Më 27 nëntor shënohet Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), një datë që i kushtohet themelimit, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve të saj. Në prag të kësaj dite, vëmendje të veçantë marrin investimet në armatim, modernizimi dhe sfidat që e presin FSK-në në rrugën drejt përmbushjes së plotë të kapaciteteve operacionale.
Për këto zhvillime dhe prioritetet e ardhshme të FSK-së, për “Bota sot” ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, njëherësh kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka deklaruar se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri po ecën më shpejt sesa ishte planifikuar. Sipas tij, objektivat e parapara në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të miratuar në janar të vitit 2019, në disa fusha janë arritur para afatit të vitit 2028.
Bajqinovci ka theksuar se FSK-ja tashmë e ka përmbushur objektivin për numrin e ushtarëve aktivë, duke arritur në 5.000, ndërsa në inventarin e saj janë mbi 40 lloje të sistemeve të armatimit të lehtë dhe të rëndë, sipas standardeve të NATO-s.
“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri po ecën më shpejt se ç’ishte planifikuar. Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të miratuar në janar të vitit 2019, deri në vitin 2028 FSK-ja duhet të ketë kapacitetet e plota operacionale, në të cilat përfshihet numri i ushtarëve aktivë prej 5.000. Këtë objektiv e kemi arritur qysh tani. Kemi sisteme të armatimit të avancuara dhe moderne, mbi 40 lloje të sistemeve të armatimit të lehtë dhe të rëndë, sipas standardeve të NATO-s, tashmë janë në inventarin e forcës sonë”, ka deklaruar ai.
Sipas Bajqinovcit, trajnimet e ushtarakëve janë katërfishuar, ndërsa vetëm për blerjen e sistemeve të armatimit gjatë këtyre viteve janë shpenzuar mbi 460 milionë euro, pa përfshirë investimet në infrastrukturë.
Ai ka vlerësuar se këto investime kanë ndikuar në rritjen e rolit të vendit në fushën e sigurisë, duke përmendur pjesëmarrjen e ushtrisë në operacione dhe misione ndërkombëtare, në bashkëpunim me partnerët.
“E gjithë kjo punë e dëshmuar ka bërë që ushtria dhe vendi ynë nga konsumues të sigurisë janë shndërruar në ofrues të sigurisë, dëshmi për këtë janë operacionet dhe misionet ndërkombëtare të ushtrisë sonë, përkrah partnerëve tanë. Në shumë fusha janë arritur ato që do të duhej të arriheshin në vitin 2028. Megjithatë, mbeten edhe disa aspekte të tjera që duhet përmbushur. Tani veçse jemi në fazën e tretë dhe përmbyllëse të tranzicionit”, ka thënë Bajqinovci.
Duke folur për fuqizimin e kapaciteteve të FSK-së, Bajqinovci ka theksuar se buxheti për mbrojtje është katërfishuar, ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar, me mbi 3.200 pjesëtarë të rinj të rekrutuar.
Ai ka përmendur sistemet e armatimit antitank, raketat Javelin, të cilat janë në proces, dronët luftarakë Bayraktar TB2 dhe mijëra dronët kamikazë Skydagger.
“FSK-ja e sotme është në një dimension tjetër krahasuar me disa vite më parë. Buxhetin për mbrojtje e kemi katërfishuar dhe numrin e ushtarëve e kemi dyfishuar, me mbi 3.200 ushtarë të rinj të rekrutuar. Ushtria jonë sot disponon armë antitank, Javelinët që janë në proces, dronë luftarakë Bayraktar TB2 dhe mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger, ndërsa përmes ushtrimeve të përbashkëta po e ndërton ndërveprueshmërinë me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s”, ka deklaruar ai.
Bajqinovci ka vlerësuar se fuqizimi i institucioneve të sigurisë ka ndikuar edhe në stabilitetin e përgjithshëm të vendit, duke veçuar FSK-në, Policinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Ai i është referuar edhe raportit të këtij viti të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, të cilin e ka përmendur si dëshmi të mbështetjes amerikane për transformimin e FSK-së.
“Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i këtij viti konfirmon mbështetjen amerikane për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale të mbrojtjes së territorit. Ky është një vlerësim i jashtëm që e konfirmon progresin tonë”, ka theksuar ai.
Pavarësisht progresit të arritur, Bajqinovci ka thënë se vendit i nevojiten sisteme shtesë të armatimit, me fokus të veçantë në mbrojtjen kundërajrore dhe mbështetjen ajrore.
Sipas tij, mbrojtja e hapësirës ajrore është nevoja kryesore që duhet të adresohet në periudhën e ardhshme. Krahas kësaj, ai ka përmendur edhe zhvillimin e kapaciteteve mjekësore ushtarake, sipas modelit të sistemit amerikan, si dhe investimet në infrastrukturën e kazermave dhe poligoneve.
“Pasi i kemi tejkaluar objektivat e planit të tranzicionit, tani na nevojiten sisteme shtesë armatimi. Fokusi ynë është në dy fusha kryesore: në mbrojtjen kundërajrore, pra në sistemet për mbrojtjen e hapësirës ajrore, dhe në mbështetjen ajrore. Mbrojtja kundërajrore është nevoja më e madhe që duhet plotësuar në periudhën në vijim”, ka deklaruar ai.
Një tjetër hap të rëndësishëm për qëndrueshmërinë afatgjatë të mbrojtjes, Bajqinovci e ka konsideruar ndërtimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Ai ka bërë të ditur se kompleksi industrial për prodhimin e municionit në Gjakovë fillimisht do të prodhojë municion të kalibrave 5.56 dhe 7.62 milimetra, ndërsa më pas parashihet edhe prodhimi i fluturakeve pa pilot.
Në këtë drejtim, Bajqinovci ka përmendur edhe projektbuxhetin për vitin 2027, i cili, sipas tij, parasheh mbi 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, shumë kjo që përbën mbi dy për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Duke folur për rëndësinë e teknologjisë ushtarake, deputeti i LVV-së ka theksuar se lufta në Ukrainë dhe konfliktet e fundit kanë dëshmuar se epërsia në fushëbetejë nuk varet vetëm nga numri i ushtarëve, por edhe nga teknologjia dhe aftësia për të identifikuar e goditur objektivat me saktësi.
Ai ka thënë se investimet në dronë janë bërë me kohë, duke vlerësuar se sistemet Bayraktar TB2 dhe Skydagger kanë fuqizuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
“Konfliktet e fundit, sidomos lufta në Ukrainë, kanë treguar se në luftën bashkëkohore epërsia nuk varet vetëm nga numri i ushtarëve, por nga teknologjia: nga aftësia për ta parë kundërshtarin para se të të shohë ai, për ta goditur me saktësi dhe për ta mbrojtur hapësirën ajrore. Për këtë arsye kemi investuar herët në dronë. Me dronët Bayraktar, Kosova ndihet më e fortë dhe më e sigurt përballë kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale e të mundshme, ndërsa dronët Skydagger janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese për goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike, në përputhje me taktikat e luftës bashkëkohore”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Bajqinovci ka theksuar se këto kapacitete duhet të plotësohen me sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe kundër dronëve, të cilat i ka cilësuar si prioritetet e radhës.
Ai ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e sistemeve të mbikëqyrjes dhe inteligjencës, të cilat mundësojnë marrjen e informacionit në kohë reale dhe marrjen e vendimeve më të shpejta.
“Megjithatë, dronëve duhet t’ua shtojmë mbrojtjen kundërajrore në mënyrë që t’i kompletojmë kapacitetet tona, prandaj mbrojtja e hapësirës ajrore dhe sistemet kundër dronëve janë prioriteti ynë i radhës. Po aq të rëndësishme janë sistemet e mbikëqyrjes dhe të inteligjencës, të cilat na japin informacion në kohë reale dhe na mundësojnë vendime më të shpejta. Investimi në teknologji është njëkohësisht mënyra më efikase për një vend me burime të kufizuara: ai e shumëfishon fuqinë e çdo ushtari dhe e bën ushtrinë tonë më të ndërveprueshme me aleatët, në rrugën tonë drejt NATO-s”, ka përfunduar Bajqinovci.