Protestat e fundit në Shqipëri kanë dëshmuar pakënaqësinë e qytetarëve ndaj klasës politike, por edhe vështirësinë e ndërtimit të një alternative të re. Analisti Vendim Demaj vlerëson se ndërhyrjet e partive kanë dëmtuar “Revolucionin e Flamingove” dhe protestën studentore, ndërsa thekson se qytetarët nuk kanë më besim te politika ekzistuese, përcjell “Bota sot”.
Sipas tij, që nga 31 maji, Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash, të cilat ai i cilëson ndër më të fuqishmet që nga rënia e komunizmit. Një nga momentet më të rëndësishme të këtij mobilizimi ishte ajo që u pagëzua si “Revolucioni i Flamingove”.
Demaj thekson se në këtë lëvizje u përfshinë jo vetëm qytetarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe shqiptarë nga diaspora. Ai thotë se protesta nuk ishte rezultat i ndonjë organizimi partiak, por një revoltë spontane qytetare, e nxitur nga pakënaqësia për tjetërsimin e pronës publike dhe private.
“Karakteri i saj apolitik dhe spontan i dha asaj një përmasë të jashtëzakonshme dhe një legjitimitet që politika e kishte humbur prej kohësh”, shprehet Demaj për “Bota sot”.
Megjithatë, sipas tij, me kalimin e ditëve në protestë filluan të depërtonin grupe dhe interesa të ndryshme politike, biznesore, madje edhe përfaqësues të besimeve fetare. Këto ndërhyrje, vlerëson ai, ndikuan në dobësimin e karakterit fillestar qytetar të lëvizjes dhe bënë që një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve të distancoheshin prej saj.
Analisti Vendim DemajDemaj thotë se protesta nuk u shua, por vazhdoi edhe gjatë muajve të verës, ndërsa një moment i ri mobilizimi erdhi me përfshirjen e studentëve në Tiranë.
Ai vëren se protesta studentore mori një drejtim të ndryshëm nga “Revolucioni i Flamingove”, duke u karakterizuar edhe nga përplasje, akte dhune, djegie dhe shkatërrime. Sipas tij, kjo dinamikë u ndikua edhe nga mungesa e përgjigjes së qeverisë ndaj kërkesave të lëvizjes së mëparshme qytetare.
“Për herë të parë që prej protestave kundër armëve kimike, regjimi Ramadurian përjetoi një tronditje të fortë dhe ndjeu realisht kërcënimin e një revolte popullore”, deklaron Demaj.
Ai shton se, me rritjen e vrullit të protestës studentore, “Revolucioni i Flamingove” gradualisht u përfshi në lëvizjen e re. Megjithatë, edhe kjo protestë u përball me të njëjtin problem: ndërhyrjen e politikës dhe përpjekjet për ta marrë nën kontroll një revoltë që kishte lindur jashtë strukturave partiake.
Duke iu referuar përvojës së dy dekadave të fundit në Shqipëri, Demaj thotë se përfshirja e drejtpërdrejtë e politikës në protestat qytetare ka ndikuar në dobësimin dhe dështimin e tyre. Sipas tij, një nga arsyet kryesore është humbja e besimit të qytetarëve te forcat politike ekzistuese.
“Qytetarët kanë humbur besimin te forcat politike ekzistuese dhe nuk janë më të gatshëm t’u besojnë lëvizjeve që shndërrohen në instrumente të interesave partiake”, thekson ai.
Sipas analistit, në protestat e fundit janë vërejtur ndërhyrje nga dy drejtime të ndryshme. Nga njëra anë, ai përmend angazhimin e aparatit shtetëror përmes propagandës, e cila, sipas tij, synonte diskreditimin dhe ndëshkimin e protestuesve. Nga ana tjetër, thotë se edhe opozita, e rrezikuar nga humbja e rolit të saj politik, aktivizoi grupet e veta dhe u përpoq të paraqitej si organizatore dhe përfaqësuese e protestës.
“Fatkeqësisht, këto dy ndërhyrje, nga drejtime të kundërta, prodhuan të njëjtin rezultat: ‘vranë’ edhe një tjetër protestë që kishte lindur si shpresë për ndryshim”, shprehet Demaj.
Ai vë në pah edhe dallimet mes dy lëvizjeve. Sipas tij, gjatë “Revolucionit të Flamingove”, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Tiranës u identifikuan me protestën, pasi e panë atë si kauzë të tyre. Ndërsa në protestën studentore, disa episode të dhunshme dhe shkatërrimet e shkaktuara nga një pakicë radikale krijuan distancë mes protestuesve dhe qytetarëve.
Demaj sqaron se kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk i mbështesnin kërkesat e studentëve, por se mënyra e zhvillimit të disa episodeve ndikoi në perceptimin publik për protestën.
“Një kauzë mund të jetë e drejtë, por mënyra se si artikulohet dhe përfaqësohet përcakton në një masë të madhe edhe suksesin e saj”, thotë ai.
Sipas analistit, një nga gabimet kryesore strategjike të të dyja lëvizjeve ishte mungesa e një strukture përfaqësuese, e cila do të mund të artikulonte kërkesat e protestuesve, të fliste në emër të tyre dhe të ndërtonte një platformë të qartë alternative.
“Një revoltë popullore nuk mund të mbështetet pafundësisht vetëm te zemërimi, spontaniteti dhe mobilizimi në rrugë. Ajo ka nevojë për përfaqësim, organizim, vizion dhe një alternativë konkrete”, thekson Demaj.
Ai vlerëson se të dyja lëvizjet humbën kohë në krijimin e një përfaqësimi legjitim dhe të një strukture të besueshme, çka mund të ndikojë në zhvillimin e tyre të mëtejshëm.
Në fund, Demaj ndalet te zhvillimet e javëve të fundit brenda protestës studentore, duke vënë në dukje se, krahas mobilizimit në rrugë, duket se po punohet edhe për krijimin e një strukture organizative.
Sipas tij, këto zhvillime krijojnë përshtypjen se synimi përfundimtar mund të jetë shndërrimi i protestës në një lëvizje politike, e cila në zgjedhjet e ardhshme do të paraqitej si alternativë ndaj klasës politike ekzistuese.
Ai e krahason këtë mundësi me zhvillimet në Serbi, ku lëvizja studentore dhe mobilizimi qytetar u orientuan gradualisht drejt një projekti me ambicie politike.
Megjithatë, Demaj thekson se mbetet të shihet nëse lëvizja në Shqipëri do të arrijë ta ruajë identitetin qytetar, të shmangë kapjen nga interesat partiake dhe të krijojë një përfaqësim që gëzon besimin e qytetarëve.
“Shqiptarët janë të gatshëm të ngrihen kundër padrejtësisë, por nuk janë më të gatshëm t’ia dorëzojnë revoltën e tyre një politike të cilës nuk i besojnë. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe e çdo lëvizjeje që pretendon të sjellë ndryshimin: të mos bëhet ajo që qytetarët kanë dalë të luftojnë”, përfundon Demaj.