​Deri në fillim të nëntorit përfundojnë renovimet te pesë soliterat në Ulpianë

Prishtina

​Deri në fillim të nëntorit përfundojnë renovimet te pesë soliterat në Ulpianë

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 17:46
Ulpianë

Deri në fillim të muajit nëntor do të përfundojnë të gjitha punimet në pesë kullat “Soliterat” të lagjes “Ulpiana” në Prishtinë.

Renovimi i pesë ndërtesave, investim i mbi tre milionë dollarëve nga MCC me masa të eficiencës së energjisë, po konsiderohet se do t’u mundësojë banorëve uljen e shpenzimeve të energjisë elektrike.

Delegacioni i lartë i MCC-së bashkë me ekipin e MFK Energy dhe nënkryetarin e kryeqytetit Alban Zogaj kanë vizituar pasditen e së martës ndërtesat për të parë ecurinë e punimeve të rinovimit.

Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK), Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës, tash e disa muaj kanë nisur projektin për renovimin e kullave “Soliterat”. Kjo po bëhet me masa të eficiencës së energjisë, program i financuar nga MCC SEEK – “Subvencionet për Eficiencë të Energjisë në Kosovë”.

Drejtori i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë, Petrit Selimi tha se me këto investime që po bëhen, soliterat në Ulpianë do të marrin pamje tjetër.

Selimi: Po investojmë mbi tre milionë dollarë

“Këtu po investojmë mbi tre milionë dollarë, në masat e eficiencës energjetike duke ndryshuar të gjitha dritaret, të gjitha muret, izolimet për një jetë më komforte, për një faturë më të lirë të rrymës për banorë e kësaj lagjeje dhe për një lagje sa më të bukur, e cila thjesht do të jetë më e sigurt. Ju e mbani mend se ka pasur edhe folie të aluminit që kanë ra edhe kanë rrezikuar banorët. Kështu që erdhëm sot për të parë statusin e ndërtimeve dhe jemi të kënaqur që punët po shkojnë mirë”, tha Selimi.

Në pesë kullat e Ulpianës po punojnë mbi 300 punëtorë dhe janë përfunduar rreth 70 për qind e punimeve.

Selimi: Kemi rinovuar mbi një mijë shtëpi private me masat e eficiencës energjetike

“Në disa objekte është përqindja më e lartë dhe janë pak para përfundimit. Në disa të tjera ka pasur probleme më të mëdha, sfida inxhinierike, sfida me banorë. Por, ne jemi të sigurt që deri në fund të muajit tetor në fillim të muajit nëntor, kjo lagje do të duket si një barnatore e përfunduar krejt, e pastër dhe e mirë... Ne këtë muaj po përfundojmë një projekt shumë të madh që ka pasur emrin SEEK, apo subvencione për eficiencë energjetike në Kosovë. Kemi rinovuar mbi një mijë shtëpi private me masat e eficiencës energjetike, pompa termike, solucione solare dhe kemi përmirësuar apo investuar në 26 banesa, apartamente shumëkatëshe në Mitrovicë, Gjakovë, Lipjan, Viti, Artanë dhe këtu në Prishtinë”, ka shtuar ai.

Përmes këtij projekti, Selimi thotë se mijëra familje në Kosovë do të paguajnë më pak rrymë gjatë verës dhe dimrit.

Drejtori menaxhues i operacioneve të sektorit në MCC, Kevin Mitchell kujton kohën kur pesë soliterat në lagjen “Ulpiana” nuk kishin pamjen e mirë. Ai thotë se qytetarët do të jenë të impresionuar pas renovimeve në banesat ku ata jetojnë.

Mitchell: Banorët do të shohin përfitime nga reduktimi i faturave të energjisë

“Në disa nga vizitat e mia këtu unë eci, dhe mbaj mend që kam kaluar pranë universitetit në vizitat e kaluara, dhe i pashë ato ndërtesa, dhe ato ishin të vjetra, në faza të ndryshme të prishjes, fasada ishte e copëtuar, po plasej, boja ishte shlyer, mund të shihej se dritaret ishin të dëmtuara dhe nga këndvështrimi i eficiencës së energjisë, ato nuk ishin aspak eficiente. Kur dëgjova se po vinim në "Ulpianë", nuk isha i vetëdijshëm që këto janë ndërtesat pranë të cilave kisha kaluar shumë herë në shëtitjet e mia, dhe sot, jam krejtësisht i mahnitur nga sa ndryshe duken, edhe pse ende nuk janë kompletuar. Kështu që unë mendoj se banorët do të jenë mjaft të impresionuar se si duken shtëpitë e tyre kur kjo të përfundojë, dhe nga perspektiva e eficiencës së energjisë, mendoj se banorët do të shohin një përfitim nga reduktimi i faturave të tyre të energjisë, gjë që është gjithmonë një gjë e mirë sepse ua kthen paratë në xhepat e tyre”, tha ai.

Edhe në Viti, Lipjan, Mitrovicë shumë apartamente kanë përfunduar me masat e eficiencës së energjisë. Me këtë projekt është investuar në fasadë, dritare e dyer të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat