​Mjeku: Uji i sigurt për pije, nesër stabilizohet furnizimi

Prishtina

​Mjeku: Uji i sigurt për pije, nesër stabilizohet furnizimi

Më: 22 janar 2023 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Reshjet e shiut dhe vërshimet kanë bërë që të ketë turbullira të ujit dhe reduktime në disa komuna të Kosovës.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në “Prishtinë”, Arjeta Mjeku ka deklaruar për KosovaPress se nga nesër pritet të ketë stabilizim me ujë të pijes.

Ajo tha se K.R.U “Prishtina”, vazhdimisht është duke i mbajtur konsumatorët të informuar lidhur me situatën e furnizimit me ujë të pijshëm.

Mjeku: Ende kemi turbullirë të lartë të ujit në kanalin e Iber Lepencit

"Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, vazhdimisht është duke i mbajtur konsumatorët e njoftuar lidhur me situatën e furnizimit me ujë të pijshëm, e cila kohën e fundit ka qenë paksa në gjendje alarmante për shkak të nivelit të lartë të turbullirës që është shkaktuar në kanalin e Iber Lepencit, kanal prej të cilit impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj e merr ujin, e trajton dhe e shpërndan deri tek konsumatorët. Tash për tash ende kemi turbullirë të lartë të ujit në kanalin e Iber Lepencit, andaj Fushë Kosova, lagjja Kalabria, Zona Industriale, pastaj kemi edhe disa lagje tjera të kryeqytetit, janë me reduktime. Ndërkaq lagjet e kryeqytetit veçohen nga Fushë Kosova dhe Drenasi, për shkak që reduktime kanë vetëm gjatë orëve të natës, nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit", tha Mjeku.

Sipas saj, deri më tani gjendja më e rënduar ka qenë në Komunën e Drenasit. Derisa shtoi se nga sot kanë filluar ta trajtojnë impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj, në mënyrë që qytetarët e Drenasit, në orët e mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes të kenë dy deri në tre orë ujë të pijshëm.

Mjeku: Në gjendje më të renduar e kemi pas Komunën e Drenasit

"Në gjendje më të renduar deri më sot e kemi pas Komunën e Drenasit. Ndërkaq sot kemi filluar paksa të trajtojmë ujë për pije nga impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj, në mënyrë që qytetarët e Drenasit në orët e mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes të kenë dy deri në tre orë ujë të pijshëm. Fushë Kosova është me reduktime për momentin edhe pse katet e larta të ndërtesave kolektive po kanë vështirësi në marrjen e furnizimit me ujë edhe pse ne e lëshojmë në periudhën që e kemi caktuar, pra në kohën e reduktimeve. Por, po shpresojmë dhe sipas informacioneve që i kemi nga terreni, situata është duke u përmirësuar dhe po presim deri ditën e nesërme se çfarë do të ndodhë me turbullirën në ujë në kanal, sepse ne në fabrikën dhe impiantin që e kemi është e pamundur të trajtojmë për pije me ato vërshime që kanë qenë kohën e fundit në pjesën veriore, Mitrovicë dhe në Liqenin e Ujmanit prej nga edhe e marrim ujin për trajtim nga impianti i Shkabajve", shtoi Mjeku.

Mjeku shtoi se uji që është lëshuar, është i pijshëm dhe nuk ka vend për panik.

Mjeku: Ujin që e lëshojmë për qytetarët, gjithmonë është i përshtatshëm për pije

"Ne ujin që e lëshojmë në kroiet e qytetarëve, gjithmonë është i përshtatshëm për pije. Në moment që ne shohim që diçka nuk është në rregull, e ndërpremë prodhimin e ujit, në mënyrë që qytetarët mos të marrin ujë që nuk është i pijshëm. Andaj, ujin që e marrin në krojet tona, ata të cilët furnizohen nga sistemi i ujësjellësit, është i përshtatshëm për pije dhe në moment që ka diçka rreth cilësisë së ujit të pijshëm, është edhe Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës që edhe ata kanë dalë me komunikatë sa i përket cilësisë së ujit të pijshëm në gjithë territorin e Kosovës pas vërshimeve", tha mes tjerash Mjeku.

Megjithatë të kundërtën e thotë Instituti i Shëndetit Publik, ku theksojnë se uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat