Kërkohet të ndërpritet shqiptimi i dënimeve e bllokimi i veturave nga “Prishtina Parking”

Prishtina

Kërkohet të ndërpritet shqiptimi i dënimeve e bllokimi i veturave nga “Prishtina Parking”

Më: 4 prill 2022 Në ora: 19:55
Foto nga takimi

Deputetja Fitore Pacolli, në cilësinë e Kryetares së Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim bashkë me deputetin Salih Zyba janë takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Këtë e ka bërë të ditur Pacolli përmes një shkrimi në Facebook.

Ajo tha se ka paraqitur para kryetarit Rama shqetësimet që qytetarët e Komunës së Prishtinës kanë adresuar në Komision.

“Ne e njoftuam se Ndërmarrja Publike Prishtina Parking po shkel të drejtat e qytetarëve në baza ditore përmes veprimeve të jashtëligjshme. Veprimet e “Prishtina Parking” bien në kundërshtim me Ligjin për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi”, tha Pacolli.

Deputetja e LVV-së, theksoi se ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet  shfrytëzimi i hapësirave rezidenciale për përfitim të shumëfishtë.

Sipas saj, Prishtina Parking përfiton pagesë nga banorët rezidencial dhe në të njëjtën kohë i lëshon ato për shfrytëzim për ata jorezedencial.

“Parking Prishtina në mënyrë të jashtëligjshme përfiton nga të dy palët”, tha ajo.

Po ashtu ka kërkuar të ndërpritet shqiptimi i dënimeve, vendosja e bllokadave, konfiskimi i veturave nga Prishtina Parking dhe pranimi i pagesës së dënimeve me para në dorë pa u definuar saktë kompetencat e Prishtina Parking.

“Prishtina Parking përfiton para nga këto dënime ndërsa transparenca se ku përfundojnë këto para është zero. Ne kërkuam që të pezullohet zgjerimi i Prishtina Parking deri në përmirësimin e mangësive dhe ndryshimin e rregullores”, shtoi deputetja.

Siç ka thënë, Pacolli ka kërkuar nga Rama që të japë qasje në këto dokumente:

Autorizimin për bllokimin dhe e veturave me të cilin vepron “Prishtina Parking”;

Rregulloret e brendshme të ndërmarrjes;

Të gjitha dokumentet nga Drejtoria e Kadastrit që vërtetojnë të gjitha parcelat për shfrytëzimin e hapësirave nga “Prishtina Parking”;

Dokumentet që definojnë karakterin e rrugës “B”, në veçanti shiritat anësor.

“Kryetari pranoi kërkesat tona dhe na premtoi se shqetësimet e qytetarëve do të adresohen”, shkroi në fund Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat