Gjashtë kandidatë kanë aplikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas përfundimit të konkursit më 19 nëntor 2026.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se në garë janë Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi.
Konkursi ishte i hapur nga 5 deri më 19 nëntor, ndërsa aktualisht pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Policisë e mban Fehmi Hoti.
Në një përgjigje për “Bota sot”, Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar numrin dhe emrat e kandidatëve që kanë aplikuar.
“Ju informojmë se në kuadër të shpalljes për aplikim për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kanë aplikuar gjithsej gjashtë kandidatë: Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi.
Veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren nga Komisioni për Emërime të Larta në Polici, në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 13/2012 – MPB për Themelimin, Përbërjen dhe Procedurat e Komisionit për Emërime të Larta në Polici”, thuhet në përgjigjen e ministrisë drejtuar “Bota sot”.
Kujtojmë se pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës më parë e mbante Gazmend Hoxha, i cili dha dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt.