Ulja e pagave, Gjykata në Prishtina anulon të gjitha seancat

Prishtina

Ulja e pagave, Gjykata në Prishtina anulon të gjitha seancat

Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 17:53
Gjykata Themelore e Prishtinës

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka anuluar të gjitha seancat gjyqësore të parapara për ditën e premte, duke bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK), për të reduktuar punën në shenjë pakënaqësie pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ku parashihet ulja e pagave për punonjësit në sistemin e drejtësisë.

Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndërkaq, sipas saj, janë mbajtur të gjitha seancat e natyrës urgjente të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK.

 “Nuk kemi arritur të sigurojmë numrin e saktë të seancave të parapara për datë 25 nëntor 2022, mirëpo ju informojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë shtyrë të gjitha seancat e caktuara për ditën e sotme bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, ndërsa janë mbajtur gjitha seancat e natyrës urgjente, të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK”,ka thënë Gashi.

Të enjten, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë  vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat