Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane për sigurinë, Berisha: Nuk ka kërcënim konkret ndaj Kosovës

Politika

Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane për sigurinë, Berisha: Nuk ka kërcënim konkret ndaj Kosovës

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 20:30
Fotoilustruese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka publikuar një paralajmërim për sigurinë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë sezonit të festave në Evropë.

Në njoftimin e publikuar më 16 nëntor, Ambasada ka tërhequr vëmendjen për rrezikun e mundshëm nga sulmet terroriste, përfshirë ato të kryera nga individë të vetëm. Paralajmërimi përmend tubimet e mëdha, tregjet festive, qendrat tregtare, nyjet e transportit dhe objektet fetare si vende ku qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar.

Lidhur me këtë paralajmërim, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota Sot”, ka vlerësuar se njoftimi i Ambasadës Amerikane duhet të merret seriozisht, por pa shkaktuar panik te qytetarët.

Ai ka theksuar se paralajmërimi nuk nënkupton se ekziston ndonjë kërcënim konkret ndaj Kosovës, por se bëhet fjalë për një njoftim të përgjithshëm për rreziqet e mundshme gjatë sezonit të festave.

Image
Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha

“Personalisht konsideroj se paralajmërimi i Ambasadës Amerikane duhet të merret seriozisht, por pa krijuar panik te qytetarët. Nga përmbajtja e tij nuk rezulton se kemi të bëjmë me ndonjë kërcënim konkret ndaj Kosovës, por më tepër me një paralajmërim të përgjithshëm për rreziqet e mundshme gjatë sezonit të festave”, ka deklaruar Berisha.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se rreziku nga terrorizmi dhe veprimet e individëve të vetëm nuk duhet të nënvlerësohet, pasi paraqesin sfidë për sigurinë në të gjitha vendet.

“Megjithatë, nuk duhet të nënvlerësohet rreziku nga terrorizmi dhe veprimet e individëve të vetëm, pasi këto paraqesin sfidë për sigurinë në të gjitha vendet. Kosova nuk është e përjashtuar nga këto rreziqe dhe duhet të mbetet vigjilente”, ka theksuar ai.

Duke folur për përgjegjësinë e institucioneve, eksperti i sigurisë ka kërkuar shtimin e masave parandaluese dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim identifikimin dhe parandalimin në kohë të kërcënimeve të mundshme.

“Institucionet e sigurisë duhet të shtojnë masat parandaluese, të forcojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe të jenë në koordinim të vazhdueshëm. Përgatitja institucionale nuk duhet të nënkuptojë vetëm reagim pas një incidenti, por mbi të gjitha parandalim dhe identifikim me kohë të kërcënimeve”, ka deklaruar Berisha.

Në fund, ai ka dërguar një mesazh edhe për qytetarët, duke theksuar se nuk ka arsye për panik apo ndryshim të aktiviteteve të përditshme, por se duhet treguar kujdes dhe vigjilencë.

“Mesazhi im është se qytetarët nuk kanë arsye të krijojnë panik apo të ndryshojnë jetën e tyre të përditshme, por duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë. Siguria kërkon përgjegjësi institucionale, bashkëpunim dhe parandalim të vazhdueshëm”, ka përfunduar Berisha për “Bota Sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat