Nga kjo ditë shpallet konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës

Prishtina

Nga kjo ditë shpallet konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 11:13
Foto ilustrim

Pritet që nga fundi i javës të shpallet konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës.

Prorektorja e Universitetit, Mimoza Ibrani, bëri të ditur për Radio Kosovën, se për vitin e ri akademik do të pranohen rreth 6 mijë studentë të rinj, ndërsa theksoi se pritet edhe miratimi nga ana e Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që të shpallen datat e konkursit. Ajo foli edhe për risitë që do të ketë për vitin e ri akademik.

Senati i Universitetit të Prishtinës, ka miratuar propozimet e fakulteteve dhe ka marrë vendim që të shpallë konkursin për pranimin e studentëve të rinj në studimet themelore bachelor në 14 fakultete të këtij universiteti.

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, Mimoza Ibrani, tha për Radio Kosovën se në vitin e ri akademik do të pranohen 6 mijë e 100 studentë të rinj, përfshirë këtu edhe kuotat e rezervuara për komunitetet jo-shumicë dhe për ata jashtë Kosovës.

Sapo ta kemi miratimin e Ministrisë së Arsimit, do të vazhdojmë me hajen e konkursit. Besoj në fund të kësaj jave ose orientimisht në fillim të javës së ardhshme. Bazuar në interesimin e viteve paraprake, interesimi më i madh ka qenë në Fakultetin e Mjekësisë. Këtë vit orientimisht, vende të lira do të ketë aq sa ka pasur edhe vitin e kaluar, do të organizohet provimi pranues, do të ketë edhe proces të ankimimit. Ndërkohë, deri në shpallje të konkursit, udhëzojmë të rinjtë që të vizitojnë ueb faqen e Universitetit të Prishtinës, ku janë të listuara programet e studimit në të gjitha fakultetet”, tha Ibrani.

Prorektorja Ibrani, bëri të ditur se risi e konkursit për vitin e ri akademik, është edhe akreditimi i programit për energjetikën në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Ajo theksoi se shumica e programeve të studimit në Universitetin e Prishtinës kanë qenë të akredituara, ndërsa kanë qenë në ri-akreditim rreth pesë programe të tjera. Ajo foli edhe për ato programe ku të rinjtë kanë më pak interesim për të studiuar.

Ka programe të fushave teknike, të shkencave matematikore-natyrore, të cilat nuk po zgjojnë interesim shuam të madh te të rinjtë. Besoj që me promovimet që i kemi organizuar dhe me fushatat ndërgjegjësimi për mundësitë e zhvillimit në karrierë, ketë vit do të kemi prurje më cilësore edhe sasiore në këto fusha e programe të studimit”, tha ajo

Vitin e kaluar, Universiteti i Prishtinës ka pasur të akredituara gjithsej 157 programe të studimit në të gjitha ciklet e studimit. Ndërkohë, të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, u është hapur rruga për të shpallur konkurse për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2022/2023. Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Akreditimit, ka shqyrtuar dhe aprovuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë, për programet e studimit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat