Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili është zotuar se zgjidhjen e problemeve bazike për lagjen Kalabria dhe Veternik do t’i ketë prioritet në qeverisjen e tij.
Derisa ka hedhur firmën e tij për përmbushjen e një sërë zotimesh për këto dy lagje, Ismaili tha se lënia pas dore për këto dy pjesë të rëndësishme të kryeqytetit duhet të marrë fund.
Ismaili: Veterniku dhe Kalabria janë lagje me mungesa të shërbimeve bazike
“Veterniku e Kalabria janë zhvilluar vetë pothuajse, por pa kujdesin e mbështetjen e komunës si institucion përgjegjës. Kjo periudhë e lënies pas dore të lagjeve të cilat janë rritur shumë e kanë nevoja të pa adresuara me vite duhet të përfundojë̈ shumë shpejtë. Veternikut e Kalabrisë i duhet vëmendja e munguar për një kohë të gjatë. Veterniku është zona më me ndikim në ekonominë̈ e qytetit, por me kujdesin e trajtimin më të vogël nga komuna. Pothuajse peshë e ndikim të njëjtë ka edhe Kalabria. Janë lagje që vuajnë e kanë mungesa të shërbimeve bazike, duke përfshi shkolla, çerdhe e shumëçka tjetër”,u shpreh Ismaili.
Pretendeti për të parin e Prishtinës, Uran Ismaili tha se e janë zotuar që Prishtinën do ta bëjnë një qytet të gjelbër, digjital e destinacion, por problemet bazike të Veternikut dhe Kalabrisë, u shpreh se do t’i ketë prioritet.
Ismaili shtoi se deri në dhjetor të vitit 2024, do ndërtojë dy çerdhe dhe dy shkolla, ndërsa premtoi zgjidhje edhe për qentë endacak.
Ismaili: Zotohemi që problemet e Veternikut dhe Kalabrisë do t’i zgjedhin deri në 2024
“Zotohem se deri në dhjetor 2024 bashkë do t’i ndreqim këto probleme në Veternik e Kalabri: Ndërtimi i dy çerdheve dhe dy shkollave në Veternik dhe Kalabrim shtimi i rrjetit të rrugëve të reja në Veternik, pastërti e ndriçim efiçient në çdo pjesë të lagjes, largimi i problemit të qenve endacakë, shtimi i brezave gjelbërues dhe hapësirave sportive, ndërtimi i parkut në Kalabri, shtimi i pikave grumbulluese të mbeturinave dhe shportave të rrugës, ndërtimi i shtigjeve për çiklistë nëpër rrugët kryesorem ndërtimi i ambulancës dhe nënstacionit policor në Veternik,trajtimi i rrugës magjistrale dhe mundësia e lidhjes së lagjeve Veterniku 1 dhe Veterniku 2 përmes nënkalimit apo mbikalimit, realizimi i projektit të kolektorit dhe rrugës A në Kalabri, lidhja e lagjes Kalabria dhe Dardania përmes nënkalimit apo mbikalimit për këmbësorë e çiklistë, ndërtim i një qendre sportive në Kalabri”, theksoi ai.
Ish i burgosuri politik, Avdi Gjata ka shprehur besimin se vetëm me Uran Ismailin në krye të Prishtinës do mund të zgjidhen shumë probleme që prekin këtë komunë.