Konjufca kërkoi njohjen e Kosovës nga Greqia, Aliçkaj tregon se kush mund të ndikojë në vendimin e Athinës

Politika

Konjufca kërkoi njohjen e Kosovës nga Greqia, Aliçkaj tregon se kush mund të ndikojë në vendimin e Athinës

Nga: Naile Ejupi Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 22:19
George Gerapetritis dhe Glauk Konjufca

Greqia vazhdon të jetë një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht zhvillimit të marrëdhënieve dhe kontakteve të vazhdueshme ndërmjet dy vendeve.

Çështja e njohjes ishte një nga temat kryesore të takimit që ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi në Athinë me homologun e tij grek, George Gerapetritis.

Gjatë këtij takimi, Konjufca ka kërkuar që Greqia të ndërmarrë një hap të mëtejshëm drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë që një vendim i tillë do të kishte për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Përmes një postimi, kryediplomati i Kosovës ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm në avancimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, ndërsa homologun grek e ka ftuar që takimin e radhës ta zhvillojnë në Kosovë.

Lidhur me rëndësinë e këtij takimi, mundësitë që Greqia ta shqyrtojë njohjen e Kosovës dhe veprimet që duhet të ndërmarrë diplomacia kosovare për të bindur pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, për gazetën “Bota sot” ka folur Agim Aliçkaj, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Image
Agim Aliçkaj

Ai ka vlerësuar se, nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, Greqia paraqet mundësinë më të madhe për një ndryshim të qëndrimit. Sipas tij, përveç angazhimit të diplomacisë kosovare, në këtë proces mund të ndikojë edhe diplomacia amerikane, ndërsa Kosova duhet të dëshmojë forcimin e saj të brendshëm si shtet demokratik dhe i qëndrueshëm.

“Diplomacia aktive dhe forcimi i shtetit të Kosovës duhet të ecin paralelisht. Nuk mund të dihet me siguri se sa do të ndikojë kërkesa për njohjen e Kosovës, e parashtruar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë takimit me homologun e tij grek, George Gerapetritis, në vendimin e Greqisë për ta shqyrtuar këtë çështje. Megjithatë, një kërkesë e tillë ka rëndësi të veçantë dhe përbën një prioritet shtetëror të Kosovës”, ka deklaruar Aliçkaj.

Duke folur për mundësitë e njohjes, ai ka theksuar se Greqia është shteti nga i cili Kosova duhet të ketë pritshmëritë më të mëdha, duke marrë parasysh afrimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve gjatë viteve të fundit.

“Pritshmëritë për njohje nga Greqia, sipas vlerësimit tim, janë më të lartat. Marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta me Greqinë gjatë viteve të fundit, veçanërisht mbështetja greke për liberalizimin e vizave, janë shenja të mirëkuptimit të Athinës ndaj Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Aliçkajt, njohja eventuale nga Greqia do të kishte rëndësi përtej marrëdhënieve dypalëshe, pasi do të mund të ndikonte edhe në qëndrimet e katër shteteve të tjera të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Njohja eventuale e Kosovës nga Greqia do të kishte rëndësi të madhe diplomatike dhe do t’i nxiste edhe shtetet e tjera mosnjohëse që të ndërmerrnin të njëjtin hap. Për ta bindur Greqinë që të marrë një vendim të tillë, mund dhe duhet të shfrytëzohet edhe ndikimi i diplomacisë amerikane dhe i anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Aliçkaj.

Duke folur për arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në vazhdimin e mosnjohjes së Kosovës, drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka përmendur interesat e shteteve mosnjohëse dhe marrëdhëniet e tyre me Serbinë.

Ai thekson se Beogradi ka ushtruar vazhdimisht ndikim diplomatik te këto shtete, duke kërkuar që ato të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Një nga arsyet kryesore të mosnjohjes, e përbashkët për Greqinë dhe shtetet e tjera mosnjohëse, lidhet me interesat dhe marrëdhëniet e tyre me Serbinë, me qëndrimin e ngurtë të këtij shteti ndaj pavarësisë së Kosovës dhe me kërkesat e vazhdueshme të Beogradit që ato të mos e njohin Kosovën”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Aliçkaj ka vlerësuar se ndryshimet në qeverisjen e Serbisë mund të krijojnë hapësirë për një qasje tjetër, ndonëse, sipas tij, deri më tani nuk ka shenja se fituesit e zgjedhjeve do ta ndryshojnë politikën ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur edhe mosmarrëveshjet e Greqisë me Turqinë lidhur me çështjen e Qipros, si një prej faktorëve që mund të ndikojnë në qëndrimin e Athinës. Megjithatë, ka theksuar se rasti i Kosovës ka specifikat e veta historike, politike dhe juridike dhe nuk duhet të barazohet me çështje të tjera territoriale.

“Greqia ka mosmarrëveshje me Turqinë lidhur me çështjen e Qipros, ndonëse rasti i Kosovës është krejtësisht i ndryshëm. Kosova, për shkak të rrethanave të saj specifike historike, politike dhe juridike, është trajtuar nga shumë shtete dhe faktorë ndërkombëtarë si rast sui generis, i cili nuk përbën precedent të përgjithshëm për ndryshimin e kufijve të shteteve të tjera mbi baza etnike”, ka theksuar Aliçkaj.

Në këtë drejtim, ai ka kërkuar që diplomacia kosovare ta përdorë vazhdimisht këtë argument në komunikimet me përfaqësuesit e Greqisë dhe të shteteve të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Një pjesë të përgjegjësisë për situatën aktuale diplomatike, Aliçkaj ia ka atribuuar edhe politikës së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për të cilën ka thënë se është ndikuar nga qarqe proserbe.

Ai ka përmendur ish-përfaqësuesit e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, duke vlerësuar se procesi i dialogut është shfrytëzuar për interesa që synonin largimin e Serbisë nga orbita ruse.

Sipas tij, një nga argumentet e përdorura për të ushtruar presion ndaj Kosovës dhe për të justifikuar vazhdimin e mosnjohjes ka qenë çështja e të drejtave të pakicës serbe.

“Një nga argumentet kryesore që, sipas mendimit tim, është përdorur për të ushtruar presion ndaj Kosovës dhe për t’ia nënshtruar atë objektivave të kësaj politike, si dhe për të justifikuar vazhdimin e mosnjohjes, ka qenë çështja e pakicës serbe dhe pretendimi për mungesën e të drejtave të saj kombëtare”, ka deklaruar ai.

Aliçkaj ka konsideruar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë për t’i demantuar pretendimet e Serbisë përmes fakteve dhe dëshmive konkrete. Sipas tij, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverisë, por edhe e opozitës dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Në këtë kontekst, ai ka propozuar krijimin e komisioneve të përbashkëta hulumtuese dhe mbikëqyrëse me përfaqësues të shteteve demokratike, përfshirë edhe Greqinë, të cilat do të mund të vlerësonin nga afër gjendjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.

“Do të ishte e dobishme që Kosova të ndërmerrte nismën për krijimin e komisioneve të përbashkëta hulumtuese dhe mbikëqyrëse me përfaqësues të shteteve demokratike, përfshirë edhe Greqinë. Këto komisione do të mund të zbrisnin në terren për të parë nga afër realitetin dhe për të krahasuar të drejtat që gëzon pakica serbe në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak”, ka propozuar ai.

Përtej angazhimit diplomatik dhe kërkesave për njohje, Aliçkaj ka theksuar se Kosova duhet të dëshmojë përmes rezultateve konkrete se është shtet funksional, demokratik dhe i qëndrueshëm.

Ai ka vlerësuar se bllokadat institucionale duhet të marrin fund, ndërsa përparim duhet të ketë në sektorët kryesorë të zhvillimit të vendit, përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe mirëqenien sociale.

“Dhe, mbi të gjitha, Kosova duhet të dëshmojë se është shtet i qëndrueshëm, demokratik dhe i së drejtës. Bllokadat institucionale, qoftë nga opozita apo nga kushdo tjetër, duhet t’i përkasin përgjithmonë së kaluarës. Mbrojtja dhe siguria, ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe mirëqenia sociale duhet të përmirësohen dukshëm”, ka deklaruar ai.

Duke folur për punën e Qeverisë Kurti, Aliçkaj ka vlerësuar se gjatë mandatit të kaluar janë shënuar arritje në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, pavarësisht kritikave dhe presioneve ndërkombëtare.

Megjithatë, sipas tij, mandati aktual duhet të karakterizohet nga rezultate të prekshme në zhvillimin e brendshëm dhe forcimin e gjithanshëm të shtetit.

“Këto janë parakushte të domosdoshme që do t’ia mundësonin diplomacisë së Kosovës të kërkonte, me argumente të fuqishme, fakte të pakontestueshme dhe vetëbesim, njohjen nga Greqia dhe katër shtetet e tjera mosnjohëse të Bashkimit Evropian, duke i hapur kështu rrugë edhe integrimit të Kosovës në BE”, ka theksuar ai.

Si shembull të veprimeve që, sipas tij, kanë dëshmuar vendosmërinë e institucioneve të Kosovës përballë faktorit ndërkombëtar, Aliçkaj ka përmendur ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër.

Ai ka vlerësuar se ky veprim ka dëshmuar se mbajtja e mbyllur e urës së vjetër për qarkullimin e automjeteve, e cila simbolizonte ndarjen e Mitrovicës, ishte e panevojshme.

Në përfundim, Aliçkaj ka theksuar se forcimi i shtetit dhe diplomacia e vendosur janë rruga për ta bërë gjithnjë e më të pajustifikueshme vazhdimin e politikës së mosnjohjes ndaj Kosovës.

“Në të njëjtën mënyrë, me punë të mençur, të palodhshme dhe me përkushtim në zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, vazhdimi i politikës së mosnjohjes nga Greqia dhe katër shtetet e tjera të Bashkimit Evropian do të bëhej gjithnjë e më i pakuptimtë dhe i pajustifikueshëm. Në këtë mënyrë do të mbylleshin gradualisht edhe rrugët e agresionit serb ndaj Kosovës dhe të destabilizimit të vazhdueshëm të Ballkanit”, ka thënë ai.

Aliçkaj e ka mbyllur prononcimin me një mesazh të qartë për Serbinë, duke ritheksuar se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk janë të negociueshme.

“Serbia duhet të mbushet mend dhe ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se: Kosova është shtet i lirë, sovran dhe i pavarur dhe do të mbetet i tillë për sa të jetë jeta!”, ka përfunduar Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat