Dorëheqje, shkarkime të aksionarëve të ndërmarrjeve publike e emërime – gjithçka që ndodhi në mbledhjen e kuvendit komunal të Prishtinës

Prishtina

Dorëheqje, shkarkime të aksionarëve të ndërmarrjeve publike e emërime – gjithçka që ndodhi në mbledhjen e kuvendit komunal të Prishtinës

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 07:33
Kuvendi komunal i Prishtines

Të enjten është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës, në të cilën pati dorëheqje, shkarkime të aksionarëve të ndërmarrjeve publike e emërime.

Me të nisur kjo mbledhje, kryesuesi i Kuvendit Komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Kupina ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, duke u deklaruar si kryesues i pavarur.

“Unë jam anëtar i pavarur i kryeqytetit dhe nuk do t’i përkas asnjë partie apo grupi politik. Mandatin tim si kryesues i Kuvendit dhe si anëtar i pavarur do ta ushtroj në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe do të jem besnik i secilit votues dhe qytetari të Prishtinës”, ka thënë Kupina.

Shkarkohen 20 aksionarët e dhjetë ndërmarrjeve publike në Prishtinë – këta janë emrat

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës u shkarkuan 20 aksionarë të dhjetë ndërmarrjeve publike komunale.

Me 25 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim u bë shkarkimi i këtyre aksionarëve.

Në këtë mbledhje prezent nuk ishin asamblistët e LDK-së dhe PDK-së.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës është ftuar nga tri partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri i ka thënë Telegrafit se kjo mbledhje ka për synim kapjen e ndërmarrjeve publike nga partitë opozitare.

“Thirrja e seancës nga VV-AAK-Nisma në Prishtinë, ka të bëjë me tentimin e kapjes së pozitave dhe ndërmarrjeve publike nga këto parti”, ka thënë Retkoceri.

Më poshtë media ua sjell emrat e të gjithë aksionarëve të shkarkuar në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës:

Ngrohtorja e qytetit “Termokos”- Jeta Hasani-Rafuna, Milazim Vitia

Ndërmarrja Publike Banesore – Leutrim Retkoceri, Granit Geci

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” – Muhamet Selmani, Shegë Beqiri

Ndërmarrja Publike “Hortikultura”- Kumrie Shabani-Ramadani, Arbnore Ajeti

Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban”- Agron Canolli, Fatmir Dervishi

Ndërmarrja Publike “Sport Marketing”- Pëllumb Bajqinovci, Elmira Nikçi-Rexha

Ndërmarrja Publike “Stacioni i Autobusave”- Donjeta Dragusha, Amir Simica

Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking”- Lindita Rexhepi, Samir Salihu

Ndërmarrja Publike “Kuzhina Qendrore” – Dasmor Durmishi, Agim Kuleta

Ndërmarrja Publike “Pallati i Rinisë”- Dhurata Ratkoceri, Fitnete Bejta.

Opozita në Prishtinë merr nën menaxhim dhjetë ndërmarrjet publike komunale

Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, VV-AAK-Nisma-AKR, pas shkarkimit të 20 aksionarëve të dhjetë ndërmarrjeve publike komunale, kanë emëruar aksionarët e rinj.

Asamblisti Endrit Zabërgja nga Nisma, lidhur me shkeljet në ndërmarrjet publike ka deklaruar se është koha e fundit të reagojnë.

“Në emër të anëtarëve nënshkrues më lejoni të paraqes arsyetimin për pikën e parë të rendit të ditës. Për parregullsitë, shkeljet ligjore mosraportimin e rregullt dhe ankesën e qytetarëve në lidhje me këto ndërmarrje. Konsiderojmë që është koha e fundit që të reagojmë. Prandaj propozojmë shkarkimin e aksionarëve në 10 ndërmarrje publike të zgjedhur më 18 mars”, ka thënë ai.

Aksionarët e rinj të emëruar nga opozita në dhjetë ndërmarrjet publike në Prishtinë janë si më poshtë:

Gëzim Mehmeti dhe Sami Borovcin në “Termokos”,

Arianti Beqiri dhe Besart Krasniqi në “Ndërmarrjen Publike Banesore”

Femi Osmani dhe Petrit Reçica në ndërmarrjen “Pastrimi”,

Valbona Ajeti dhe Taulant Maxharraj në ndërmarrjen “Hortikultura”

Triera Kosumi- Berisha dhe Gëzim Sveçla në “Trafikun Urban”,

Endrit Zabërgja dhe Bahri Gashi në “Sport Marketing”

Mirsad Vitia dhe Besnik Mujeci në “Stacionin e Autobusëve”

Flamur Kelmendi dhe Besnik Haziri në “Prishtina Parking”,

Kushtrim Mushica dhe Endrit Gashi në “Pallatin e Rinisë”,

Teuta Kadiu-Gjinolli dhe Arbnora Berisha në “Kuzhina Qendrore”

Këta kandidatë u emëruan me 26 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat