalli legjendën

Muzikë

Treshja nga Kosova që ringjalli legjendën

Nga: Kadri Tarelli Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 23:22
Dervish Shaqa

Çdo ditë, madje dy herë në ditë, me biçikletë kaloja në Shënavlash dhe “Nish Tulla“, (lagje e Durrësit), kështu që, më jepej rasti të ndeshja në udhë apo në kafene rapsodët Demush Neziri e Dervish Shaqa. Demushi i gjatë dhe me trup të mbushur, të lidhur e shpatullgjerë, të ngjeshur si shkëmb mali, ndërsa Dervishi ishte shumë elegant, i gjatë i hollë dhe me fytyrë tipike të malësorit shqiptar, që hijeshohej nga mustaqet e plota allashqiptarçe, fytyrë nevrike dhe e sertë në pamje, model i përkryer për piktorët dhe skulptorët, për të pikturuar e gdhendur racën tonë. Nuk ishte e vështirë t’i njihje, pasi dalloheshin prej së largu nga veshja dhe nga plisi i bardhë në kokë. Dervishin edhe më lehtë, pasi në dorë mbante përherë sharki, që thuajse ju kishte bërë gjymtyrë e trupit, sa që shkrimtari Adem Istrefi e thëriste Dervish Sharkia.

Ishte një periudhë e pakuptimtë e heshtjes ndaj Kosovës shqiptare, aqsa te njerëzit e thjeshtë, ajo dukej si copë toke e një shteti të huaj, madje disa habiteshin që kosovarët flisnin shqip. Dalja e tyre në skenë, thyente kornizat dhe shqiptarët po njihnin dhe po e donin këtë truall të shenjtë shqiptarie, që historia na e shkëputi padrejtësisht e mizorisht

Të dy, duhet thënë të tre, bashkë me valltaren Merushe Badolli, edhe kjo me origjinë kosovare, më shumë i njoha përmes skenës, nëpër koncerte, që zhvilloheshin në Pallatin e kulturës “A. Moisiu“, në Durrës, më pas edhe nga televizori, kur trasmetoheshin koncertet dhe festivalet në Gjirokastër, Tiranë dhe në qytete të tjerë. Ata ishin bërthama e Grupit Kosovar të Rrashbullit, që përfaqësonte Durrësin në të gjitha veprimtaritë artistike lokale dhe kombëtare. Artistët, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Merushe Badolli, i lindi Kosova, i rriti kënga, i bashkoi shpirti, i përjetësoi oda dhe skena. Ata sollën e përcollën tek ne, në mjedisin shqiptar, folkun shqiptar të Kosovës, si një pasuri shpirti dhe kulture të magjishme, por të fshehur, të penguar e të mohuar deri atëherë.

Sa herë shikoj në televizor “vallen e shpatave“, apo kur bie fjala në biseda mes shokësh dhe me familjarë, seç më ngacmon të kujtoj legjendën e hasur në Berat, kur dy trima e azganë, Tomori dhe Shpiragu, ndeshen me njëri-tjetrin, për një dashuri, për një vajzë bukuroshe. Pas dyluftimit, ata ngurtësohen në dy male: Tomori gropa-gropa, nga goditjet e topuzit dhe Shpiragu vija-vija, nga të prerat e shpatës, kurse “Zana e malit” hyn në mes për ta shuar e ndaluar dyluftimin. Ajo shndërrohet në rrjedhë lumi, jo për t’ i ndarë, por për t’ i bashkuar, për t’i freskuar trup e shpirt, si një damar gjaku, mbushur me lëng jete, që sjell e mban jetë. Eh! Trojet shqiptare me plot legjenda, që i bëjnë jehonë që nga lashtësia, duke i sjell e shtuar dritë jetës, edhe në ditët tona.

Ata, që i kanë njohur nga afër këta artistë të mëdhenj të flokut shqiptar, sidomos drejtues dhe pjestarë të veprimatrive artistike të kohës, si Enver Plaku, dikur drejtor dhe regjizor i teatrit “A. Moisiu” në Durrës, Ermir Dizadari, dirigjent dhe udhëheqës artistik, Qemal Kërtusha këngëtar, Naim Kërçuku këngëtar, Shpendi Topollaj, më herët officer, sot shkrimtar, në kujtimet dhe shkrimet e tyre, edhe sot nuk i ndajnë nga njëri-tjetri. Madje kur shikojnë veprimtari, apo lexojnë krijimtari, mbi jetën artistike të atyre kohëve, trishtohen, sepse disa përpiqen t’i ndajnë, t’i veçojnë, a thua se i zbehin vlerat e njëri-tjetrit. Është një lloj marrëzie e heshtur e natyrës së shqiptarit, sepse, si pa dashje harrojnë, se kur ata ishin bashkë, secili në madhështinë e vet, plotsonin aq natyrshëm shoqi-shoqin. Ata ishin magji dhe sillnin magjinë e artit shqiptar të gjysmës tonë, duke mbajtur ndezur zjarrin e lirisë dhe të bashkimit të kombit.

Enver Plaku, në kujtimet e tij, veçon: “Ishte viti 1968. Në grupin kosovar të Rrashbullit, ku spikasnin rapsodët me emër, Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe plot shokë të tjerë, vallëzonte edhe një vajzë e shkathët, me një temperament të veçantë të karakterit, e cila i binte dajres, këndonte dhe njëkohësisht kërcente. Ishte një mrekulli e pazbuluar më parë. Ajo demonstronte vetëm, shpesh si soliste, por edhe e shoqëruar në grup. Ishte kjo mrekulli, që menjëherë Panajot Kanaçi, koreografi i shumënjohur i Ansamblit shtetëror të Tiranës, na e kërkoi, që pas festivalit, (festivali i Gjirokastrës), ta merrte disa ditë në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Tiranë, për të “regjistruar” nga ajo, vallet dhe lëvizjet e kombinuara aq magjishëm, folklorisht dhe artistikisht”. Libri “Ah.. Shqipni mos thuj mbarova!”, të autorit Bajram Halil  Gashi.

Ndersa Ermir Dizdari rrëfen një lloj pakënaqësie, që Merushen e lenë disi mënjanë, duke përmendur vetëm dy të mëdhenjtë, Dervishin dhe Demushin.  Gabojnë, sepse aq vlera sa ka dyshja Dervish e Demush, që sollën këngën epike, po kaq vlera ka edhe Merushja, që solli vallen e Kosovës shqiptare. Ajo ishte e magjishme, aqsa e mpinte sallën me lëvizjet e saj aq rimike, aq harmonike e delikate, të kokës, supeve, krahëve, belit dhe këmbëve, që dukesh sikur nuk e preknin tokën. Çuditërisht, sa e urtë e qetë dhe e heshtur ishte si vajzë, aq shpërthyese, enegjike dhe e stuhishme ishte në valle. Ua kam thënë edhe drejtuesve dhe organizatorëve të festivalit të përvitshëm, “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, se pa portretin e Merushes, veprimtaria është e drunjëzuar, pa jetë, pa shpirt. Merushja ishte si fllad dhe shpresë jete, për grupin kosovar dhe spektatorin e që e duartrokiste gjatë”.

Naik Kërçuku flet gjatë për këtë artiste të magjishme. Unë po citoj vetm pak falë të tij: “Për Merushen, nuk dua të përsëris fjalët e mjeshtarve të skenës e muzikës, të Enver plakut dhe Ermir Dizdarit. Pjesëmarrja e saj në grupin Kosovar dhe dalja në skenë, goditi fanatizmin, sidomos në fshat, duke i dhënë krahë emancipimit të femërs shqiptare. Ishte fantastike në skenë”.  

Ndërsa Berati trashëgon e tregon legjendën e ardhur që s’dihet qëkur, Dervishi, Demushi dhe në mes tyre valltarja e magjishme Merushe Badolli, përmes valles, na marrin për dore, na ulin pranë zjarrit dhe na përcjellin rrëfenjën mbarë shqiptare, që i jep jetë e krahë dashurisë. Treshja e stuhishme e Kosovës, sa e ashpër, aq delikate, në vallen e shpatave e përjetëson magjishëm legjendën, duke e përditësuar në art, për ta shtruar e ndezur në çdo odë e vatër shqiptare.

Çdo kohë nxjerr artistët e saj, por të madhërishëm mbeten ata që dalin në kohë të vështira, kur kombi ka halle e vështirësi. Në kujtesën e popullit, në të gjitha trevat ku flitet shqip, kjo treshe kosovare do mbetet legjendë e artit shqiptar, sepse na bashkuan shpirtërisht, duke çarw kufijtë, që dhunshëm na vendosi bota.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat