Nesër, me 27 nëntor përfundon afati që mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të njoftojë synimin për apelimin e aktgjykimit dënues të shkallës së parë, të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator.
Avokatët e katër ish-drejtuesve të UÇK-së kanë bërë të ditur se do ta kundërshtojnë vendimin, duke i cilësuar dënimet si të padrejta.
Ndërkaq, edhe Prokuroria e Specializuar ka paralajmëruar mundësinë e apelimit, por ende nuk është bërë e ditur nëse ajo do ta kundërshtojë aktgjykimin.
Lidhur me rëndësinë e kësaj faze, procedurat që pasojnë dhe mundësitë që ka Gjykata e Apelit, për “Bota sot” ka folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Ai shpjegon se njoftimi i apelit nuk përbën ankesën e plotë, por shërben si paralajmërim për çështjet dhe pjesët e aktgjykimit që palët synojnë t'i kundërshtojnë. Sipas tij, pas dorëzimit të ankesave, Paneli i Apelit do të shqyrtojë argumentet e të dyja palëve dhe mund të marrë tri vendime të mundshme.
Duke folur për përfundimin e procesit gjyqësor në shkallën e parë dhe arsyet e paralajmërimit të ankesave, Musliu thekson:
“Pas përfundimit të procesit gjyqësor, Trupi Gjykues i shkallës së parë, më 16 shtator 2026, shpalli aktgjykimin fajësues, duke i dënuar katër të akuzuarit me gjithsej 81 vjet burgim.
Mbrojtja e katër të akuzuarve, e pakënaqur me aktgjykimin, kishte paralajmëruar ankesë, ashtu sikurse edhe Prokuroria e Specializuar, e cila kundërshtonte lartësinë e dënimeve, në veçanti për faktin se të akuzuarit ishin liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe se gjykata kishte marrë parasysh vetëm katër nga dhjetë pikat e aktakuzës.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues shpalli aktgjykimin duke lexuar vetëm dispozitivin, ndërsa arsyetimi i tij mbeti për t'u bërë publik më vonë, për shkak të vëllimit të madh të materialit”, shprehet ai për “Bota sot”.
Duke shpjeguar procedurën që duhet të ndiqet deri në dorëzimin e ankesave të plota, Musliu sqaron se fillimisht palët janë të obliguara të dorëzojnë njoftimet për apelim, ndërsa më pas kanë në dispozicion edhe 60 ditë për përgatitjen e ankesave.
“Para se të dorëzohen ankesat, fillimisht palët i dorëzojnë njoftimet. Respektivisht, sipas Rregullores së Procedurave dhe Provave, palët obligohen që brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e shpalljes së aktgjykimit t'i dorëzojnë njoftimet pranë Gjykatës së Apelit.
Mirëpo, për shkak të afatit të shkurtër kohor dhe materialeve voluminoze të lëndës, me kërkesë të avokatëve të të akuzuarve, Paneli i Apelit caktoi 27 nëntorin 2026 si datë të fundit kur palët obligohen t'i dorëzojnë njoftimet. Pas këtij afati, palët kanë edhe 60 ditë kohë për t'i dorëzuar ankesat në Gjykatën e Apelit.
Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se çfarë janë njoftimet në këtë fazë të procedurës.
Me këto njoftime, palët konfirmojnë se do ta kundërshtojnë aktgjykimin, duke paraqitur çështjet, pikat kryesore dhe pretendimet më relevante që do t'i kontestojnë në Apel.
Meqenëse aktgjykimi nuk mund të kundërshtohet në përgjithësi dhe në tërësi, palët në njoftim i përmbledhin arsyet e kundërshtimit dhe i përcaktojnë pjesët e aktgjykimit që synojnë t'i kundërshtojnë.
Pra, njoftimi nuk është ankesë në kuptimin klasik, por një paralajmërim për përcaktimin e strategjisë së kundërshtimit të aktgjykimit. Ndërsa brenda 60 ditëve dorëzohet ankesa e plotë në Apel, ku palët i shpalosin të gjitha analizat, detajet dhe argumentet që i kanë paralajmëruar paraprakisht në njoftim, për ta kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë”, shpjegon Musliu.
Sa u përket pretendimeve që mund të përmbajnë ankesat e mbrojtjes, juristi vlerëson se një ndër çështjet kryesore do të jetë kundërshtimi i pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar për ekzistimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Sipas tij, kjo është një nga çështjet më të ndjeshme të procesit, pasi lidhet me rolin dhe autoritetin e të akuzuarve para, gjatë dhe pas luftës, si dhe me pretendimet për zinxhirin komandues.
“Por, çfarë mund të përmbajnë ankesat e të akuzuarve?
Ashtu siç kemi mësuar nga procesi gjyqësor, supozoj se të akuzuarit kategorikisht do t'i kundërshtojnë pretendimet e Prokurorisë së Specializuar për ekzistimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, sepse kjo është pika më thelbësore e aktakuzës ndaj katër të akuzuarve. Ajo lidhet me rolin dhe autoritetin e tyre para, gjatë dhe pas luftës, si dhe reflekton rëndësinë e çështjes së zinxhirit komandues.
Ata mund t'i kontestojnë edhe provat e administruara nga Trupi Gjykues, të cilat do t'i konsiderojnë si të njëanshme. Mund të ketë kundërshtime edhe ndaj dëshmitarëve, të cilët, sipas të akuzuarve, nuk kanë qenë kredibilë dhe nuk kanë ofruar prova përtej dyshimit të bazuar, si dhe pretendime të tjera”, thekson ai.
Duke folur për kompetencat e Gjykatës së Apelit dhe vendimet që mund të pasojnë pas shqyrtimit të ankesave, Musliu thotë se Paneli i Apelit do t'i analizojë të gjitha provat, argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga palët.
Ai nënvizon se gjykata ka mundësi t'i pranojë pretendimet e palëve në tërësi ose pjesërisht, por edhe t'i refuzojë ato nëse i konsideron të pabazuara.
“Paneli i Apelit, i cili përbëhet nga tre gjyqtarë, pas analizimit të të gjitha provave, argumenteve dhe pretendimeve të palëve, mund t'i marrë parasysh ato në tërësi ose pjesërisht, apo t'i hedhë poshtë si të pabazuara.
Varësisht nga vlerësimi që do t'u bëjë pretendimeve, Paneli i Apelit mund të marrë tri vendime: ta konfirmojë aktgjykimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë ose ta rrëzojë tërësisht”, deklaron juristi.
Ndërkaq, sa i përket kohëzgjatjes së kësaj faze të procesit, Musliu nuk pret që shqyrtimi në Apel të përfundojë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ai thekson se vëllimi i jashtëzakonshëm i materialeve gjyqësore dhe kompleksiteti i çështjes kërkojnë kohë për shqyrtim dhe analizim.
“Duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një proces gjyqësor jashtëzakonisht voluminoz, me një aktgjykim prej 2.100 faqesh, me shumë dëshmitarë, mijëra dokumente, incizime audio dhe video, etj., konsideroj se kjo çështje në Apel do të marrë kohë dhe personalisht nuk besoj se mund të përfundojë para një viti.
Meqenëse aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai i Apelit nuk kanë karakter definitiv, palët kanë të drejtë t'i kontestojnë ato edhe në Gjykatën Supreme, kur aktgjykimi merr formën e prerë”, përfundon Skënder Musliu për “Bota sot”.