Pas deklaratës së Kamberit për dialog, Hyseni paralajmëron shqiptarët e Luginës: Kujdes nga premtimet e reja të Beogradit

Politika

Pas deklaratës së Kamberit për dialog, Hyseni paralajmëron shqiptarët e Luginës: Kujdes nga premtimet e reja të Beogradit

Nga: A.M. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 22:07
Shaip Kamberi gjatë seancës plenare në Kuvendin e Serbisë

Deputeti nga Koalicioni Shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë seancës plenare të mbajtur më 18 nëntor, ka deklaruar se deputetët shqiptarë janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me autoritetet e reja në Serbi, por kjo nuk nënkupton heqje dorë nga parimet dhe kërkesat e tyre për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjatë fjalës së tij, Kamberi theksoi se ndryshimet politike nuk duhet të maten vetëm me ndërrimin e bartësve të pushtetit, por edhe me ndryshimin e qasjes së institucioneve ndaj qytetarëve, të drejtave dhe barazisë së tyre.

“Besoj se çdo ndryshim politik nuk duhet të matet vetëm me ndryshimin e bartësve të pushtetit, por edhe me ndryshimin e qasjes së institucioneve ndaj qytetarëve, të drejtave të tyre dhe barazisë së tyre.

Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj që në fillim se jemi të gatshëm dhe të hapur për dialog dhe partneritet me të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë një shoqëri më demokratike, më të drejtë dhe më të përgjegjshme se kjo që kemi sot.

Nuk dëshiroj të paragjykoj askënd, e as t’i atribuoj dikujt qëndrime të cilat ende nuk ka pasur mundësinë t’i shprehë. Por duhet ta them që në fillim se gatishmëria për partneritet nuk nënkupton gatishmëri për konformizëm.

Hapja ndaj dialogut nuk nënkupton heqje dorë nga parimet, ndërsa bashkëpunimi politik nuk mund të jetë zëvendësim për realizimin e të drejtave”, ka thënë ai.

Lidhur me zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe mesazhin e Kamberit, opinionisti Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota Sot”, ka thënë se ndryshimi i shumicës parlamentare nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e politikave shtetërore ndaj shqiptarëve.

Image
Nehat Hyseni

Sipas tij, prova e vërtetë e shumicës së re do të jetë gatishmëria për të garantuar barazi reale, përfaqësim institucional dhe zbatim të detyrimeve që Serbia ka marrë ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Hyseni ka vlerësuar se gatishmëria e Kamberit për bashkëpunim duhet të shndërrohet në një proces të strukturuar institucional, me përgjegjësi dhe rezultate të matshme.

“Ndryshimi i përbërjes politike të Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit 2026, hap një kapitull të ri në jetën politike të Serbisë, por njëkohësisht krijon edhe një moment të rëndësishëm për pozitën politike, juridike dhe institucionale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ky zhvillim nuk duhet parë vetëm si rotacion i zakonshëm parlamentar!

Ai përfaqëson një moment të rëndësishëm të transformimit politik të Serbisë, i cili mund të krijojë hapësirë për demokratizimin e institucioneve, rikthimin e përgjegjësisë politike dhe ndryshimin e qasjes ndaj çështjeve të pazgjidhura të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Megjithatë, ndryshimi i shumicës parlamentare nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e politikave shtetërore.

Për shqiptarët e Luginës, prova e vërtetë nuk do të jetë retorika e re politike, por gatishmëria e institucioneve të Serbisë për t’i përmbushur detyrimet ekzistuese dhe për të garantuar barazi reale, përfaqësim institucional dhe zhvillim të qëndrueshëm”, ka thënë ai.

Plani i Shtatë Pikave dhe Plani i Veprimit i vitit 2022

Duke folur për kërkesat e shqiptarëve të Luginës, Hyseni ka vënë në pah rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe planeve të mëhershme, të cilat, sipas tij, kanë mbetur kryesisht pa rezultate konkrete.

Ai ka përmendur Planin e Shtatë Pikave, të miratuar nga Qeveria e Serbisë më 4 qershor 2013, dhe Planin e Veprimit të vitit 2022, duke theksuar se problemi kryesor qëndron te mungesa e zbatimit të tyre.

“Problemi themelor nuk është mungesa e dokumenteve, marrëveshjeve apo premtimeve institucionale. Problemi është hendeku i madh ndërmjet pranimit formal të këtyre dokumenteve dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Qeveritë e Serbisë, përfshirë qeverisjen e deritanishme të Aleksandar Vuçiqit, kanë pranuar dokumente dhe kanë deklaruar gatishmëri për trajtimin e problemeve të shqiptarëve, por rezultatet konkrete kanë mbetur larg pritjeve.

Kjo situatë ka prodhuar një deficit të theksuar të besimit politik ndërmjet shqiptarëve dhe institucioneve të Beogradit.

Prandaj, deputetët shqiptarë duhet të kërkojnë nga shumica e re parlamentare një qëndrim të qartë për zbatimin e këtyre dokumenteve, me afate kohore, përgjegjësi institucionale dhe mekanizma të verifikueshëm të realizimit”, ka deklaruar Hyseni.

Pesë prioritetet për shqiptarët e Luginës

Në vlerësimin e tij, përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Serbisë duhet t’i përqendrojnë kërkesat në pesë fusha prioritare: përfaqësimin proporcional dhe integrimin institucional, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave dhe barazinë në arsim, zhvillimin ekonomik dhe respektimin e identitetit kombëtar e të drejtave kolektive.

Hyseni ka theksuar se shqiptarët vazhdojnë të përballen me pengesa në përfaqësimin në administratën shtetërore, polici, gjyqësor dhe institucione të tjera publike.

Ai ka veçuar edhe pasivizimin e adresave të vendbanimit, duke kërkuar rishikimin e rasteve të kontestuara, transparencë të procedurave dhe mbrojtje efektive juridike për qytetarët.

Sa i përket arsimit, ai ka nënvizuar nevojën për njohjen e diplomave të fituara në universitetet e Kosovës dhe zhbllokimin e shpërndarjes së teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Ndërkaq, në aspektin ekonomik, ka kërkuar një program serioz zhvillimor për tri komunat e Luginës, si dhe gjetjen e një mekanizmi transparent për transferimin e mjeteve financiare të ndara nga Qeveria e Kosovës.

A rrezikojnë shqiptarët të bien sërish në kurthin e premtimeve politike?

Duke folur për mundësinë e përsëritjes së premtimeve të parealizuara, Hyseni ka vlerësuar se përvoja e tri dekadave të fundit kërkon kujdes dhe qasje më të organizuar nga përfaqësuesit shqiptarë.

“Përvoja politike e tri dekadave të fundit dëshmon se shqiptarët e Luginës kanë pasur shumë kontakte, marrëveshje, deklarata dhe premtime nga përfaqësuesit e pushtetit në Beograd, por shumë pak rezultate të qëndrueshme.

Prandaj, ekziston një rrezik real që edhe kësaj radhe, në emër të një klime të re politike, të krijohen pritje të mëdha, të cilat më vonë mund të përfundojnë në zhgënjim.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se duhet refuzuar dialogu!

Përkundrazi, dialogu është instrument i domosdoshëm i politikës demokratike. Por ai duhet të zhvillohet mbi bazën e reciprocitetit të përgjegjësive, transparencës dhe rezultateve të matshme”, ka theksuar ai.

Hyseni ka theksuar gjithashtu se deputetët shqiptarë nuk duhet të japin mbështetje automatike për ndonjë qeveri pa marrë paraprakisht zotime të qarta për çështjet jetike të komunitetit që përfaqësojnë.

Në fund, ai ka theksuar se barazia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të jetë një nga testet kryesore të demokracisë dhe të orientimit evropian të Serbisë.

“Dialogu pa zbatim të marrëveshjeve është vetëm një formë tjetër e shtyrjes së problemeve. Bashkëpunimi pa barazi është partneritet i pabarabartë, ndërsa premtimet pa përgjegjësi institucionale janë vetëm iluzione politike.

Sfida e shumicës së re parlamentare në Serbi është që ta dëshmojë se ndryshimi politik nënkupton edhe ndryshim të kulturës shtetërore dhe të marrëdhënieve me pakicat kombëtare.

Ndërsa sfida e përfaqësuesve shqiptarë është që këtë moment të ri politik ta shndërrojnë në një proces të organizuar, të koordinuar dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.

Në fund të fundit, barazia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është çështje e vullnetit të mirë të ndonjë qeverie në Beograd, por detyrim demokratik, kushtetues dhe evropian i shtetit të Serbisë”, ka përfunduar Hyseni për “Bota Sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat