​NPB-ja i quan deklarimet e Aliut të pavërteta e shantazuese

Prishtina

​NPB-ja i quan deklarimet e Aliut të pavërteta e shantazuese

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 17:36
Hajdar Hoxhaj

Drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu lidhur me rrënimin e objektit në Lakrishtë të Prishtinës.

Kryeshefi ekzekutiv i NPB-së Hajdar Hoxhaj në një konferencë për medie theksoi se deklaratat e ministrit Aliu janë të pavërteta, kërcënuese dhe shantazhuese.

Hoxhaj: Reagojmë ndaj shantazheve dhe kërcënimeve që po i bën Aliu

Reagojmë ndaj deklarimeve të pavërteta, tejet shantazhuese dhe kërcënuese të ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu. Sot ndoqëm me vëmendje konferencën e paraqitur nga Aliu, ku ne ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tejet joprofesionale dhe joligjore. U thanë shumë të pavërteta, shantazhuese e kërcënuese dhe aspak tipike të një pushteti ligjor, juridik që i takon të kryejë punën e tij”, u shpreh ai.

Hoxhaj ka thënë se kjo ndërmarrje nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, derisa shtoi se NPB-ja ka një transparencë të plotë për projektin në fjalë.

Hoxhaj: Nuk ka asnjë shkelje ligjore nga NPB-ja

“Këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë shkelje ligjore nga ana e Ndërmarrjes Publike Banesore, por kemi të bëjmë me një transparencë të plotë në përgjithësi dhe po ashtu për projektin në veçanti, të cilin projekt veç e kemi shfaqur ditë më parë. Kështu, jo vetëm kjo ministri, por edhe disa të tjera në saje të qeverisë që janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme të dëmtojnë reputacionin dhe interesin e Ndërmarrjes Publike Banesore përmes deklarimeve dhe sulmeve të tilla të njëpasnjëshme që janë duke i bërë”, tha ai.

Hoxhaj paralajmëron padi për këto kërcënime, ndërsa shtoi se projekti në fjalë do të përfundojë brenda tri vjetëve të ardhshme.

Hoxhaj: Nuk përjashtohet edhe kallëzimi penal ndaj Aliut

“Nëse ka dhe unë besoj që ka shkelje flagrante të ligjeve dhe akteve nënligjore, sigurisht që edhe ndaj tij (Aliut) dhe kujtdo qoftë do të ngremë kallëzim penal, kjo është e para. E dyta, për mua është shumë me rëndësi që projekti mos me u ndal. Projekti ka një afat tre vjet për t’u përfunduar. Pas tri vjetësh Ndërmarrja Publike Banesore do t’i merr 36 për qind të komplet të atij ndërtimi që është afarizëm, e që ndikon 50 për qind të rritjes së vlerës së pasurisë së ndërmarrjes”, tha ai.

Ndryshe, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka anuluar punimet në lagjen Lakrishtë në Prishtinë, pasi që gjatë rrënimit të objekteve të vjetra doli që ka materiale të azbestit e të cilat konsiderohet të jenë kancerogjene. Ministri Aliu ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Komuna e Prishtinës që të tërhiqet plani i rrënimit dhe të shqyrtohet akti noterial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat