Lepaja dhe Halili për deklaratën e Albaresit: Spanja ta dëshmojë në BE, Serbia t’i zbatojë marrëveshjet

Politika

Lepaja dhe Halili për deklaratën e Albaresit: Spanja ta dëshmojë në BE, Serbia t’i zbatojë marrëveshjet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 nëntor 2026 Në ora: 10:07
Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, më 16 nëntor 2026

Spanja ka shprehur gatishmëri që të mos bëhet pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, pavarësisht se vazhdon të jetë njëra nga pesë shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj. Këtë qëndrim e bëri të ditur ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, gjatë Forumit për Zgjerim të BE-së, të mbajtur më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel.

Gjatë diskutimeve për procesin e zgjerimit, Albares deklaroi se Madridi nuk do të vendosë pengesa në rrugën evropiane të Kosovës dhe as në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Kemi qenë të qartë gjatë këtij viti se kurrë nuk do të jemi pengesë ndaj dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kurrë nuk do të jemi pengesë që Kosova të afrohet me BE-në”, deklaroi kryediplomati spanjoll.

Si dëshmi të këtij qëndrimi, Albares përmendi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportave të Kosovës si dokumente të vlefshme udhëtimi.

Albares kishte bërë një deklaratë të ngjashme edhe në janar të vitit 2024, kur Spanja nisi t’i pranojë pasaportat e Kosovës, duke theksuar njëkohësisht se kjo nuk nënkupton njohjen e sovranitetit të Kosovës.

Deklarata e shefit të diplomacisë spanjolle ka nxitur diskutime për mundësinë e një qasjeje më konstruktive të Madridit ndaj Kosovës, por edhe për ndikimin që mund të ketë ky qëndrim në raportet me shtetet e tjera të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Deklarata pozitive që trason rrugën që Kosova duhet të ndjekë”

Publicisti Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota Sot”, e vlerëson si pozitive deklaratën e Albaresit. Sipas tij, ky qëndrim mund të hapë rrugë për tejkalimin e pengesave që lidhen me mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, ndërsa vëmendja tash duhet të përqendrohet te qeveria e re serbe dhe gatishmëria e saj për të respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023.

“Deklarata e kryediplomatit spanjoll është gjithsesi pozitive dhe trason rrugën që Kosova duhet të ndjekë për të tejkaluar pengesën kryesore drejt anëtarësimit në BE dhe kjo është mosnjohja nga pesë anëtaret e BE-së. Definitivisht, arsyet e këtyre vendeve për mosnjohje nuk kanë të bëjnë aspak me vetë Serbinë apo ndikimin e saj, por me problemet e tyre të brendshme të së njëjtës natyrë, apo të ngjashme”, deklaron Lepaja.

Image
Publicisti Fadil Lepaja

Sipas tij, Serbia duhet të respektojë zotimet e vitit 2023 për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për të mos e penguar në rrugën drejt BE-së.

“Qeveria e re në Beograd do të përballet me çështjen e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe një nga sfidat kryesore për të do të jetë respektimi i Marrëveshjes në pikat që e obligojnë Serbinë të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, duke specifikuar qartë se me këtë marrëveshje asnjëra palë nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Gjithashtu, qartë është thënë se asnjëra palë nuk do ta pengojë tjetrën në procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke pasur parasysh këto pika të Marrëveshjes së vitit 2023, në Bruksel dhe Ohër, deklarata e kryediplomatit spanjoll merr rëndësi të veçantë, pasi hap rrugë që, me njohjen formale dhe faktike të kësaj marrëveshjeje nga ana e qeverisë së re serbe, vendet skeptike të hapin rrugë për fillimin e negociatave me Kosovën”, shprehet ai.

Lepaja vlerëson se qëndrimi i qeverisë së re në Beograd ndaj këtyre marrëveshjeve do të tregojë nëse Serbia është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Pra, varet nga Qeveria e re serbe nëse vërtet është e përcaktuar për normalizim të marrëdhënieve mbi bazën e marrëveshjeve të arritura, apo do të vazhdojë edhe më tej me kleronacionalizmin e ish-presidentit serb dhe koalicionit të tij nacionalist.

Kjo i hap rrugë Kosovës të thirret në këtë marrëveshje dhe të kërkojë hapjen e negociatave me BE, ndërkohë që zbatimi i pikave të tjera të jetë objekt i vazhdimit të bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, thekson publicisti.

Në fund, ai e cilëson deklaratën e Spanjës si sinjal inkurajues për dialogun.

“Duke qenë se tradicionalisht politika kleronacionaliste shpresonte në qëndrimin e ngurtë të Spanjës, Greqisë dhe Rumanisë për mosnjohjen e Kosovës, deklarimi i kryediplomatit të vendit më me ndikim nga pesë anëtaret që nuk e njohin Kosovën, për mendimin tim, është trimërues për dialogun dhe për një marrëveshje historike për fqinjësi dhe rrugë evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Sidoqoftë, orientimi i vërtetë i qeverisë së re serbe do të shihet pikërisht në vullnetin e saj të mirë për të respektuar këto pika të Marrëveshjes së vitit 2023, me çka indirekt do të bënte që vendet skeptike të votojnë hapjen e negociatave të BE-së me Kosovën”, përfundon Fadil Lepaja.

“Diplomacia e Kosovës duhet të ndërmarrë një ofensivë të re dhe shumë më serioze diplomatike”

Ndërkaq, profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota Sot”, e vlerëson si sinjal pozitiv diplomatik deklaratën e Albaresit, por thekson se ajo nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit të Madridit për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se duhet të dëshmohet me veprime konkrete.

Image
Nijazi Halili

“Deklarata e ministrit të Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, se Spanja nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, është një sinjal pozitiv diplomatik, por duhet të trajtohet me kujdes dhe realizëm. Kjo deklaratë nuk nënkupton se Madridi ka ndryshuar qëndrimin ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, por mund të tregojë gatishmëri për të ndarë çështjen e njohjes nga procesi i integrimit evropian. Megjithatë, Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me deklarata politike. Ajo duhet të kërkojë që ky qëndrim të dëshmohet përmes veprimeve konkrete, sidomos në proceset vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, vlerësimi i ministrit irlandez për Çështje Evropiane, Thomas Byrne, se pesë shtetet mosnjohëse vazhdojnë të paraqesin pengesë për avancimin e Kosovës është një dëshmi se problemi mbetet serioz. Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, pavarësisht dallimeve në qëndrimet e tyre, ndikojnë në pozitën e Kosovës brenda BE-së. Këtu qëndron edhe paradoksi evropian: Bashkimi Evropian deklaron se dëshiron zgjerimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet pa statusin e vendit kandidat, ndonëse aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar që në dhjetor të vitit 2022”, deklaron Halili.

Për ta kapërcyer këtë situatë, profesori kërkon një strategji të veçantë për secilin nga pesë shtetet mosnjohëse dhe mobilizimin e aleatëve brenda BE-së.

“Mendoj se diplomacia e Kosovës duhet të ndërmarrë një ofensivë të re dhe shumë më serioze diplomatike. Nuk mjafton që institucionet tona të bëjnë deklarata për orientimin evropian; duhet të zhvillojnë një strategji të veçantë për secilin prej pesë shteteve mosnjohëse, duke identifikuar interesat, shqetësimet dhe mundësitë e bashkëpunimit me secilin prej tyre. Nevojitet angazhim në nivelin më të lartë politik, diplomaci parlamentare, bashkëpunim ekonomik dhe mobilizim i aleatëve tanë brenda BE-së, veçanërisht Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që këto shtete të ushtrojnë ndikimin e tyre për zhbllokimin e procesit. Njëkohësisht, Kosova duhet të kërkojë që aplikimi i saj të shqyrtohet dhe të fillojë procesi teknik i vlerësimit, pa u mbajtur peng pafundësisht nga mospajtimet politike ndërmjet shteteve anëtare. Është e rëndësishme që të kërkohet edhe një angazhim më i qartë i Komisionit Evropian dhe i shteteve që e mbështesin Kosovën”, shprehet profesori.

Halili e cilëson si zhvillim shqetësues edhe faktin që Kosova nuk u ftua as në edicionin e dytë të Forumit për Zgjerim në Bruksel.

“Sa i përket faktit që Kosova për të dytën herë nuk është ftuar në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, këtë e konsideroj një zhvillim shqetësues dhe një sinjal negativ politik. Është e papranueshme që Kosova të flitet vazhdimisht si pjesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa të lihet jashtë forumeve ku diskutohet pikërisht kjo perspektivë. Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë shpjegim zyrtar nga Brukseli dhe të insistojnë në trajtim të barabartë me vendet e tjera të rajonit. Në fund, dua të theksoj se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga perspektiva e saj evropiane, por as të mbështetet vetëm në deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë. Na duhet diplomaci aktive, e koordinuar dhe me rezultate konkrete. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë se izolimi dhe lënia e Kosovës në një status të paqartë politik nuk i shërben stabilitetit të rajonit. Ndërsa Kosova duhet të dëshmojë përmes reformave, sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve demokratike se është e gatshme për integrim. Kosova nuk po kërkon privilegj, por të drejtën për të ecur përpara në rrugën evropiane mbi bazën e meritave dhe kritereve të njëjta që zbatohen për vendet e tjera të rajonit”, përfundon Halili.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat