Lëvizja Studentore Kombëtare në Shqipëri, a mund të kthehet në alternativë të re politike? Analistët zbërthejnë sfidat

Politika

Lëvizja Studentore Kombëtare në Shqipëri, a mund të kthehet në alternativë të re politike? Analistët zbërthejnë sfidat

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 nëntor 2026 Në ora: 11:00
Protesta në Tiranë

Studentët në Shqipëri kanë zyrtarizuar më 21 nëntor 2026 formimin e një organizimi të ri, të quajtur “Lëvizja Studentore Kombëtare”, me synimin për të përfaqësuar zërin dhe interesat e të rinjve shqiptarë në protestat qytetare që po zhvillohen në vend.

Në deklaratën e tyre publike, të bërë nga Universiteti Politeknik, studentët theksuan se kjo lëvizje është vazhdimësi e revoltës qytetare dhe nuk synon ta zëvendësojë atë, por ta fuqizojë përmes kërkesave dhe propozimeve që burojnë nga shqetësimet e brezit të ri.

Ndër kërkesat e tyre janë krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë, arsim cilësor, punësim, barazi mundësish dhe kushte për të ndërtuar një të ardhme me dinjitet në Shqipëri.

Studentët vlerësuan se realizimi i këtyre objektivave lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e qeverisjes, përgjegjësinë dhe llogaridhënien institucionale. Ata paralajmëruan se do të paraqesin propozime për diskutim publik dhe do të ndërmarrin nisma konkrete në bashkëpunim me qytetarët, intelektualët, profesionistët dhe pedagogët.

Po ashtu, themeluesit e lëvizjes kërkuan hetim të pavarur dhe transparent për pretendimet lidhur me përdorimin joproporcional të forcës policore ndaj protestuesve.

Lëvizja synon të jetë një organizim studentor i pavarur, demokratik dhe i qëndrueshëm, pa kryetar dhe pa pretenduar se flet në emër të të gjithë studentëve. Përmes deklaratës, themeluesit u bënë thirrje të rinjve që t'i bashkohen organizimit, duke theksuar se synimi i tyre është të kontribuojnë në ndërtimin e një Shqipërie më demokratike dhe më të drejtë, ku të rinjtë të mos detyrohen të largohen për të siguruar të ardhmen e tyre.

Por, a mund të shndërrohet kjo nismë në një alternativë të re politike dhe çfarë sfidash e presin në rrugëtimin e saj? Për këtë çështje, analisti dhe pedagogu Klemedin Mile dhe analisti Ilir Vata kanë folur për “Bota sot”, duke vlerësuar potencialin e lëvizjes, raportin e saj me partitë ekzistuese dhe mundësinë që protesta qytetare të prodhojë ndryshime politike.

Sfida e Lëvizjes Studentore dhe prova e saj

Pedagogu dhe analisti Klemedin Mile e konsideron themelimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare një hap në drejtimin e duhur. Sipas tij, kjo nismë mund të krijojë mundësinë që energjia e protestave të shndërrohet në një subjekt të organizuar dhe të përfaqësohet politikisht.

Image
Pedagogu dhe analisti Klemedin Mile

Mile vlerëson se refuzimi i dialogut me kryeministrin Edi Rama mund të ndihmojë në ruajtjen e identitetit dhe besueshmërisë së lëvizjes, por thekson se për të krijuar një alternativë politike nevojiten organizim, program dhe aleanca shoqërore.

“Themelimi i saj është një hap në drejtimin e duhur, sepse krijon mundësinë për ta shfrytëzuar politikisht energjinë e protestës dhe për ta kthyer atë në një subjekt të organizuar. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur shohim se partitë opozitare nuk po arrijnë të krijojnë një front të përbashkët. Refuzimi i dialogut me Ramën është i dobishëm për ruajtjen e identitetit dhe besueshmërisë së lëvizjes, por nuk mjafton për të ndërtuar një forcë politike. Për këtë duhen organizim, program dhe aftësi për të krijuar aleanca shoqërore”, deklaron Mile për “Bota sot”.

Duke u ndalur te mundësia që Shqipëria të ndjekë shembullin e Serbisë, ku protestat studentore kanë pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike, Mile nuk beson se një skenar i tillë mund të përsëritet në të njëjtat përmasa.

Sipas tij, dallimet mes situatës politike në të dyja vendet janë të konsiderueshme, ndërsa sfida kryesore për studentët shqiptarë është ruajtja e pavarësisë dhe ndërtimi i një identiteti të tyre, pa u përthithur nga partitë ekzistuese.

“A mund të përsëritet në Shqipëri skenari serb? Nuk besoj se skenari serb mund të përsëritet në të njëjtat përmasa. Atje protestat studentore ishin jashtëzakonisht masive dhe kryesisht paqësore, ndërsa opozita tradicionale ishte më e dobët se Partia Demokratike në Shqipëri. Kjo u dha studentëve hapësirë më të madhe për të marrë rolin e forcës kryesore kundërshtuese. Në Shqipëri, sfida është më e ndërlikuar, sepse studentët duhet të ndërtojnë identitetin e tyre pa u përthithur nga partitë ekzistuese dhe pa hyrë në konkurrencë të panevojshme me to”, ka nënvizuar Mile.

Në vlerësimin e tij, prova kryesore e kësaj lëvizjeje do të jetë aftësia për ta kthyer mbështetjen dhe legjitimitetin e fituar përmes protestave në përfaqësim politik. Mile vlerëson se një mundësi e tillë mund të shfaqet edhe në garën për Bashkinë e Tiranës, por për këtë kërkohet gatishmëria e opozitës tradicionale për t'i hapur rrugë një kandidati që vjen nga lëvizja studentore.

“Aktualisht, kjo mundësia për ta sfiduar seriozisht Ramën duket më e realizueshme në Tiranë, veçanërisht në zgjedhjet për bashkinë. Por suksesi kërkon një vendim politik nga opozita tradicionale. Partitë duhet t'i hapin rrugë një kandidati që vjen nga lëvizja studentore, në vend që ta shohin atë si konkurrencë për kontrollin e opozitës. Një kandidaturë e tillë mund të bashkojë energjinë e protestës me votën opozitare dhe të krijojë një alternativë më të gjerë se partitë veçmas. Në thelb, prova e kësaj lëvizjeje do të jetë aftësia për ta kthyer legjitimitetin e protestës në përfaqësim politik, ndërsa prova e opozitës do të jetë gatishmëria për t'i lënë hapësirë një alternative që nuk kontrollohet prej saj”, ka përfunduar pedagogu dhe analisti.

Lëvizja studentore, politika dhe hija e së kaluarës

Një qëndrim më skeptik për të ardhmen e Lëvizjes Studentore Kombëtare shpreh analisti Ilir Vata. Sipas tij, nëse kjo nismë ndjek rrugën e shndërrimit në parti politike, rrezikon të dështojë, pasi terreni politik në Shqipëri është i dominuar nga partitë e mëdha dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk favorizojnë subjektet e reja.

Image
Ilir Vata.

Vata vlerëson se lëvizja duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos përfshihet në garën partiake, duke argumentuar se një hap i tillë mund t'ia dobësojë potencialin.

“Lëvizja Studentore Kombëtare është një kurs i kësaj lëvizjeje për ta çuar atë drejt një subjekti politik, pra për ta futur në garën politike. Lëvizja Studentore do të ishte mbledhur dhe do të përbënte një revolucion, një hapësirë politike për ta rrëzuar qeverinë, për ta drejtuar atë, për ta dirigjuar dhe për ta çuar Shqipërinë drejt një qeverie teknike. Nëse ata përshkojnë këtë rrugë drejt një partie politike, mendoj se do të dështojnë politikisht, sepse terreni politik është i ngarkuar, është i mbushur me parti të mëdha politike. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor i bëjnë partitë e reja të pafavorshme sa i përket garës elektorale. Pra, hiqen koalicionet parazgjedhore. Vendosja e partive politike në garë individuale, pra futja e partive në garë pa një organizim të përbashkët, ua vështirëson atyre profilizimin. Unë mendoj se kjo është faza më e vështirë e kësaj lëvizjeje, ose fundi i dështimit të saj”, deklaron Vata për “Bota sot”.

Duke bërë krahasimin me protestat në Serbi, Vata thotë se në Shqipëri pakënaqësitë janë të lidhura edhe me zhvillimet dhe përplasjet brenda politikës. Sipas tij, kjo e dallon situatën shqiptare nga ajo serbe dhe e bën të vështirë përsëritjen e të njëjtit model të mobilizimit studentor.

“Ndryshe nga Serbia, në Shqipëri nuk janë pakënaqësitë studentore apo pakënaqësitë qytetare ato që ngrihen. Janë pakënaqësi brenda politikës. Të rinjtë kanë lëvizur, diaspora ka lëvizur, qytetarët kanë dalë për të protestuar. Pra, unë mendoj se nuk ka lidhje lëvizja jonë studentore me atë të Serbisë. Ka një ngjashmëri nga pikëpamja vizuale, ka një ngjashmëri nga pikëpamja formale, por nuk ka asnjë lidhje për sa i përket potencialit të vetë lëvizjes studentore në Serbi me atë në Shqipëri”, shprehet analisti.

Vata shpreh gjithashtu dyshime për mundësinë që kjo nismë të sjellë ndryshime të mëdha politike. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një klimë të re politike dhe për një lëvizje që të shkëputet nga modelet dhe strukturat e së kaluarës.

“Unë mendoj se në Shqipëri është e ngjizur ende politika e vjetër. Pra, siç kam thënë edhe në intervista të mëhershme, në Shqipëri po kërkojnë të bëjnë lojën e Ramiz Alisë të vitit 1990, kur ngriheshin studentët dhe ish-komunistët për të rrëzuar gjoja komunizmin, i cili në të vërtetë nuk u rrëzua. Thjesht u bë zëvendësimi i një regjimi me një regjim tjetër. Nuk ka asnjë lidhje kjo dhe nuk ka asnjë potencial që ajo të gjenerojë qeveri, as përmes protestave dhe as përmes garës elektorale. Shqipëria ka nevojë për një lëvizje të re, ka nevojë për një klimë të re politike. Por kjo lëvizje që ka shpërthyer në këtë fillim vere nuk ka asnjë gjasë të sjellë ndryshime të mëdha politike. Është një lëvizje thjesht politike. E ka nxitur, siç e thashë më parë, për të krijuar tymnajën se gjoja po lëviz Shqipëria”, thekson Vata.

Analisti e lidh gjendjen aktuale politike edhe me atë që e konsideron mungesë të një shkëputjeje të plotë nga e kaluara komuniste. Ai thotë se mungesa e transparencës për dosjet dhe fatin e të burgosurve politikë ka ndikuar në vazhdimësinë e tranzicionit politik në Shqipëri.

“Shqipëria ka mbetur në stagnacion politik. Shqipëria ka mbetur në tranzicion politik. Shqipëria ende nuk ka shpëtuar nga shkorja komuniste. Ende reminishencat e diktaturës janë kudo dhe ato shfaqen sa herë ka data përkujtimore. Diktatori është gjallë, dosjet nuk janë hapur. Shqipëria nuk e ka kuruar shkorën, varret e të burgosurve politikë nuk janë gjetur. Pra, ne kemi mbetur në një politikë të vazhdimësisë, në një post-diktaturë pa fund. Pra, në një tranzicion pa fund. Edhe kjo e bën politikën e re në Shqipëri të varfër, të vakët, pra të ndërthurur me të vjetrën. Politika e re është e ngjizur nga e vjetra dhe nuk mendoj se do të ketë ndryshime. Ata thjesht do të jenë një shtojcë e politikës së vjetër”, nënvizon analisti.

Në fund, Vata shpreh bindjen se lëvizja e re nuk do të arrijë të shkëputet nga politika ekzistuese dhe rrezikon të bëhet pjesë e saj. Ai kritikon edhe sloganin e përdorur nga organizimi, duke e krahasuar me retorikën politike të periudhës së komunizmit.

“Unë mendoj se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, siç e thashë më parë, nuk i favorizojnë partitë e reja. Ka indicie nga kampet politike për të krijuar parti të reja, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta. Por jemi në një terren politik armiqësor, sepse Kodi Zgjedhor i përjashton koalicionet parazgjedhore. Çdo parti e re që hyn në garë është e destinuar të përfundojë pa zgjidhje, pa përfaqësim.

Unë mendoj se kjo lëvizje studentore ka gjasa të përfundojë si politika e vjetër dhe do të bashkëgroposet bashkë me të. Pra, nuk ka të re në Shqipëri. Nuk ka ndryshim dhe nuk ka lidhje as me Serbinë, as me lëvizjet e reja. Po t'i shohësh në terren, ajo është një slogan: "Të bëjmë Shqipërinë e re". Njësoj si Enver Hoxha në vitin 1955. Kështu po ngjizet një diktaturë e re, sepse ne nuk e kuruam shkorën dhe kjo është një fatkeqësi politike. Ashtu siç është vetë lëvizja studentore. Emrin e ka studentore, por aty nuk janë studentë. Emrin e ka të rinj, por aty nuk janë të rinj. Emrin e ka "flamingo", por aty janë demonët e vjetër të së shkuarës që duan ta bëjnë Shqipërinë peng”, përfundon Vata për "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat