Ismaili: Ish-ndërtesën e burgut do ta kthejmë muze

Prishtina

Ismaili: Ish-ndërtesën e burgut do ta kthejmë muze

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 11:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka prezantuar projektin për ndërtimin e parkut qendror prej 8 hektarësh. Ai ka premtuar se ky projekt do të finalizohet deri në tetor të vitit 2024-të dhe se do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në qytet. Ai ka theksuar se lokacioni i parkut qendror të Prishtinës do të jetë mes qytetit, përgjatë stadiumit Fadil Vokrri dhe Pallatit të Rinisë.

Ismaili: Ky projekt është jashtëzakonisht me rëndësi

Për disa javë rresht unë kam fol për Prishtinën e Gjelbër. Mirëpo këtë projekt e kam jashtëzakonisht me rëndësi, prandaj edhe jemi përkushtuar që këtë projekt ta planifikojmë në mënyrën më të mirë, që ai të bëhet i mundur dhe ta ndryshojë jetën tonë për të mirë”, ka thënë Ismaili.

Më tej, kandidati i PDK-së për Prishtinën ka shtuar se në programin qeverisës ka planifikuar 100 kilometra shtigje për biçikleta, ndërtimin e parqeve te reja me qëllim që të kthej Prishtinën në të gjelbër.

Ismaili: Deri në tetor të vitit 2024, Prishtina të ketë parkun qendror

"Projekti im më i madh e më ambicioz për Prishtinën e gjelbër është projekti për ta ndërtu Parkun Qendror të Prishtinës– mushkëritë e reja të Prishtinës. Plani im është që deri në tetor të 2024-tës, Prishtina të ketë Parkun Qendror 8 hektarë, në qendër të Prishtinës. Lokacioni i parkut qendror të Prishtinës do të jetë midis qytetit, përgjatë stadiumit Fadil Vokrri dhe Pallatit të Rinisë", ka thënë Ismaili.

Po ashtu, Ismaili ka thënë se do të bëjë zhvendosjen e ndërtesave dhe parkingjeve të administratës publike. Ai premtoi se do të rigjenerojnë hapësirat tjera publike, për transformimin e tyre në hapësira të mëdha e të gjelbrat të qytetit.

Ismaili: Ish-ndërtesën e burgut kemi me kthy në muze

Kemi me e ruajtë vetëm një ndërtesë, ish-ndërtesën e burgut dhe kemi me e kthy në muze, në përkujtim të një periudhe të dhimbshme të Prishtinës sonë. Parkingu i madh prapa Pallatit të Rinisë do të transformohet në park, me hapësira të gjelbërta, shtigje për ecje, vrapim e amfiteatër publik. Parku Qendror do të ofrojë shtigje të reja të gjelbërta, për t'i dhënë më shumë oksigjen qytetit e qytetarëve ajër të pastër e hapësirë për çlodhje gjatë ditës", ka thënë ai.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Prishtinës që të mbështesin planin e tij për Parkun Qendror me besimin e tyre me votë të dielën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat