​Morën vendim për shkarkimin e kryeshefit të NPB, shkarkohen dy anëtarë të Bordit

Prishtina

​Morën vendim për shkarkimin e kryeshefit të NPB, shkarkohen dy anëtarë të Bordit

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 17:21
Foto nga takimi

Komisioni Komunal i Aksionarëve të Prishtinës ka shkarkuar dy anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore Bekim Pireva dhe Arbnora Jashanica.

Nga Bordi thonë se ky shkarkim ka ndodhur pas vendimit që Bordi ka marrë për shkarkim të kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxha, por i cili vendim nuk ka arritur as të protokollohet.

Anëtari tashmë i shkarkuar i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, Bekim Pireva thotë se të enjten e kaluar kishin vendosur unanimisht për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB, Hajdar Hoxhës, por atë ditë ata nuk patën mundësi teknike që ta protokollojnë vendimin.

Ndërsa, shtoi se sot gjatë ditës kanë pranuar një vendim nga Komisioni Komunal i Aksionarëve, i cili ka shkarkuar dy nga anëtarët e këtij Bordi.

Pireva: Vendosëm për shkarkim të kryeshefit, më pas morëm vendimin për shkarkim të dy anëtarëve të Bordit

Më 14.10.2021 kemi organizuar takimin e Bordit të Drejtorëve me arsyen e shkarkimit të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes… Unanimisht vendosëm shkarkimin kryeshefit ekzekutiv të NPB, por të njëjtin vendim nuk arritëm ta protokollojmë meqë personat përgjegjës nuk ishin prezent në NPB për të realizuar protokollimin e tij. Për të njëjtin vendim si pasojë e mos mundësisë të protokollimit caktuam takimin e radhës sot, me qëllim që ta protokollojmë vendimin dhe t’ua kumtojmë këtë vendim kryeshefit ekzekutiv. Kjo nuk na u lejua nga nëpunësitë dhe kryeshefit ekzekutiv brenda ndërmarrje banesore… Kur kemi tentuar ta dorëzojmë vendimin kryesueses së Bordit i është dhënë një vendim për shkarkimin e dy nga katër anëtarët e Bordit. Vendimi i tillë ka ardhur si rezultat i presionit me qëllim që të pengohet puna e Bordit për të vendosur ligjshmëri në NPB pasi ne si Bord kemi hasur në shkelje”, u shpreh Pireva.

Pireva i cili është njëri nga të shkarkuarit sipas vendimit të Komisionit Komunal të Aksionarëve ka treguar se cilat kanë qenë arsyet që i kanë shtyrë ata që të nxjerrin vendim për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Pireva: Kryeshefi ka neglizhuar dhe nuk ka përcjellë projektin në Lakrishtë

Arsyeja që na shtyn për shkaktim të kryeshefit ekzekutiv të NPB janë neglizhenca e kryeshefit ekzekutiv për përcjellje dhe zbatim të projektit në Lakrishtë në përputhje me rregulloret dhe ligjet në fuqi, mos gatishmëria e kryeshefit ekzekutiv për bashkëpunim dhe transparencë ndaj Bordit të Drejtorëve për mos llogaridhënie dhe mos informim. Arsye tjetër është mos respektimi i sugjerimeve dhe kërkesave të shumta të dhëna nga Bordi”, tha ai.

Ndërsa, avokati Skender Musa tha se ndonëse me vendim iu është ndaluar e drejta e ankesës dy anëtarëve të Bordit, ata përsëri do të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës.

Musa: Do të bëjmë ankesë

Në vendim nuk jepet asnjë arsyetim për përjashtim dhe thuhet se nuk i kanë kryer detyrat e tyre si duhet dhe lidhur me këtë vendim nuk kanë paraparë fare të drejtë ankese… Në këtë kontest, ne konsiderojmë që është shkelur Kushtetuta e Kosovës, respektivisht dispozita që ka të bëjë me ankesa. Pavarësisht që këta dy anëtarë nuk kanë paraparë të drejtën e ankesës, ne do t’i drejtohemi Kuvendit Komunal me ankesë. Nëse Kuvendi Komunal vazhdon në mënyrë arbitrare ta konsiderojë vendimin e ligjshëm, ne do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Themelore në Prishtinës - Departamentit për Çështje Administrative”, tha ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat