Vrasja e Arlinda Zekajt, ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.
Për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar, i cili ka nisur intervistimin e zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe përfaqësuesve të institucioneve komunale.
Gjatë intervistimeve janë evidentuar disa çështje që lidhen me mënyrën e trajtimit të rastit. Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar se në rastin e Arlinda Zekajt kishte munguar plani individual, ndërsa zyrtari Shpat Morina ka konfirmuar se djali i viktimës ishte intervistuar në stacionin policor pa praninë e psikologut.
“Psikolog nuk ka pasur kur është intervistuar fëmija në stacion të Policisë në Vitomiricë”, ka deklaruar Morina gjatë intervistimit.
Para Komisionit kanë dëshmuar edhe drejtoresha e QPS-së, Shpresa Lukaj, menaxherja e rastit, Toska Gega, si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Gjatë dëshmisë së saj, Lukaj ka folur edhe për ankesën që Arlinda Zekaj kishte adresuar ndaj një zyrtari të përfshirë në trajtimin e rastit të saj, duke bërë të ditur se ankesa ishte përcjellë përmes avokates.
“Nuk jam takuar asnjëherë direkt me të ndjerën. Ajo iu është drejtuar drejtoreshës së drejtoratit, për shkak se e ka njohur, e kishte bashkëvendase. Përmes avokates e kemi pasur një ankesë nga Arlinda për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës dhe ajo ka menduar se iu ka bërë trajtim i njëanshëm. E kemi pa të paarsyeshme atë ankesë, sepse ka qenë e pabazë”, ka thënë Lukaj.
Rexhepi për rastin e Arlinda Zekajt: Femicidi është problem shoqëror dhe institucional, përgjegjësia duhet të ekzistojë në të gjitha nivelet
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, Emilija Rexhepi, ka ngritur shqetësime për mënyrën e trajtimit të rastit nga institucionet përgjegjëse, duke vënë në pah mangësitë e mundshme profesionale në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.
Në një prononcim për “Bota sot”, Rexhepi ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në intervistimin e punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë, si dhe të kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.
Ajo e ka cilësuar rastin e Arlinda Zekajt si jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe të dhimbshëm, duke theksuar se hetimit duhet t’i qaset me seriozitet dhe përgjegjësi, pa e shfrytëzuar atë për promovim personal.
“Si anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, gjatë kësaj jave kam marrë pjesë në intervistimin e punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Pejës, si dhe të kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri.
Për mua, si grua dhe nënë, kjo është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme dhe e dhimbshme. Nuk jam ndër ata deputetë që një rast kaq të rëndë vrasjeje e shfrytëzojnë për promovim personal mediatik apo për paraqitje televizive. Konsideroj se këtij rasti duhet t’i qasemi me seriozitet, përgjegjësi dhe respekt të veçantë ndaj viktimës dhe familjes së saj”, ka deklaruar Rexhepi.
Duke folur për shkaqet që ndikojnë në përhapjen e fenomenit të femicidit, Rexhepi ka theksuar se ky problem ka rrënjë të thella shoqërore, duke filluar nga familja dhe sistemi arsimor e deri te tregu i punës, ku, sipas saj, vazhdojnë të jenë të pranishme stereotipet gjinore.
“Femicidi është një problem i madh shoqëror dhe institucional.
Problemi shoqëror fillon që në familje, ku fëmijëve meshkuj shpesh u jepen privilegje të caktuara në krahasim me vajzat. Këto modele të sjelljes vazhdojnë edhe në sistemin arsimor, e më vonë edhe gjatë punësimit, ku ende ekzistojnë stereotipe se disa profesione apo pozita nuk mund ose nuk duhet të ushtrohen nga gratë.
Fatkeqësisht, një mentalitet i tillë bartet edhe në marrëdhëniet bashkëshortore, ku disa burra i konsiderojnë bashkëshortet e tyre si pronë private dhe mendojnë se kanë të drejtë të vendosin për jetën e tyre. Në rastet më të rënda, qëndrime të tilla dhe sjelljet e dhunshme çojnë në pasoja tragjike, përfshirë edhe vrasjen e grave”, ka theksuar ajo.
Sa i përket përgjegjësisë institucionale, Rexhepi ka shprehur shqetësimin për mungesën e profesionalizmit dhe mangësitë e mundshme në trajtimin e personave që kanë nevojë për mbrojtje.
Ajo ka thënë se, bazuar në intervistimet e deritanishme, ka krijuar përshtypjen se në Qendrën për Punë Sociale në Pejë ekzistojnë probleme serioze në qasjen profesionale ndaj rasteve të tilla.
“Bazuar në atë që kemi dëgjuar deri më tani gjatë intervistimit të punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë, kam krijuar përshtypjen se ekziston një problem serioz në qasjen profesionale ndaj rasteve të tilla.
Më shqetëson veçanërisht fakti që, sipas informacioneve që kemi dëgjuar, në mesin e të punësuarve mbizotërojnë juristët dhe ekonomistët. Shtrohet pyetja se si një institucion me një strukturë të tillë të personelit arrin të sigurojë ndihmën dhe mbështetjen e duhur sociale dhe psikologjike për personat që gjenden në rrethana të vështira jetësore.
Përshtypja ime paraprake është se që në fazën fillestare të trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt nga Qendra për Punë Sociale ka pasur tregues seriozë të një qasjeje joprofesionale. Megjithatë, përfundimet përfundimtare mund t’i nxjerrim vetëm pasi të intervistojmë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante dhe të analizojmë dokumentacionin e plotë”, ka deklaruar nënkryetarja e Kuvendit.
Nuk përjashtohet përgjegjësia politike nëse vërtetohen dështimet sistemike
E pyetur për kundërthëniet e mundshme në dëshmitë e zyrtarëve të intervistuar dhe përgjegjësitë konkrete institucionale, Rexhepi ka thënë se është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi procesi i intervistimeve është në vazhdim.
Ajo ka theksuar se Komisioni duhet të analizojë me kujdes të gjitha deklaratat, dokumentacionin dhe veprimet e institucioneve kompetente, në mënyrë që të përcaktohet se çfarë ka ndodhur dhe nëse përgjegjësitë janë ushtruar në përputhje me detyrimet institucionale.
“Në këtë fazë nuk do të dëshiroja të nxirrja përfundime të parakohshme lidhur me kundërthëniet e mundshme në dëshmitë e zyrtarëve të intervistuar.
Detyra jonë si anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar është të analizojmë me kujdes të gjitha deklaratat, dokumentacionin dhe veprimet e institucioneve kompetente, në mënyrë që të përcaktojmë se çfarë ka ndodhur realisht, kush ka pasur përgjegjësi dhe kompetenca të caktuara dhe nëse ato janë ushtruar siç duhet.
Intervistimet janë ende në vazhdim dhe përpara nesh janë edhe intervistimet me përfaqësues të institucioneve të tjera. Konsideroj se është ende herët të flasim për gjetje përfundimtare pa i shqyrtuar të gjitha faktet relevante”, ka theksuar Rexhepi.
Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se përgjegjësia duhet të kërkohet në të gjitha nivelet, nëse hetimi dëshmon se neglizhenca apo veprimet joprofesionale kanë ndikuar që Arlinda Zekaj të mos e merrte mbrojtjen e nevojshme.
“Konsideroj se përgjegjësia duhet të ekzistojë në të gjitha nivelet, nëse gjatë hetimit vërtetohet se mangësi të caktuara institucionale, neglizhenca apo veprimet joprofesionale kanë ndikuar që viktima të mos e marrë mbrojtjen e nevojshme.
Drejtuesit e institucioneve kanë përgjegjësi të veçantë për të siguruar punë profesionale nga të punësuarit, kuadro të përshtatshme profesionale dhe reagim në kohë në rastet e dhunës ndaj grave.
Nëse vërtetohet se ka pasur dështime sistemike, nuk duhet të përjashtohet as çështja e përgjegjësisë politike të drejtuesve kompetentë.
Megjithatë, nuk dëshiroj të akuzoj askënd paraprakisht dhe as të nxjerr përfundime para përfundimit të punës së komisionit”, ka deklaruar ajo.
Në përfundim, Rexhepi ka theksuar se pret që puna e Komisionit Hetimor të mos mbetet vetëm një procedurë institucionale, por të shërbejë për përcaktimin e përgjegjësive dhe eliminimin e mangësive që mund të kenë ndikuar në rastin e Arlinda Zekajt.
“Për mua, më e rëndësishmja është që ky hetim parlamentar të mos mbetet vetëm një procedurë tjetër institucionale, por të kontribuojë në përcaktimin e përgjegjësive, eliminimin e mangësive sistemike dhe krijimin e mekanizmave më efikas për mbrojtjen e grave.
Fatkeqësisht, Arlinda Zekajn nuk mund ta kthejmë në jetë, por kemi detyrim moral, shoqëror dhe institucional të bëjmë gjithçka që tragjedi të tilla të mos përsëriten më”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.
Baloku: Ka mospërputhje në deklaratat e zyrtarëve, nga fillimi deri te udhëheqja e komunës pati neglizhencë
Ndërkaq, anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjatë intervistimeve të deritanishme janë vërejtur mospërputhje në deklaratat e zyrtarëve komunalë. Sipas tij, këto mospërputhje ngrenë shqetësime për mënyrën se si janë përmbushur obligimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt.
Ai ka bërë të ditur se Komisioni ka intervistuar përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale, Zyrës për Barazi Gjinore dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, si dhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
“Për momentin jemi në fazën e zhvillimit të intervistave me dëshmitarë. Deri tani kemi përmbyllur intervistat me zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë. Po ashtu, me Zyrën për Barazi Gjinore pranë Komunës së Pejës. Drejtorinë për Mirëqenie Sociale si dje (të hënën) me kryetarin e komunës”, ka thënë Baloku.
Sa i përket afateve të punës së Komisionit, deputeti ka bërë të ditur se raporti i parë pritet të hartohet pas tre muajsh, ndërsa raporti përfundimtar pas gjashtë muajsh ose në përfundim të mandatit të Komisionit.
“Raportin e parë do ta bëjmë në krye të 3 muajve, ndërsa atë përfundimtar në krye të 6 muajve apo në fund të mandatit të Komisionit”, ka theksuar ai.
Duke folur për gjetjet e deritanishme, Baloku ka vlerësuar se intervistimet kanë nxjerrë në pah mospërputhje në deklaratat e zyrtarëve komunalë, të cilat, sipas tij, tregojnë për neglizhencë në përmbushjen e obligimeve institucionale, që nga trajtimi fillestar i rastit e deri te niveli drejtues i komunës.
“Deri tani në bazë të atyre intervistave që i kemi pasur të hapura para qytetarëve mund të them se vërehet se ka mospërputhje të deklaratave të zyrtarëve komunalë, që na bën të shohim që në start e deri në udhëheqje të komunës ka pasur një neglizhim të obligimeve të cilat i kanë marrë përsipër.
Megjithatë, në ecje besoj se edhe shumë elemente të tjera do të vijnë në shprehje dhe do të zbardhen edhe shumë veprime ose mosveprime të institucioneve”, ka përfunduar Baloku për “Bota sot”.