Sahatçiu e fton në Prishtinë zëvendësdrejtoren e NASA-s për Investime në Teknologji

Prishtina

Sahatçiu e fton në Prishtinë zëvendësdrejtoren e NASA-s për Investime në Teknologji

Më: 30 maj 2022 Në ora: 19:09
Foto nga takimi

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, po merr pjesë në Samitin Global të Grave në Teknologji, në Paris të Francës.

“Heroinat që e formësojnë të nesërmen” është tema e këtij viti ku prezente janë 300 gra politikëbërëse, avokuese, krijuese dhe inovatore nga e gjithë bota.

Qysh në ditën e parë të pjesëmarrjes së saj në këtë konferencë, nënkryetarja e kryeqytetit ka takuar Dr. Christyl Johnson, zëvendësdrejtore për Investime në Teknologji dhe Kërkim në NASA.

“Fantastike! E pata mundësinë me plot zemër me e informu dhe ftu zëvendësdrejtoren për Investime në Teknologji dhe Kërkim në NASA, Dr. Christyl Johnson, për sfidën traditë NASA me aplikacione nga ICK. U pajtuam që të vazhdojmë planifikimin për hakathonin e ardhshëm të përbashkët në Prishtinë.”, ka thënë Sahatçiu.

Nënkryetarja e Prishtinës ka takuar edhe Kryetaren e parë grua të Afganistanit, Zarifa Ghafari dhe Valentina Muñoz Rabanal, ambasadore e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) për të Rinjtë në OKB.

“Derisa nga Zarifa e kuptova ndoshta edhe qëllimin tim në angazhimin politik, me Dr. Christyl u dakorduam që të punojmë për sfidën e radhës NASA me Innovation Centre Kosovo në Prishtinë, me Valentinën po e organizojmë njohjen e parë me çikat në Prishtinë e ta sjellim përvojën e saj në OKB në Prishtinë – vendi i dytë Evropian që e viziton.”, ka njoftuar Sahatçiu.

Eventi po realizohet nën Patronazhin e Lartë të Elisabeth Moreno, ministre franceze për Barazinë Gjinore, Diversitetin dhe Mundësitë e Barabarta, ndërsa po organizohet nga organizata “Women in Tech”.

Qëllimi i kësaj konference është të informojë, frymëzojë dhe katalizojë përpjekjet e përbashkëta për të reduktuar hendekun gjinor dhe digjital në fushat STEAM deri në vitin 2030.

Kosova është pjesë e 25 Kapitujve Globale.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat