​Uran Ismaili nënshkruan zotimet për lagjet Tophane e Arbëri

Prishtina

​Uran Ismaili nënshkruan zotimet për lagjet Tophane e Arbëri

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 16:40
​Uran Ismaili

Kandidati i PDK-se për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar sot zotimet e tij për lagjet Tophane dhe Arbëri. Ai tha se këto dy lagje do të kenë vëmendje më të madhe institucionale dhe se deri në dhjetor 2024 do të adresojë problemet e tyre.

Ismaili u shpreh se në këto dy lagje kishte qenë për të bujtur, që gjë i kishte dhënë mundësi të shohë nga afër problemet me të cilat përballen banorët.

Ismaili: Në Arbëri ka mungesë të hapësirave të gjelbra

“Në Arbëri ka mungesë të hapësirave të gjelbrat, mungesë të shtigjeve për çiklistë, mungon edhe ndriçimi publik në shumë rrugë të saj. Si shumë lagje të Prishtinës edhe lagjja Arbëria, është gati kaotike me mungesë të parkingjeve dhe kjo e ka vështirësuar jetën në lagje dhe funksionin e saj normal për banorët. Kemi vendosur që të bëjmë lidhje më të mirë edhe të lagjes Tophane me lagjen Arbëri, por edhe lagjeve të tjera të Prishtinës, nëpërmjet rregullit të rrugëve dhe trotuareve në këto lagje. Tophanes dhe Arbërisë do t’i shtojmë edhe një qendër multifunksionale digjitale, e cila do të jetë një hapësirë për të rinjtë tanë e që do të jetë krenaria e qytetit, transformimi i Tulltorës që nuk është larg nga këtu”, tha Ismaili.

Pretendenti për të udhëhequr me kryeqytetin, teksa prezantoi zotimet për këto dy lagje tha se të njëjtat do të rregullohen deri në fund të vitit 2024.

Ismaili: Unë zotohem se deri në fund të viti 2024 bashkë do t’i ndreqim problemet

“Unë zotohem se deri në fund të viti 2024 bashkë do t’i ndreqim problemet e mëposhtme të Arbërisë e Tophanes, funksionalizimi i ish-stacionit të trenit në muze të dëbimit, trajtimi i hapësirës së gjelbër përgjatë hekurudhës, ndërtimi i shtigjeve për çiklist përgjatë unazës qendrore dhe në rrugët e tjera, shenjëzimi dhe ndriçimi i të gjitha rrugëve, parking për banorët e lagjes, lidhja e lagjes Arbëria me Parkun Qendror përmes urës për këmbësorë e çiklistë, pra e dimë që parku qendror do të jetë tetë hektar duke filluar nga parkingu mbrapa Pallatit të Rinisë e do të vazhdojë deri përreth stadiumit. Trajtimi i rrethit në hyrje të lagjes Arbëria shtimi i trotuareve, lidhja e lagjes Arbëria me qendrën dhe magjistralen për Fushë Kosovë - finalizimi i rrugës unazore, funksionalizimi i lidhjes së lagjes Tophane me lagjen Arbëri përmes mbikalimit apo nënkalimit, shqyrtimi i mundësive hapësinore për ndërtimin e çerdheve në këto lagje, transformimi i Tulltores në qendër multifunksionale kreative-digjitale, riorganizimi i trafikut për shkak të rrugëve të ngushta dhe ulja e shpejtësisë në 30km/h”, tha Ismaili.

Ismaili këto zotime i ka nënshkruar në kuadër të aktiviteteve 24-orëshe nëpër qytet, pa ndërprerje të takimeve, vizitave dhe diskutimeve me banorët për problemet e lagjeve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat