Kosova ka nisur një proces të ri për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas mosrealizimit të nismës së mëparshme. Kryeministri Albin Kurti dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë pajtuar që procesi të vazhdojë përmes një drafti të ri, me përfshirjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Më 19 nëntor, pas takimit me përfaqësuesit e PDK-së, u bë e ditur se palët janë pajtuar për vazhdimin e nismës, ndërsa kryeministri Kurti deklaroi më 23 nëntor se pritet që ekspertët ta përfundojnë draftin në ditët në vijim.
Nisma synon që ndryshimet e propozuara të kenë bazë më të qëndrueshme juridike dhe të jenë të zbatueshme në praktikë. Megjithatë, procesi ka ngritur pikëpyetje për transparencën, përmbajtjen e ndryshimeve dhe qëllimet politike që mund të qëndrojnë pas kësaj iniciative.
Për këtë çështje, juristi Blerim Burjani kritikon mënyrën se si po zhvillohet procesi, duke kërkuar më shumë transparencë dhe duke propozuar ndryshime konkrete në funksionimin e Dhomave të Specializuara. Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti e konsideron nismën e PDK-së si përpjekje për përfitime politike brenda vetë subjektit.
Burjani: Po punohet pa transparencë, ndër tavolina
Juristi Blerim Burjani, në një përgjigje për “Bota sot”, ka kritikuar mungesën e transparencës në procesin e ndryshimit të ligjit, duke theksuar se publiku nuk është informuar as për përbërjen e grupit strategjik dhe as për ekspertët që po marrin pjesë në hartimin e ndryshimeve.
Sipas tij, procesi po zhvillohet pa transparencë dhe pa një komunikim të qartë me qytetarët. Ai shpreh gjithashtu dyshime për seriozitetin e angazhimit politik të PDK-së në këtë nismë.
“Po punohet plotësisht pa transparencë, ndër tavolina. Aspak nuk ka sinqeritet në këtë çështje. Bëhet një grup strategjik, nuk dihen emrat e njerëzve, ndërsa ekspertët nuk dihen fare. Një Kuvend plotësisht jotransparent për publikun. PDK-ja është në pasiguri, nuk po dinë a po bëjnë mirë apo keq me këtë nismë. Në anën tjetër, bashkësisë ndërkombëtare i është bërë e papranueshme mënyra se si është trajtuar më herët kjo çështje. Tash po tentojnë bashkërisht të bëjnë një ligj me ekspertë ndërkombëtarë dhe me konsultime me BE-në”, ka deklaruar Burjani.
Ai vlerëson se, meqenëse një pjesë e madhe e procesit gjyqësor tashmë është zhvilluar, mundësitë për ndryshime thelbësore janë të kufizuara. Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë segmente të ligjit ku mund të ndërhyhet, veçanërisht sa i përket kompetencave të institucioneve gjyqësore dhe kontrollit të vendimeve.
“Puna kryesore është kryer nga Gjykata. Tash ka mbetur vetëm pala e pakënaqur të merret me këtë punë. Më mirë është që Kuvendi ta shuajë këtë ligj, pra atë aktual, sesa të ndryshojë diçka prej tij, sepse aty gjasat për të ndërtuar diçka të re në këtë stad janë të vogla, është vonë”, ka thënë ai.
Burjani propozon që kompetencat e Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese dhe Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara t’u kalojnë institucioneve përkatëse të Kosovës. Ai kërkon gjithashtu qartësimin e kritereve për pranimin dhe vlerësimin e provave, në mënyrë që të përcaktohet më saktë se cilat dëshmi mund të përdoren në proceset gjyqësore.
“Shumë vështirë është tash të ndryshohet në konstelacionin ekzistues, por mundësi gjithmonë ka. Për shembull, kompetencat e Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese dhe Ombudspersonit duhet t’u kalojnë institucioneve përkatëse në Kosovë. Pastaj duhet të qartësohet se çfarë është dëshmi akuzuese dhe dëshmi mbrojtëse, cilat prova duhet t’i plotësojnë kushtet për të qenë valide dhe cilat dëshmi mund të prezantohen në gjykatë”, ka deklaruar Burjani.
Ai kërkon gjithashtu riformulimin e ligjit në aspektin e shkallëve të gjykimit, duke propozuar që Dhomat e Specializuara të mbajnë kompetencat e shkallës së parë, ndërsa shqyrtimi i ankesave dhe kontrolli kushtetues t’u kalojnë institucioneve përkatëse të Kosovës.
“Shkalla e parë duhet të respektohet në nivelin e parë, përderisa korrigjuesi eventual i shkallës së parë të jetë Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese. Tri nivelet duhet të kalojnë te institucionet kosovare në Kosovë, pra Dhomat të kenë vetëm shkallën e parë, ndërsa të tjerat të kalojnë te Kosova”, ka theksuar ai.
Në fund, Burjani paralajmëron se ndërhyrjet politike në këtë proces mund të ndikojnë në profesionalizmin e vendimmarrjes, duke përsëritur kritikat për mungesën e transparencës nga subjektet politike dhe institucionet e përfshira.
Mehmeti: Kjo çështje duket më shumë si përpjekje për përfitime politike brenda PDK-së
Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti e sheh iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara si një manovër politike të PDK-së, e cila, sipas tij, nuk synon domosdoshmërisht të sjellë ndryshime konkrete në çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ai vlerëson se disa deputetë të kësaj partie po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë temë për të fituar mbështetje politike dhe për të forcuar pozitat e tyre brenda subjektit, në një kohë kur, sipas tij, ekzistojnë përplasje mes grupacioneve për kontrollin e partisë.
“Ndryshimet në projektligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja, janë thjesht një manovër politike dhe konsum politik nga disa deputetë të kësaj partie, të cilët synojnë të fitojnë poena për të fuqizuar pozitat e tyre brenda subjektit, në një kohë kur tri grupacionet brenda PDK-së po luftojnë për të marrë kontrollin.
Pra, nuk duket se bëhet fjalë për interesim të sinqertë për Hashim Thaçin apo të tjerët, por më shumë për interesa personale dhe përpjekje për të përfituar politikisht”, ka deklaruar Mehmeti.
Ai kritikon edhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se nuk sheh ndonjë angazhim të mirëfilltë për këtë çështje, por më shumë përpjekje për ta shfrytëzuar politikisht iniciativën e PDK-së.
Sipas Mehmetit, edhe në rast se ndryshimet arrijnë të miratohen, mbetet mundësia që ato të përballen me kundërshtime juridike dhe të mos kalojnë kontrollin kushtetues.
“Ndërkohë, as nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk vërehet ndonjë seriozitet i madh në këtë drejtim, përveç përpjekjeve për ta shfrytëzuar politikisht atë që e konsiderojnë hipokrizi të PDK-së.
Në realitet, nuk duket se ka diçka konkrete dhe serioze në këtë iniciativë. Edhe nëse hipotetikisht miratohen ndryshimet, ato mund të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese në Dhomat e Specializuara. Prandaj, kjo çështje duket më shumë si një përpjekje për përfitime politike brenda PDK-së sesa si një iniciativë me synime reale për të sjellë ndryshime”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.