KRU ‘Prishtina’: Mos e keqpërdorni ujin, mund të ketë reduktime

Prishtina

KRU ‘Prishtina’: Mos e keqpërdorni ujin, mund të ketë reduktime

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Edhe pse ditëve të fundit në Kosove kishte reshje të shiut niveli i ujit të pijshëm në liqenet akumuluese, nuk është rritur fare. Kështu bënë me dije zyrtarët nga Kompania Rajonale e  Ujësjellësit “Prishtina”. Ata u bënë thirrje qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, që mos ta keqpërdorin ujin e pijshëm, sepse në rast keqpërdorimi, atëherë mund të vije deri te reduktimet e ujit .

Temperaturat e larta në vend kanë rritur konsumimin e ujit të pijshëm dhe për pasojë mund të vije deri te reduktimet. Megjithatë, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, po mundohet që konsumatorët e saj t’i mbajë me furnizim stabil të ujit të pijshëm, tha për Radio Kosovën, zëdhënësja e Ujësjellësit, Arjeta Mjeku. Ajo theksoi se niveli i ujit në këto dy liqene ka rënë dukshëm.

“Nivel i ujit në liqenet akumuluese në Liqenin e Batllavës, është 1.04 metra  nën kuotën maksimale të kapërderdhës, ndërkaq nivelin e  ujit në Badovc,  e kemi më keq, është -7.55 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhës”, tha Mjeku.

Mjeku, tutje ka shtuar se për momentin janë duke punuar me kapacitete maksimale dhe nuk janë duke aplikuar reduktime,  por në rast se vazhdon keqpërdorimi, atëherë mund të vije deri te reduktimet.

“Tash për tash nuk kemi ndonjë reduktim në qytetin e Prishtinës me rrethinë, mirëpo secili prej nesh duhet ta shpenzojë racionalisht ujin e pijshëm, në mënyrë qe t’i ruajmë këto rezerva për periudha vijuese. Mbrojtja e burimeve të ujit është domosdoshmëri”, tha Meku.

Mjeku, tutje tha se Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, përveç furnizimit me ujë të pijshëm, përkujdeset edhe për mirëmbajtjen e ujësjellësit. Çdo ditë, regjistrohen 10 deri në 15 raste të ndërhyrjes së punëtorëve të mirëmbajtjes për sanimin e defekteve të shkaktuara në sistemin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat