​Studentët kundërshtojnë parkingun nëntokësor në kryeqytet

Prishtina

​Studentët kundërshtojnë parkingun nëntokësor në kryeqytet

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Lëvizja Studentore "Studim Kritikë Veprim" me pankarta “Kampusi universitar është i studentëve, jo i oligarkëve, “Stop uzurpimit të Kampusit” ka zhvilluar një aksion simbolik sot në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Studentët kundërshtuan parkingun nëntokësor duke hedhur letra tualeti para lokaleve të ndërtuara në hapësirat publike.

Kledi Kabashi, deputet i parlamentit studentor nga radhët e organizatës “Studim Kritikë Veprim", shprehet i zhgënjyer me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se asnjërin nga premtimet per ruajtjen e kampusit të universitetit nuk e ka mbajtur.

Kabashi: Sot asnjë nga ato pemë nuk gjendet këtu, të gjitha ato janë dëmtuar e zhdukur

“Hapësira publike, oborri universitar s’është hera e pare që uzurpohet. Fillimisht nga objektet pa leje të Millosheviqit, e tash fatkeqësisht 22 vjet pas luftës ky uzurpim po vazhdon nga Komuna e Prishtinës, qëkur filloi punimet e parkingut premtonte se edhe pemët do t’i ruante. Sot asnjë nga ato pemë nuk gjendet këtu, te gjitha ato janë dëmtuar e zhdukur. Dhe është improvizuar gjelbërim në oborrin që tashmë i ngjan kanaleve ushtarake”, tha Kabashi.

Kabashi në emër të kësaj organizate tha se qëllimi i atyre që morën vendim për këtë parking ka qenë fitimi dhe jo dija, dhe se sipas tij ky ndërtim nuk i shërben studentëve.

Kabashi: Qëllimi i profiteve është paraja dhe jo dija

“Sot në oborrin e universitetit po hapen lokale gastronomie, në vend të bibliotekave. Sepse qëllimi i profiteve është paraja dhe jo dija. Pra, betoni para gjelbërimit. Ky betonizëm nuk iu shërben studentëve. Çka “mbiu” pas uzurpimit të hapësirave të studenteve, lokale luksi dhe çmime astronomike të vend-parkimit. Kështu Komuna e Prishtinës po bëhet shërbëtore e disa individëve, mbi kurrizin e qytetarëve, mbi kurrizin e studenteve. Ky oborr universitar ka nevojë për pastrim”, tha Kabashi.

Parkingu nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë pritet të funksionalizohet këtë muaj dhe çmimi për parking gjithëditor do të jetë 15 euro, ndërsa për një orë do të kushtojë një euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat