Interpretimi i melodisë së këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, teksti i së cilës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ka nxitur reagime të shumta dhe kritika nga qarqe të ndryshme.
Ngjarja ka hapur debat për përgjegjësinë e institucioneve evropiane në përzgjedhjen e programit muzikor, por edhe për ndjeshmërinë ndaj historisë së Kosovës dhe mesazheve politike që përcjellin simbole të tilla.
Lidhur me këtë rast, komisionerja evropiane Marta Kos ka shprehur keqardhje, ndërsa Komisioni Evropian ka deklaruar se kënga ishte përzgjedhur nga vetë muzikantët dhe se nuk kishte marrë miratimin e institucionit. Megjithatë, ky arsyetim nuk i ka shuar pikëpyetjet rreth përgjegjësisë organizative dhe mbikëqyrjes së aktivitetit.
Për këtë çështje kanë reaguar edhe politikanë, analistë dhe ekspertë nga Kosova, të cilët e kanë cilësuar të papranueshme paraqitjen e një kënge me përmbajtje nacionaliste dhe pretendime territoriale në një aktivitet që synon të promovojë vlerat evropiane, bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë.
Dashevci: Mesazhi që përcjell një skenë e tillë në zemër të Brukselit është shqetësues
Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
Dashevci e ka cilësuar skandaloz interpretimin e këngës nacionaliste serbe në Bruksel, duke thënë se një veprim i tillë cenon kredibilitetin e BE-së dhe qasjen e saj ndaj Kosovës. Ai ka kërkuar që Brukseli të distancohet publikisht dhe të sqarojë se kush e miratoi përfshirjen e kësaj kënge në program.
“Interpretimi i këngës nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel mendoj që është një skandal, sepse i përket një çështjeje politike, por edhe të sigurisë, dhe prek drejtpërdrejt kredibilitetin e Bashkimit Evropian ose qasjen e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë. Dhe kjo narrativë historike dhe politike përdoret për të justifikuar politikat gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës.
Mesazhi që përcjell një skenë e tillë në zemër të Brukselit është shqetësues, pasi pretendimet territoriale serbe gjejnë hapësirë edhe në aktivitetet evropiane, dhe kjo është e papranueshme, sepse nuk i kontribuon stabilitetit.
Mendoj që BE duhet të distancohet publikisht dhe të japë shpjegime se kush e ka miratuar një repertor të tillë të papranueshëm”, nënvizoi Dashevci.
Ramabaja: Edhe një rrethanë tjetër e bën incidentin më të ndjeshëm, Kosova nuk ishte e ftuar në këtë edicion të Forumit të Zgjerimit
Analisti politik Sadri Ramabaja, në një përgjigje për “Bota sot”, ka kritikuar interpretimin e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin e organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të BE-së, duke theksuar se ajo nuk mund të trajtohet si folklor i zakonshëm.
“Në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, në një koncert të konceptuar nën moton ‘Meloditë e unitetit’, u interpretua melodia e këngës serbe ‘Oj Kosovo, Kosovo’. Një këngë e vitit 1989, e lindur në atmosferën e ngritjes së nacionalizmit serb dhe e lidhur me mitologjizimin politik të Kosovës, përmban në tekstin e saj pretendime të drejtpërdrejta territoriale ndaj vendit tonë.
Paradoksi është i dukshëm: në një aktivitet që synon të promovojë unitetin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e integrimit, përzgjidhet një simbol muzikor që bart mesazhe të një narrative politike të papajtueshme me parimin e fqinjësisë së mirë dhe me respektimin e sovranitetit të shteteve.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë këngë të zakonshme folklorike, as për një interpretim neutral të trashëgimisë muzikore serbe. Këtu kemi të bëjmë me një këngë të prodhuar në një kontekst të caktuar historik, kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po përshkallëzonte politikën e nacionalizmit shtetëror dhe po përgatitej të shkatërronte autonominë e Kosovës. Për këtë arsye, simbolika e saj nuk mund të shkëputet lehtësisht nga konteksti në të cilin u krijua dhe nga mesazhi që përcjell”, shkruan Ramabaja.
Ai ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e Komisionit Evropian për përzgjedhjen e këngës, duke theksuar se aktivitetet zyrtare kalojnë nëpër procedura organizative dhe mbikëqyrëse.
“Është e vështirë të besohet se në një institucion si Komisioni Evropian, ku çdo aktivitet zyrtar kalon nëpër procedura organizative, protokollare dhe komunikimi, repertori muzikor mund të trajtohet si një element krejtësisht jashtë përgjegjësisë institucionale.
Në praktikën e organizimit të aktiviteteve të Komisionit, përgjegjësia administrative për organizimin, programin dhe mbikëqyrjen e shërbimeve nuk zhduket vetëm pse një pjesë e punës i besohet një kontraktori të jashtëm. Për më tepër, dokumentet e vetë institucioneve evropiane parashohin përcaktimin e përgjegjësive dhe monitorimin e fazave të realizimit të aktiviteteve. Prandaj, përgjigjja se ‘muzikantët e kanë zgjedhur këngën’ nuk është përgjigje e mjaftueshme për pyetjen se si ajo u përfshi në programin zyrtar”, tha ai.
Ramabaja ka kërkuar transparencë nga Komisioni Evropian për mënyrën e përzgjedhjes së këngës.
“Nuk kemi, deri më tani, prova të mjaftueshme për të pohuar se përzgjedhja ishte rezultat i një vendimi të qëllimshëm politik. Por as nuk mund të mbyllet çështja me një shpjegim administrativ, pa u bërë transparente procedura e përzgjedhjes.
Pikërisht këtu duhet të përqendrohet kërkesa për sqarim: të publikohet programi i plotë muzikor, emrat e përgjegjësve për përzgjedhjen, kriteret e përdorura, komunikimi ndërmjet organizatorëve dhe interpretuesve, si dhe procedura e miratimit përfundimtar.
Nëse kemi të bëjmë me një gabim të paqëllimshëm, transparenca institucionale duhet ta bëjë të mundur identifikimin e tij dhe nxjerrjen e përgjegjësive përkatëse. Nëse, përkundrazi, rezulton se përzgjedhja është bërë me vetëdije për ngarkesën politike të këngës, atëherë çështja merr një dimension krejt tjetër dhe kërkon përgjigje politike shumë më serioze.
Në të dyja rastet, përgjegjësia nuk mund të zhvendoset automatikisht te interpretuesit”, u shpreh më tej Ramabaja.
Brukseli duhet ta kuptojë kontekstin historik të Kosovës
Në përfundim, Ramabaja ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të tregojë ndjeshmëri ndaj kontekstit historik të Kosovës.
“Bashkimi Evropian nuk është një hapësirë neutrale ndaj historisë së vet dhe as ndaj historisë së vendeve që synojnë integrimin. Procesi i zgjerimit mbështetet në kritere politike, në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, në fqinjësi të mirë dhe në pajtimin rajonal. Por pajtimi nuk ndërtohet duke relativizuar përvojat historike të viktimave dhe as duke e trajtuar nacionalizmin territorial si një element të zakonshëm të shkëmbimit kulturor.
Kosova nuk kërkon që muzika serbe të përjashtohet nga skenat evropiane. Përkundrazi, trashëgimia kulturore e të gjitha komuniteteve duhet të ketë vend në hapësirën evropiane. Por ka një dallim thelbësor ndërmjet promovimit të kulturës dhe normalizimit të simboleve që bartin pretendime politike ndaj territorit të një shteti tjetër. Ky dallim duhet të jetë veçanërisht i qartë në një aktivitet të Komisionit Evropian, institucioni që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për procesin e zgjerimit.
Edhe një rrethanë tjetër e bën incidentin më të ndjeshëm: Kosova nuk ishte e ftuar në këtë edicion të Forumit të Zgjerimit, ndërsa një këngë me pretendime territoriale ndaj saj u përfshi në koncertin hapës. Kjo nuk provon ndonjë strategji të qëllimshme përjashtimi, por krijon një kontrast politik që Brukseli duhet ta marrë seriozisht”, përfundoi ai.