Përjashtimi i Spiropalit nga PS, Koçeku flet për pasiguri, Buçpapaj paralajmëron degradim të partisë

Politika

Përjashtimi i Spiropalit nga PS, Koçeku flet për pasiguri, Buçpapaj paralajmëron degradim të partisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 nëntor 2026 Në ora: 15:21
Elisa Spiropali

Përjashtimi i Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste ka hapur një debat të ri mbi zhvillimet e brendshme në partinë në pushtet në Shqipëri. Ky vendim ka vënë në fokus marrëdhëniet mes drejtuesve dhe figurave të rëndësishme të PS-së, si dhe mënyrën se si po trajtohen mospajtimet dhe qëndrimet e ndryshme brenda strukturave partiake.

Zhvillimi ka nxitur pikëpyetje mbi arsyet që çuan në këtë vendim, raportet e Spiropalit me drejtimin e partisë dhe ndikimin që mund të ketë kjo çështje në klimën politike brenda socialistëve.

Në mbledhjen e 24 nëntorit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste votoi pro përjashtimit të saj, pas propozimit të kryetarit të grupit, Taulant Balla. Deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan, ndërsa vetë Spiropali nuk ishte e pranishme në mbledhje. 

Ky vendim erdhi pasi më 14 nëntor, Spiropali ishte larguar edhe nga forumet drejtuese të PS-së, përfshirë Kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare. Në këtë mënyrë, ajo mbeti jashtë strukturave drejtuese dhe grupit parlamentar të partisë. 

Nga ana e saj, Spiropali ka kundërshtuar vendimet, duke i cilësuar ato të pavlefshme dhe duke pretenduar se nuk është respektuar procedura e vendimmarrjes. Ajo ka deklaruar se do ta vazhdojë betejën e saj brenda Partisë Socialiste, duke kritikuar mënyrën e drejtimit dhe duke kërkuar largimin e atyre që, sipas saj, kanë abuzuar me pushtetin. 

Koçeku: Sa për lirinë e mendimit, nuk është fjala për liri mendimi sa për liri vendimi

Image
Marjana Koçeku

Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku ka komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit, duke thënë se vendime të tilla tregojnë pasiguri brenda partisë dhe ndikojnë në besimin e qytetarëve ndaj drejtimit politik.

Në një përgjigje për “Bota sot”, Koçeku theksoi se besimi, siguria dhe kredibiliteti janë elemente thelbësore për një lider dhe një parti, por sipas saj, këto vlera po kalojnë një krizë.

“Përjashtimet tregojnë pasiguri dhe pasiguria në politikë kushton. Besimi, siguria, kredibiliteti janë elemente me shumë randësi për nji lider, parti apo pushtet. Këto elemente sot janë në nji krizë e cila po shfaqet në shumë forma; me anë të protestave, spak dhe segmentarizimit të brendshëm politik.

Sa për lirinë e mendimit, nuk është fjala për liri mendimi sa për liri vendimi. Mendimi dhe veprimi janë bashkë. Nuk mund të mendosh tjera gjëra e tjetër të votosh. Vota dhe mendimi janë bashkë. Ne kemi deputet që ndryshe kanë mendu e ndryshe kanë vepru. Unë nuk mund të bëj një gjë të tillë”, ka thënë ajo në një përgjigje për “Bota sot”.

Buçpapaj: Tashmë PS po përjeton një stad degradimi

Image
Elida Buçpapaj

Ndërkaq, gazetarja Elida Buçpapaj ka kritikuar mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste, duke e krahasuar organizimin e saj me modelin e partisë-shtet të periudhës së diktaturës.

Në një prononcim për “Bota sot”, Buçpapaj tha se PS nuk u transformua plotësisht mbi parimet e një partie pluraliste pas vitit 1991. Ajo vlerësoi ish-kryetarin Fatos Nano për pranimin e humbjes në zgjedhjet e vitit 2005 dhe dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Sa i përket Edi Ramës, gazetarja pretendon se ai e përqendroi pushtetin politik në duart e tij, duke krijuar marrëdhënie varësie brenda strukturave të partisë.

“Në Shqipëri gjatë diktaturës, partia e punës identifikohej me shtetin, si parti-shtet, kishte institucione formale por çdo gjë centralizohej dhe partia e punës me levat e saj kontrollonte gjithçka, mediat, kulturën, edukimin, artin, shoqërinë. Kjo parti konvertoi emrin në 1991 por nuk u konvertua mbi parime të një partie në një sistem pluralist, për shembull në 1997 rehabilitoi gjithë nomenklaturën e diktaturës. 

Megjithatë prej 1991 deri 2005 kreu i PS Fatos Nano kishte një vizion liberal, çka u reflektua edhe në zgjedhjet e 2005, kur ai njohu humbjen, lejoi rotacionin dhe dha dorëheqjen nga kreu i PS, duke hapur rrugën për ndryshim drejtimi edhe brënda partisë. Edi Rama e mori partinë me makinacion, përmes Gramoz Ruçit dhe krahut konservator dhe prej 2005 ai e përqendroi pushtetin politik në duart e tij, duke krijuar relacion si midis tutorit me klientët”, thotë ajo. 

Buçpapaj shtoi se pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet në vitin 2013, pushteti është përqendruar gjithnjë e më shumë rreth figurës së tij. Duke komentuar rastin e Elisa Spiropalit, ajo tha se përjashtimi i saj përbën një sinjal për këdo që del kundër vijës së drejtimit të partisë.

“Këtë relacion ai e zhvilloi, e perfeksionoi kur fitoi zgjedhjet në 2013. Tani, të gjitha pushtetet nuk identifikohen me PS apo Rilindjen, por vetëm me emrin e tij, pra e ka ngritur në piedestal kultin e individit, duke e kapur shtetin dhe kthyer një skllav të tij. Dhe rasti i Elisa Spiropalit, duket si një dalje e saj nga rreshti që solli menjëherë përjashtimin, një kërcënim ky për cilindo që e provon sikur Elisa.

Tashmë PS po përjeton një stad degradimi dhe në zhvillimet e reja e ardhmja e kësaj partie do të varet nga ndryshimi i timonierit dhe nga perspektiva që do t'i hapë vetes për të krijuar besueshmëri, pasi deri më tash partia i ka shërbyer liderit të saj, një autokrat me të gjitha atributet, që po e shket vendin drejt një diktature sepse deri më tash nuk garantohen zgjedhjet e lira e të ndershme” – përfundon ajo për "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat