Deklarata e Kamberit në parlamentin serb, analistët tregojnë çfarë presin shqiptarët nga shumica e re

Politika

Deklarata e Kamberit në parlamentin serb, analistët tregojnë çfarë presin shqiptarët nga shumica e re

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 nëntor 2026 Në ora: 07:58
Shaip Kamberi gjatë seancës plenare në Kuvendin e Serbisë

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me shumicën e re parlamentare, por pa hequr dorë nga kërkesat për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kështu deklaroi deputeti Shaip Kamberi gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, duke përmendur përfaqësimin institucional, pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave dhe arsimin në gjuhën shqipe si çështje që presin zgjidhje.

“Do ta mbështesim çdo nismë dhe jemi të gatshëm për partneritet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por nuk do të heqim dorë nga parimet dhe kërkesat tona. Vetë e drejta për barazi nuk është e negociueshme”, tha Kamberi.

Analistët politikë Nehat Hyseni dhe Refik Hasani kanë vlerësuar se deputetët shqiptarë duhet të jenë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me shumicën e re parlamentare në Serbi, por pa hequr dorë nga kërkesat për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas tyre, ndryshimi i përbërjes parlamentare krijon mundësi për të adresuar problemet e kahershme, por premtimet e Listës Studentore duhet të dëshmohen përmes veprimeve konkrete.

Bashkëpunimi me pakicat dhe kërkesat ndaj pushtetit të ri

Analisti politik Refik Hasani ka kërkuar që deputetët shqiptarë të bashkëpunojnë me shumicën e re parlamentare, por edhe me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, si hungarezët, boshnjakët dhe bullgarët.

Image
Refik Hasani

Hasani në prononcimin e tij për "Bota sot" ka theksuar se pakicat duhet të shfrytëzojnë konfiguracionin e ri politik për të kërkuar përfaqësim më të madh në institucionet qendrore dhe pozita të rëndësishme shtetërore.

“Sa i përket gatishmërisë së deputetëve shqiptarë për dialog dhe bashkëpunim me autoritetet e reja në Serbi, është me rëndësi që ata t’u përgjigjen ofertave nga Lista Studentore në Serbi.

Andaj, jo vetëm deputetët shqiptarë, por të gjithë deputetët që u përkasin nacionaliteteve etnike dhe autoktone, si hungarezët, shqiptarët, boshnjakët dhe bullgarët, duhet të bashkëpunojnë”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka përmendur mundësinë që përfaqësuesit e pakicave të kërkojnë pozita drejtuese në Kuvend, Qeveri dhe institucione të pavarura, si dhe përfaqësim proporcional në polici, ushtri, shërbimin informativ, prokurori, gjyqësor dhe përfaqësi diplomatike.

Duke folur për premtimet e Listës Studentore për të drejtat e pakicave, Hasani ka thënë se ende është herët të vlerësohet nëse ato do të sjellin ndryshim real në pozitën e shqiptarëve.

“Sa i përket Listës Studentore në Serbi, nuk jam në dijeni saktësisht se çfarë ka premtuar në tubimet e tyre, gjatë protestave dhe më pas gjatë fushatës, edhe pse ka publikuar një program qeverisës. Megjithatë, ende është herët të nxirret një konstatim i saktë se sa mund të shpresojnë shqiptarët për një ndryshim pozitiv, për një ndërrim të narrativës dhe diskursit të ndjekur deri më tani.

Duhet të presim dhe të shohim se si do të veprojnë institucionet e reja dhe nëse zotimet e tyre do të shndërrohen në hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare”, ka thënë ai.

Hasani ka kërkuar që dy deputetët shqiptarë të koordinohen mes vete, por edhe me kryetarët e komunave, kryesuesit e kuvendeve komunale dhe subjektet e tjera politike shqiptare. Sipas tij, një prej prioriteteve duhet të jetë krijimi i një komisioni parlamentar për hetimin e rasteve të pasivizimit të adresave dhe rikthimin e adresave të qytetarëve të prekur.

“Pra, shqiptarët duhet të jenë unikë dhe të parashtrojnë me shkrim kërkesën për krijimin dhe formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e të gjithë personave të pasivizuar dhe rikthimin e adresave të të gjithë qytetarëve shqiptarë të prekur, pa dallim, jo vetëm në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por në gjithë Serbinë”, ka deklaruar Hasani.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar gjithashtu që përmes pyetjeve parlamentare dhe interpelancave të kërkohen të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve të pasivizuar dhe përgjegjësi për zyrtarët që, sipas tij, zbatojnë praktika diskriminuese.

Përveç kësaj çështjeje, Hasani ka renditur edhe kërkesa të tjera, përfshirë përfaqësimin proporcional në institucionet lokale dhe qendrore, zbatimin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, respektimin e Marrëveshjes së Konçulit të 20 majit 2001 dhe kthimin e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, të hequr më 20 janar 2013.

Në mesin e kërkesave të tij janë edhe hapja e vendkalimeve kufitare në Dobrosin, Breznicë, Miratocë, Muhoc dhe te Kapia, themelimi i një instituti për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe hapja e një fakulteti në gjuhën shqipe, si dhe mundësia e themelimit të një universiteti publik.

Hasani ka ngritur edhe shqetësimet për sigurinë në këto tri komuna, duke kërkuar rishikimin e pranisë së forcave serbe në vendbanimet shqiptare dhe respektimin e amnistisë për ish-pjesëtarët e UÇPMB-së. Ai ka kërkuar gjithashtu funksionimin e policisë multietnike në përputhje me përbërjen etnike të popullsisë dhe ndalimin e thirrjeve e mbishkrimeve të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Në përfundim, Hasani ka theksuar se deputetët shqiptarë duhet të jenë zëri i qytetarëve që i kanë votuar dhe të mos kufizohen vetëm në deklarata publike.

“Deputetët shqiptarë do të përballen me sfida nga më të ndryshmet, por kërkohet që të jenë zëri i popullit dhe që kërkesat e tyre të mos mbeten vetëm në nivel deklarativ.

Deputetët shqiptarë, së bashku me gjithë deputetët që u përkasin nacionaliteteve etnike dhe autoktone, si hungarezët, boshnjakët dhe bullgarët, duhet të bashkëpunojnë ngushtë, duke iniciuar debate dhe duke parashtruar kërkesa të përbashkëta.

Po ashtu, duhet të insistojnë edhe për ndryshime kushtetuese dhe ligjore lidhur me vendet e rezervuara në Kuvend për nacionalitetet etnike dhe autoktone, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me interesat e tyre të përbashkëta. Ky bashkëpunim duhet të vazhdojë gjatë gjithë kësaj legjislature të Parlamentit të Serbisë”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.

Dialog me pushtetin e ri, por pa hequr dorë nga kërkesat e shqiptarëve

Ndërkaq, analisti politik në Preshevë, Nehat Hyseni ka thënë se dialogu me institucionet e reja duhet të zhvillohet mbi bazën e barazisë dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve, duke rikujtuar se premtimet e mëhershme të pushteteve në Beograd nuk janë përkthyer gjithmonë në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Image
Nehat Hyseni

“Unë konsideroj se deputetët shqiptarë duhet të jenë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me institucionet e reja të Serbisë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Megjithatë, ky dialog duhet të zhvillohet mbi bazën e barazisë, reciprocitetit demokratik dhe respektimit të të drejtave kushtetuese e ligjore të shqiptarëve.

Ndryshimi i shumicës parlamentare në Serbi, pas zgjedhjeve të 25 tetorit 2026, përbën një zhvillim të rëndësishëm politik. Kjo krijon një konfiguracion të ri institucional, por nuk do të thotë automatikisht se do të ndryshojë edhe politika shtetërore ndaj shqiptarëve.

Prandaj, qëndrimi im është: dialog po, bashkëpunim po, por jo në këmbim të heshtjes politike dhe heqjes dorë nga kërkesat legjitime kombëtare e qytetare”, ka deklaruar Hyseni për “Bota sot”.

Duke folur për pritjet nga shumica e re parlamentare, Hyseni ka thënë se premtimet e Listës Studentore për luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit dhe reformimin e institucioneve mund të ndikojnë edhe në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Megjithatë, ai ka theksuar se duhet bërë dallimi ndërmjet zotimeve të përgjithshme dhe angazhimit konkret për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.

“Shqiptarët kanë arsye të jenë të vëmendshëm dhe të kenë pritshmëri nga ndryshimet politike në Serbi, por nuk duhet të mbështeten vetëm në deklaratat e përgjithshme për demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave të pakicave kombëtare.

Megjithatë, ekziston një dallim ndërmjet premtimeve për demokratizimin e përgjithshëm të shtetit dhe një politike konkrete për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për mua, testi i parë i seriozitetit të Listës Studentore do të jetë mënyra se si ajo do të trajtojë çështjet që kanë qenë objekt i diskriminimit dhe i ankesave të vazhdueshme të shqiptarëve”, është shprehur ai.

Ndër çështjet kryesore që duhet të adresohen, Hyseni ka veçuar pasivizimin e adresave, përfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore, arsimin në gjuhën shqipe dhe njohjen e diplomave të fituara në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se pasivizimi i adresave prek drejtpërdrejt sigurinë juridike të qytetarëve, ndërsa përfaqësimi institucional duhet të garantohet si e drejtë dhe jo të varet nga vullneti i pushtetit.

“Çështja e pasivizimit të adresave është një nga problemet më serioze, sepse prek drejtpërdrejt ekzistencën juridike dhe sigurinë qytetare të mijëra shqiptarëve. Pasivizimi mund t’i privojë qytetarët nga dokumentet personale, ushtrimi i të drejtave dhe qasja në shërbimet publike. Kjo çështje kërkon rishqyrtim të praktikave administrative, transparencë, mekanizma efektivë ankimi dhe rikthimin e adresave të qytetarëve të prekur, kur nuk ekzistojnë baza ligjore për pasivizimin e tyre.

Përfaqësimi institucional duhet të trajtohet si çështje e barazisë dhe jo si çështje e vullnetit të mirë të pushtetit. Shqiptarët duhet të kenë përfaqësim proporcional dhe efektiv në institucionet shtetërore, veçanërisht në polici, gjyqësor, prokurori, administratë publike dhe institucionet e tjera me rëndësi për jetën e qytetarëve”, ka theksuar Hyseni.

Ai ka nënvizuar edhe rëndësinë e arsimit në gjuhën shqipe, duke kërkuar tekste shkollore cilësore, kushte më të mira të mësimit dhe mundësi për studime universitare në këtë gjuhë. Ndërkaq, për njohjen e diplomave të Kosovës, ka thënë se të rinjtë shqiptarë nuk duhet të penalizohen për shkak të vendit ku kanë përfunduar studimet.

“Së treti, arsimi në gjuhën shqipe duhet të trajtohet si një e drejtë themelore dhe si investim në të ardhmen e komunitetit. Kërkohet sigurimi i teksteve shkollore cilësore, përmirësimi i kushteve të mësimit, avancimi i kuadrove arsimore dhe krijimi i mundësive për studime universitare në gjuhën shqipe.

Së katërti, njohja e diplomave të fituara në Kosovë është një çështje me rëndësi të veçantë. Të rinjtë shqiptarë nuk duhet të penalizohen për shkak të vendit ku kanë studiuar. Njohja e diplomave duhet të bëhet përmes procedurave transparente, të shpejta dhe të bazuara në kritere akademike e profesionale”, ka deklaruar ai.

Sa i përket përfaqësimit me dy deputetë në Kuvendin e Serbisë, Hyseni ka thënë se ky numër nuk u mundëson shqiptarëve të ndikojnë të vetëm në vendimmarrje, por krijon hapësirë për artikulimin institucional të kërkesave të tyre.

Ai ka veçuar paraqitjen e deputetit Shaip Kamberi më 18 nëntor, duke e vlerësuar ofertën e tij për dialog dhe partneritet politik, pa hequr dorë nga kërkesat e shqiptarëve.

“Fakti që Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë është një mundësi e rëndësishme për artikulimin institucional të interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Deputetët shqiptarë nuk mund ta përcaktojnë të vetëm shumicën parlamentare, por kanë mundësi të ndikojnë në debatet parlamentare, të parashtrojnë amendamente, të kërkojnë seanca dhe debate për çështjet e Luginës dhe të ndërtojnë bashkëpunim me deputetët që mbështesin demokracinë dhe të drejtat e pakicave.

Në këtë kontekst, do të veçoja edhe paraqitjen e deputetit Shaip Kamberi më 18 nëntor, i cili, sipas qëndrimit të artikuluar në Kuvend, ofroi dialog dhe partneritet politik, pa hequr dorë nga kërkesat legjitime të shqiptarëve”, ka thënë Hyseni.

Ai ka propozuar hartimin e një platforme të përbashkët parlamentare për Luginën e Preshevës, si dhe krijimin e një mekanizmi të posaçëm për shqyrtimin e problemeve të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas tij, deputetët duhet të shfrytëzojnë interpelancat, amendamentet, pyetjet parlamentare dhe iniciativat ligjore, duke bashkëpunuar edhe me deputetët e tjerë, transmeton "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat