Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, ish-ushtaraku Hoxha zbulon rrezikun që sheh për Kosovën

Politika

Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, ish-ushtaraku Hoxha zbulon rrezikun që sheh për Kosovën

Nga: A.SH Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 15:57
Muzikantin Marko Hatlak

Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, ka nxitur reagime të shumta.

Lidhur me këtë rast, Komisioni Evropian ka reaguar edhe përmes një përgjigjeje për “Bota sot”, duke sqaruar se kënga ishte përzgjedhur nga vetë grupi muzikor dhe se zgjedhja e saj nuk ishte dakorduar me Komisionin.

Institucioni ka shprehur keqardhje për këtë përzgjedhje, duke theksuar se interpretimi nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian dhe as të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

Ish-ushtaraku Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia vazhdon përpjekjet për ta kundërshtuar shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, përmes ndikimit politik, diplomatik, ekonomik dhe informativ.

Sipas tij, Serbia ka aleatë dhe mbështetës në qarqe të ndryshme politike brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova nuk ka arritur të krijojë lidhje të ngjashme.

Hoxha ka rikujtuar gjithashtu politikën represive të Serbisë gjatë kohës së Millosheviqit, duke theksuar se përpjekjet e saj kundër Kosovës kanë vazhduar edhe pas vitit 1999.

“Unë mendoj se Serbia, njësoj si Rusia, ka aleatë dhe mbështetës në qarqe të ndryshme politike brenda Bashkimit Evropian. Madje, Serbia duket se ka krijuar dhe ruan lidhje të shumta tradicionale në sferat politike, diplomatike, kulturore dhe sportive me shtete dhe qarqe të ndryshme evropiane, shumë më të afërta sesa ato që ka Kosova me këto qarqe.

Image
Hafir Hoxha

Ne kemi pasur fatin historik që politika nacionaliste dhe shoviniste e Serbisë, gjatë kohës së Millosheviqit, të dilte hapur në sipërfaqe me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Zhvillimet në Slloveni dhe, sidomos, në Kroaci, dëshmuan se paralajmërimet e shqiptarëve të Kosovës për politikën represive, diskriminuese dhe shoviniste të Serbisë nuk ishin pa bazë. Për shumë vite, zëri ynë nuk ishte dëgjuar dhe as kuptuar sa duhej në opinionin ndërkombëtar.

Pas vitit 1999, kur Serbia u detyrua të tërhiqej nga Kosova, ajo nuk i ndërpreu përpjekjet e saj për ta kundërshtuar shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Përkundrazi, përveç angazhimeve diplomatike, politike, ekonomike, informative dhe ushtarake, Serbia vazhdoi të përdorë edhe forma të tjera të ndikimit” – tha ai për gazetën.

Ai ka theksuar se Kosova duhet të kërkojë llogaridhënie institucionale nga Bashkimi Evropian për përzgjedhjen e këngës, duke kërkuar sqarime se kush e propozoi dhe miratoi atë, si dhe çfarë masash do të ndërmerren për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.

Në fund, Hoxha ka nënvizuar se Kosova nuk duhet të mjaftohet vetëm me deklarata keqardhjeje, por të kërkojë përgjegjësi dhe trajtim të barabartë, duke theksuar se afirmimi ndërkombëtar i vendit nuk zhvillohet vetëm në politikë e diplomaci, por edhe në kulturë, sport dhe informim.

“Rasti i fundit në Bruksel, ku një grup muzikor slloven interpretoi një këngë nacionaliste serbe me përmbajtje që lidhet me pretendimet territoriale ndaj Kosovës, duhet parë edhe në këtë kontekst.

Serbisë, me sa duket, nuk i është dashur shumë përpjekje që të arrijë deri te një grup muzikor slloven për interpretimin e kësaj kënge. Në Slloveni ka edhe grupe muzikore serbe, por përzgjedhja e një grupi slloven në një aktivitet të organizuar në kuadër të BE-së i jep kësaj ngjarjeje një dimension tjetër simbolik dhe politik.

Nuk po pretendoj se kemi të bëjmë me ndonjë organizim të drejtpërdrejtë nga Serbia, sepse për këtë duhen prova. Por është e pamohueshme se Serbia ka ruajtur tradicionalisht marrëdhënie të afërta kulturore, sportive dhe diplomatike me shumë qarqe evropiane. Këto lidhje krijojnë hapësira ndikimi që Kosova nuk duhet t’i nënvlerësojë.

Kultura dhe arti nuk janë domosdoshmërisht jashtë politikës. Në rrethana të caktuara, ato mund të shndërrohen në mjete të fuqishme për përcjelljen e mesazheve politike dhe ndikimin në opinionin publik. Një këngë e tillë mund të interpretohet në Serbi pa shkaktuar habi, por kur interpretohet në një aktivitet të Bashkimit Evropian, ku diskutohet zgjerimi dhe e ardhmja evropiane e rajonit, mesazhi merr tjetër peshë.

Prandaj, Kosova duhet të kërkojë llogaridhënie institucionale nga Bashkimi Evropian:

* Kush e propozoi dhe kush e miratoi këtë këngë në program?

* A është vlerësuar përmbajtja dhe konteksti i saj historik e politik?

* Si është e mundur që në një aktivitet të BE-së të përcillet një mesazh i tillë, pa u marrë parasysh ndjeshmëria dhe realiteti politik në Kosovë?

* Çfarë masash do të ndërmerren që provokime të tilla të mos përsëriten?

Kosova nuk duhet të mjaftohet vetëm me keqardhje dhe deklarata diplomatike. Duhet të kërkojë përgjegjësi dhe standarde të njëjta për të gjithë.

Nuk kërkojmë privilegj, por respekt. Nuk kërkojmë censurë të artit, por përgjegjësi institucionale kur arti përdoret për të përcjellë mesazhe nacionaliste dhe pretendime politike ndaj një shteti sovran.

Kosova duhet të kuptojë se beteja për afirmimin e saj ndërkombëtar nuk zhvillohet vetëm në diplomaci dhe politikë, por edhe në kulturë, sport, informim dhe në çdo hapësirë ku krijohet opinioni publik ndërkombëtar” – deklaroi ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat