Zhvillimet e fundit në diplomacinë evropiane kanë rikthyer në vëmendje çështjen e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Spanjës, José Manuel Albares, se Madridi nuk do ta pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, është vlerësuar nga disa si një sinjal i rëndësishëm për ndryshimin e qasjes së këtij shteti ndaj Kosovës.
Ky qëndrim ka nxitur diskutime për mundësinë e afrimit të mëtejshëm të shteteve mosnjohëse me Kosovën, por edhe për hapat që duhet të ndërmarrë diplomacia kosovare për ta shndërruar këtë klimë të re politike në rezultate konkrete.
Albares ka bërë deklarata të ngjashme edhe më herët. Në janar të vitit 2024, kur Spanja nisi t’i pranojë pasaportat e Kosovës, ai deklaroi se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë as për dialogun Beograd–Prishtinë, as për afrimin e Prishtinës me Bashkimin Evropian, duke theksuar njëkohësisht se kjo nuk nënkupton njohjen e sovranitetit të Kosovës.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver BytyçiLidhur me këtë zhvillim, në një prononcim për “Bota Sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, e cilëson deklaratën e shefit të diplomacisë spanjolle si lajm shumë të mirë dhe shprehje të një qëndrimi më konstruktiv të Madridit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Ai vlerëson se Spanja ka ndryshuar dukshëm qasjen e saj krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa deklaratën e Albaresit e sheh si një sinjal serioz se Madridi nuk dëshiron të jetë pengesë për integrimin evropian të Kosovës.
“Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës në fillim të kësaj jave në Bruksel për Kosovën ishte një lajm shumë i mirë dhe shprehje e qëndrimit konstruktiv të qeverisë spanjolle për shtetësinë e Kosovës. Madridi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por prej vitesh ka ndryshuar qëndrimin ndaj saj. Kujtojmë se Spanja ishte radikalisht kundër njohjes së shtetit të Kosovës, së paku para vitit 2020. Më radikale sesa katër shtetet e tjera mosnjohëse, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, deklarata e fundit e ministrit Albares ka një peshë të veçantë politike, pasi përmes saj Spanja ka bërë të qartë se nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën drejt strukturave evropiane.
“José Manuel Albares foli së fundi qartë. Tha se vendi i tij, Spanja, nuk do ta bllokojë rrugëtimin e Kosovës në integrimin evropian. De facto, kjo është njohje e pavarësisë së Kosovës. Nëse vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s nuk e pengojnë Kosovën për t’u integruar në strukturat euroatlantike, atëherë ato e konsiderojnë atë shtet, madje me atribute evropiane civilizuese. Në këtë rast ka pak rëndësi akti formal i njohjes juridike, megjithëse edhe ky akt ka rëndësinë e vet”, thekson ai.
Duke folur për faktorët që mund të kenë ndikuar në ndryshimin e qasjes së Madridit, Bytyçi përmend edhe rolin e ish-përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Sipas profesorit, përvoja e Borrellit gjatë ndërmjetësimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe njohja nga afër e zhvillimeve në terren mund të kenë ndikuar në mënyrën se si autoritetet spanjolle e kanë vlerësuar Kosovën dhe raportet e saj me Serbinë.
“Besoj se ky qëndrim është gjithashtu produkt i ndikimit të ish-përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Gjatë tentativave të tij për të ndërmjetësuar bisedimet dhe marrëdhëniet e mira midis Kosovës dhe Serbisë, Borrell ka parë nga afër problematikat, ka testuar qëndrimet, ka vëzhguar reagimet e Kosovës, si dhe ato të Serbisë dhe, në fund, besoj se ka bërë rekomandimet e tij për qeverinë spanjolle”, shprehet Bytyçi.
Ai kujton edhe zhvillimet e sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë sulmin në Banjskë, si dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Sipas tij, reagimi i Kosovës ndaj këtyre zhvillimeve ka ndikuar në vlerësimin e saj nga faktorët ndërkombëtarë.
“Borrell ka parë se si reagoi Kosova për të përballuar aktin terrorist të Beogradit në Banjskë. Por edhe momente të tjera kur ai ishte tmerruar nga veprimet e Albin Kurtit për të shtrirë sovranitetin në veri të vendit. Natyrshëm mund të themi se qëndrimet e Borrellit kundër veprimeve politike e praktike të kryeministrit të Kosovës në veri të vendit ishin ndikuar nga frika e rritjes së tensioneve etnike dhe fillimit të një konflikti të ri Kosovë-Serbi”, thotë ai.
Megjithatë, Bytyçi vlerëson se me kalimin e kohës Borrell ka pasur mundësi të kuptojë më mirë qëndrimet e Kosovës dhe rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit të saj.
“Kur Borrell pa që Kurti kishte të drejtë dhe qe i suksesshëm, atëherë ai duhet të jetë bindur se Kosova duhet parë e trajtuar me respekt dhe dinjitet. Pikërisht këtë aspekt shpreh qëndrimi i ministrit të Jashtëm të Spanjës, José Manuel Albares, në deklaratën e tij. Ajo deklaratë është reflektim i përvojës së Borrellit dhe informatave të sakta e jo më të rrejshme të marra nga Beogradi nga ana e autoriteteve të Spanjës”, deklaron profesori.
Ai shpreh bindjen se qëndrimi i ri i Madridit nuk është i përkohshëm apo thjesht politik, por mund të shënojë një ndryshim më të qëndrueshëm në raport me Kosovën.
“Për këtë arsye besoj shumë se deklarimi i Albaresit është serioz, i qëndrueshëm dhe jo konjunktural. Ndërkohë duhet të mos harrojmë se një deklarim i tillë bëhet nga vetë shefi i diplomacisë, i cili do të ishte lajmëtari i njohjes së Kosovës. Dhe deklarata është bërë në një samit për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, thekson Bytyçi.
Një tjetër faktor që, sipas tij, ndikon në qasjen e shteteve evropiane është situata e përgjithshme e sigurisë në kontinent, veçanërisht lufta në Ukrainë dhe rreziku që paraqesin konfliktet për stabilitetin evropian.
Profesori vlerëson se në këtë kontekst, integrimi i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për vetë vendin, por edhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
“Situata e konflikteve, sidomos ajo në Ukrainë, ka ndikuar që Spanja dhe shumica dërrmuese e vendeve të Bashkimit Evropian ta shohin si të rrezikshëm për Evropën këtë konflikt. Në kushte të tilla, këto vende punojnë fort për forcimin e paqes dhe stabilitetit. Njohja dhe integrimi i Kosovës është rruga e vetme për të forcuar regjimin e sigurisë evropiane”, shprehet ai.
Bytyçi e konsideron Spanjën më pragmatike në këtë çështje dhe bën dallim mes qasjes së Madridit dhe asaj të Bratislavës.
“Spanja është realiste në gjykimet e saj. Nuk është si Sllovakia me një këmbë në Moskë dhe tjetrën në Bruksel. Për këtë arsye, Spanja, kur beson në integrimin e Kosovës në BE, është shumë serioze dhe madje e shqetësuar”, deklaron profesori.
Bytyçi: Prishtina duhet ta shfrytëzojë këtë moment
Në pjesën tjetër të prononcimit, ai vë theksin te nevoja që institucionet e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë moment diplomatik dhe të intensifikojnë angazhimin me shtetet e BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Sipas Bytyçit, përveç Spanjës, hapësirë për avancim të marrëdhënieve ka edhe me Greqinë dhe Rumaninë, ndaj diplomacia kosovare duhet të punojë më shumë në këto kryeqytete.
“Megjithatë, këta faktorë që rendita më lart duhen shfrytëzuar nga ana e institucioneve dhe autoriteteve të shtetit të Kosovës. Albin Kurti ka vendosur raporte shumë të mira me Madridin dhe Athinën dhe për këtë arsye Spanja ndryshoi qëndrimin e saj dhe Greqia vazhdon të mbështesë politikat miqësore me Kosovën. Kemi parasysh këtu raportin e ish-ministres së Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, kur Kosova u votua në Asamblenë e Këshillit të Evropës për të qenë anëtare e këtij Këshilli”, thotë Bytyçi.
Ai thekson se edhe Rumania duhet të jetë në fokus të diplomacisë kosovare, pasi ekziston mundësia që ky shtet të afrohet më shumë me Kosovën dhe aspiratat e saj integruese.
“Edhe me Rumaninë ka shumë mundësi që Kosova të punojë më shumë. Kurti, presidentja dhe diplomacia e Kosovës duhet të përqendrohen te puna në Bukuresht, sepse edhe Rumania mund të afrohet shumë më tepër me Kosovën dhe përpjekjet e saj për integrim”, vlerëson profesori.
Në fund, Bytyçi kritikon qasjen e Shqipërisë ndaj Kosovës, duke pretenduar se Tirana nuk ka dhënë mbështetjen e duhur konkrete në proceset diplomatike dhe ndërkombëtare të vendit.
Ai thotë se deklaratat publike për Kosovën nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete diplomatike.
“Nuk po flas për Shqipërinë, sepse ‘shteti amë’ i Kosovës në këto 13 vite nuk ka bërë asgjë pozitive për të edhe në kushte normale të zhvillimeve të saj. Prandaj është e tepërt të them se Kosova duhet t’u kërkojë autoriteteve të Shqipërisë që ato të ndikojnë me diplomacinë e tyre për njohjen dhe integrimin euroatlantik të Kosovës. Liderëve të Shqipërisë u mjaftojnë deklaratat bombastike si ajo që ‘Kosova është një realitet i një shteti të pavarur’ dhe kaq. Këta liderë nuk kanë hallin e Kosovës, thjesht kujdesen si të duken para publikut kur flasin për të. Pra, flasin ndonjëherë të rrallë dhe bëjnë të kundërtën”, përfundon Enver Bytyçi në prononcimin për “Bota Sot”.